Cili eshte programi yne


Duam një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin, të përbërë prej njerëzve më të ditur, më patriotë, më të zotërit e më të ndërshmit. Më të emëruar nëpunësit, duam të merret parasysh dituria, patriotizma, zotësia e nderi. Nuk duam të përjashtojmë asnjë qytetar i cili ka dituri, zotësi e vullnet tëmirë, vetëm e vetëm se hyri pak a shumë vonë në sheshin e Shqipërisë së lirë. Duam ta lartësojmë racën tonë, jo ta skllavërojmë. Duam të respektohet nderi, liria dhe kryelartësia tradicionale e popullit shqiptar. Duam t´i japim popullit liri e jo tirani. Duam ta shtrojmë vendin tonë jo me tru, po me kanun e me drejtësi. Duam t´i rregullojmë financat e shtetit me kursim e jo ta shkatërrojmë shtetin me rushfete e me taksa. Duam të ndërtojmë e jo të prishim. Organizatorët e huaj nuk i duam vetëm për bukuri e për të gënjyer popullin, po për të punuar e për të organizuar me të vërtetë. Duam t´u japim rëndësi kryesore degëve të bujqësisë, të shëndetësisë dhe të arësimit.


Bujqësia

Shqipëria ka pasurinë që duket, e cila është përmbi tokë dhe pasurinë që s´duket, nën tokë. Uroj me gjithë zemër që pasuria nën tokë të jetë më e madhe se sa e kujtojmë, po është marrëzi të kryqësojmë duartë e të presim të gjitha të mirat nga kjo pasuri problematike e të lemë të pazhvilluar pasurinë parimtare, e cila sikundër na sigurojnë të gjithë ekspertët e huaj, është e mjaftë për të ushqyer dhjetë herë më tepër ndenjës(banor) se sa ka Shqipëria sot. Për të zhvilluar pasurinë e tokës, Shqipëria duhet ndarë në gjashtë a shtatë zona bujqësore, me një ekspert agronom shetitës në krye të cilitdo, i cili t´i mësojë katundarët tanë si të mbjellin, si të plehërojmë, si të lërojnë, ç´të mbjellin, si të mbjellin, si të rriten e si të korrin. Me pak harxhe nga anë e shtetit, ndofta më pak se ato që harxhon sot degë e bujqësisë, vendi ynë mund të nxjerrë më shumë drithë, pemë e begëti se sa i duhen për konsumin e brendshëm e të eksportojë tepricën, kur sot pothuaj të gjithë prefekturat importojnë së jashtëmi një pjesë të madhë të ushqimit të tyre.


Shëndetësia

Raca shqiptare po degjenerohet e po shuhet nga malaria, nga sifilia dhe oftika, nga mosmbrojtja e nënave dhe vdekësia e tmerruar e foshnjave. Me pak harxhe mund të merren masa efektive për të lëftuar tretjen e ngadalshme të racës sonë. Duam që Shqipëria të ndahet në 6-7 zona shëndetësore me mjekë ekspertë për sëmundjet e sipërme. Cilado prej këtyre zonave shëndetësore duhet të ketë dy a tri mamira eksperte shëtitëse, të cilat të kujdesen për nënat me barrë e për shëndetin e foshnjave.


Arsimi

Që ta vëmë arësimin në udhë duhet ta mbushim kokën njëherë e mirë që për shkollat e memse duhet të importojmë mësonj¨s të huaj, me anën e të cilëve të krijojmë mësonjës modernë për të nesërmen. Për këtë qëllim është absolutisht e nevojshme të fillohet një gjimnaz qendror i plotë, me një degë normale, një degë klasike, një degë teknike, një degë tregëtare, me mësonjës të huaj. Shtatë a tetë gjysmë gjimnaze pregatitëse duhen themeluar prapë me mësonjës të huaj nëpër qytete më me rëndësi për të ushqyer gjimnazin qendror. Veçanërisht duhet të importojmë mësonjës ekspertë të gjimnastikës e të muzikës, për të forcuar trupin, për të zbutur shpirtin e racës së re.
Nëpër katundet duhet adaptuar sistemi i mësonjësve shëtitës. Pastaj shkollat tona duhen frymëzuar me një mënyrë të atillë që të rriten njerëz për punë e qytetarë me karakter.
Problemet e sipërme e veçanërisht atë të arësimit s´mund ta zgjidhë një kabinet prej të paditurish dhe mediokrësh si i sotmi. Shërimi, pra, është në ndërrimin e kësaj guverne. Këtë e ka populli në dorë në zgjedhjet e afërme. Po që të mundin zgjedhjet të japin përfundimin e dëshëruar duhet siguruar vota direkte dhe e fshehtë drejt për drejt prej tërë popullit. Kam besimin të plotë që populli ynë është mjaft i zgjuar sa të dijë si ta përdorë votën e tij; jam i sigurtë që populli ynë është mjaft trim sa të votojë ashtu si i thotë ndërgjegja. Populli ynë vojti mjaft prej kësaj guverne sa të mos gënjehet t´ia japë votën përsëri. Se janë dhe do të mbeten të vërteta fjalët e presidentit martir të Shteteve të Bashkuara i cili ka thënë " Mund të gënjesh një pjesë të popullit për ca kohë, mund të gënjesh tërë popullin për ca kohë, po kurrë s´mund ta gënjesh tërë popullin për tërë kohën".

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama