Ndër to dhe një performancë provokative: Pesë emigrantë në Gjermani përballë 2 qenve Doberman. Quhet: "Arbeit macht frei"
"Silent Sozial Corruption" prezanton sot deri më 21 mars një artist të ri shqiptar në galerinë shtetërore të Mynihut, Lothringer13 Städtische Kunsthalle.
Në të parën personale në Gjermani, Armand Lulaj ekspozon 5 punë me titull të përbashkët "Korrupsioni memec social". Kuratorja Adela Demetja na bën një guidë në projektet e reja dhe të hershme të 30-vjeçarit Lulaj.
Ky emër është i njohur për publikun e arteve pamore qysh tre vjet të shkuara, si fitues i "Onufrit" dhe një nga 5 artistët që përfaqësuan Shqipërinë në Bienalen e 52 të Venecies. Prej vitesh jeton në Bolonjë.
Demetja na tha se është një ekspozitë mbi reflektimin e situatës së sotme në botë, mbi indiferencën dhe pasivitetin e të jetuarit në një shoqëri të korruptuar.
Për këtë rast ai ka realizoi dy punë të reja. Njëra prej tyre mban titullin "Work sets you free" dhe u realizua gjatë dy muajve në Villa Walbert në Mynih ku Lulaj bujti si artist rezident.
Nëpërmjet njoftimit në një gazetë lokale u gjendën 5 emigrantë që jetojnë në Gjermani. Janë nga Palestina, Afganistani, Irani dhe Kurdistani.
Burrat pranuan, kundrejt një pagese, të qëndrojnë për një orë përballë dy qenve Doberman, edhe këta të paguar. Adela thotë se kjo është një punë mjaft provokative për refugjatët, emigracionin, azilin politik, racizmat, burokracinë dhe për gjithë punëtorët emigrantë legalë në Evropë.
Për kufizimet e ligjit, vështirësitë, kufijtë dhe limitet e tyre. "Ky emigrant që jeton në Gjermani luan veten në këtë performancë, megjithëse është vendosur në një kontekst brenda hapësirës së galerisë. Këtë punë Lulaj e quajti "Work sets you free", dhe thotë se hebrejtë e sotëm janë palestinezët, afganët dhe njerëz që vijnë nga Iraku", shpjegon kuratorja.
Në ekspozitë do të jetë vetëm një foto dhe fjalia "Arbeit macht frei" e cila, e para, priste me sarkazëm hebrejtë që futeshin në kampin e përqendrimit Aushvic. Kjo fjali është e shkruar me shkronja neoni..
Ekspozita do të dokumentohet në një katalog me tekste nga Pier Luigi Tazzi, Marco Scotini dhe Edi Muka.
"Silent Sozial Corruption", çfarë përfaqëson ky titull?
Lulaj është një artist që më ka ngjallur gjithmonë kuriozitet dhe interes jo vetëm për faktin që është një nga artistët e mirëfilltë profesionistë shqiptarë, por sepse ka një vërtetësi dhe një koherencë në punët e tij.
Punët e tij prekin tematika sociale dhe politike, që janë thelbësore në jetën tonë, si qytetarë të botës.
Duke u marrë me këto tematika, Lulaj bën një konstatim shumë të drejtë, dhe kërkon me anën e punëve të tij të ngjallë konflikt dhe ngacmim për autoritetet e ndryshme shtetërore por në radhë të parë, kërkon të ngjallë një ngacmim në shoqëri, tek secili prej nesh si individ.
Sepse jemi ne si pjesë e shoqërisë që luajmë një rol të rëndësishëm në të, që duke mos reaguar në çështje të ndryshme, bëhemi në njëfarë mënyre të korruptuar, duke u bërë pjesë e një korrupsioni të heshtur shoqëror.
Nga ky konstatim dhe vëzhgim merr dhe titullin ekspozita. Pra, Lulaj në radhë të parë fajëson secilin nga ne, dhe na bën të ndihemi fajtorë që jemi indiferentë ndaj disa çështjeve që në plan të parë nuk kanë të bëjnë me ne personalisht.
Si reflektohet politika në Shqipëri po edhe në vendet e tjera, në punët e Lulajt?
Lulajt nuk i ka interesuar asnjëherë politika në mënyrë të drejtpërdrejtë, nëse mund të shprehem në këtë mënyrë. Ai reflekton në mënyrë poetike ose artistike mbi politikën. Analizat janë ato që e çojnë punën e tij në nivel politik. Shumë nga punët e Lulajt janë prodhuar në Shqipëri, sepse ky vend nxit me realitetin e tij, krijimtarinë e artistit.
Për sa i përket situatës politike në vende të tjera dhe në përgjithësi në botë, kjo është padyshim ngacmim për të. Kur flasim për politikën, Lulaj në fakt i shkon dhe më thellë kësaj çështjeje duke marrë në konsideratë mekanizmat e pushtetit si shkaktarë të fenomeneve të ndryshme politike.
Për shembull puna e paraqitur në ekspozitë me titull "Reflecion on Black" merr spunto nga skandali i ndodhur në vitet 1996-2003 në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku zyrtarë të lartë të këtij institucioni, bënin pazare miliona dollarësh me vende si Kuvajti dhe Iraku. Pra, një institucion që duhet të bëjë të mundur ruajtjen e paqes dhe demokracisë në botë, s'është asgjë tjetër veçse një levë në duart e atyre që kanë pushtetin.
Në pjesën e parë të videos, me një fuçi të mbushur me naftë artisti lëviz në rrugët e Romës, duke pasqyruar në sipërfaqen e naftës qytetin antik që u shkatërrua nga korrupsioni dhe shthurja shtetërore. Në pjesën e dytë të videos po të njëjtën fuçi bosh, kësaj here e vendos përpara ndërtesës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Çfarë evokon me simbolet e së kaluarës totalitare?
Në punën e tij po ashtu tek kjo ekspozitë, "Passion" dhe "Schizofrenic Nostalgia" ai bën një reflektim historik në disfatat e shekullit të kaluar. Në punën fotografike "Schizofrenic Nostalgia", nostalgjia për të kaluarën bëhet skizofrenike. Artisti e projekton yllin si simbol të socializmit, si një imazh të dyfishuar simetrik.
Duke e kthyer në këtë mënyrë në imazhet simetrike që psikiatri përdor për të matur skizofreninë e pacientëve të tij. Pra, nostalgjia historike në rastin tonë, për një të kaluar të hidhur mund të tejkalohet dhe dyfishohet duke u kthyer në skizofreni.
Ndërkohë në punën video "Passion", në një thertore në periferi të një qyteti në Shqipëri, dy burra japin mendimet e tyre për komunizmin dhe përparimin perëndimor.
Në ambientin e thertores njëri nga burrat lexon pjesë nga "Kapitali" i Karl Marksit pa e kuptuar dhe vetë atë që po lexon. Duke lexuar lyen faqet e librit me gjakun e bagëtive që ther në sfond. "Kapitali" ishte një nga librat më të cituar dhe më të rëndësishëm të ideologjisë komuniste, dhe ishte një kritikë e fortë për kapitalizmin.
Por në fakt, ky libër nuk mund t'i shërbente proletariatit. Njerëzit e thjeshtë nuk mund ta lexonin dot sepse ishte shumë i vështirë për t'u kuptuar. Vetëm borgjezët mund ta lexonin dhe kuptonin atë, që i ndihmonte të shtonin më shumë pasurinë.
Nga fotot dhe teksti i ekspozitës një punë me interes duket perfomanca e realizuar me emigrantë: "Puna të bën të lirë". Kemi të bëjmë me një punë provokative? Deri ku shkojnë idetë e Lulajt për emigracionin?
Kjo është një punë shumë provokative sidomos në kontekstin gjerman. Shprehja "Puna të bën të lirë" ishte shprehja me të cilën duhet të ballafaqoheshin çifutët e dënuar me punë të detyruar në kampet e përqendrimit nazist.
Por në këtë rast e lidhur me performancën, ku 5 burra me origjinë palestineze, afganistane, iraniane dhe nga Kurdistani, pranuan të qëndronin për një orë kundrejt pagesës përpara dy qenve Doberman, puna merr një kontekst tjetër.
Çifutët e sotëm janë njerëzit nga Palestina, Afganistani dhe Iraku, shpjegon Lulaj. Dhe sigurisht janë për tu përmendur këtu dhe kushtet në të cilat jetojnë emigrantët, në Europë, ku ndeshen me probleme ligjore, burokracinë, racizmin etj. Pra këta emigrantë në njëfarë mënyre luanin rolin e tyre të vërtetë në këtë performancë.
Action dhe performancë, çfarë mundësish i japin atij këto mjete shprehjeje?
Aksionizmi dhe ana performative, janë një pjesë e rëndësishme e punëve të Lulajt. Në shumë nga rastet është ai vetë që realizon aksionet e tij.
Ai mundohet të jetë sa më real dhe i vërtet, duke u bërë pjesë e akteve që çojnë në realizimin e punës. Pikërisht dhe për kurajon e tij në bërjen e veprimeve, ai është gjendur disa herë në telashe me autoritetet shtetërore.
Elsa Demo : Gazeta Shekulli