Është subjektiv vlerësimi se si dikush mund të jetë i zgjuar. A e bënë dikë të mençur rezultati në testin e inteligjencës (IQ)? Apo kjo është më shumë një çështje se sa dikush ka arritur diçka në jetë? Debati mbi këtë temë ndoshta kurrë nuk do të përfundojë. Megjithatë, portali SuperScholar.org ka publikuar një listë të dhjetë njerëzve që meritojnë me të vërtetë të etiketohen si njerëzit më të zgjuar në botë. Ata janë:
1. Ndoshta më i famshmi në listë është 70-vjeçari Stephen Hawking (IQ 160), autor i shtatë librave bestsellerë, që ka dhënë kontribut të madh në fushat e kozmologjisë dhe gravitetit kuantik. Ai ka 14 çmime për shkencë, ndërsa ka dhënë teoritë e tij për kozmosin.
2. Kim Ung-Yong është një korean 50 vjeçar (IQ 210). Si fëmijë është cilësuar gjeni, meqë deri në moshën dyvjeçare ka mësuar rrjedhshëm katër gjuhë. Si adoleshent ka punuar për NASA, ndërsa sot ka një doktoratë nga ndërtimtaria.
3. Paul Allen (IQ 170) është bashkëthemelues i kompanisë Microsoft, njeri i cili fal njohurive dhe aftësive ka fituar 14.2 miliardë dollarë. Është 59 vjeç dhe një nga njerëzit më të pasur në botë.
4. Rick Rosner është një 52-vjeçar, skenarist dhe producent televiziv amerikan. IQ e tij është 192, ndërsa në biografinë e tij ka shkruar se ka kryer punë si striptizer, kamerier, roje në klubet e natës, dhe si model për çorape të holla.
5. 49-vjeçari Garry Kasparov (IQ 190) është kampion botëror i shahut, i cili kohëve të fundit merret me shkrime dhe politikë.
6. Sir Andrew Wiles është matematikan 59-vjeçar i cili e ka vërtetuar teoremën e Fermatit. Ai ka marrë 15 çmime për matematikë, për çka edhe e ka fituar titullin Sir. Rezultati i tij në testin e inteligjencës ka qenë 170.
7. Rezultati të njëjtë ka edhe hungarezja Judit Polgar, mjeshtre 36-vjeçare e shahut. Judih është femra e parë që ka luajtur vetëm me meshkuj. Më 2002 ia doli ta mundte edhe Kasparovin.
8. Christopher Hirata është 30 vjeç, me IQ-në 225. Ai ka qenë një mrekulli prej fëmijëve, i cili si 16 vjeçar ka punuar për NASA. Si 23 vjeçar ishte fitues i diplomës nga astrofizika. Ndërsa, ishte amerikani më i ri që në moshën 13 vjeçare ka mundur të fitojë medaljen e artë nga fizika.
9. Terrence Tao është 37 vjeç me IQ-në 230. Ishte personi më i ri që u bë profesor në UCLA. Diplomën nga matematika në Universitetin Princeton e ka fituar si 20 vjeç.
10. James Woods është aktor 65-vjeçar amerikan. IQ e tij është 180. Ka fituar çmimin Emmy dhe kishte dy nominime për Oscar. Ai është dashur të studionte matematikën në UCLA, meqë kishte numrin më të madh të pikëve në maturën shtetërore. /Telegrafi/