Cili sistem votimi eshte efektiv kunder korrupsionit politik?

Cili sistem votimi eshte efektiv kunder korrupsionit politik?
<<Një sistem votimi efektiv ndihmon në begatimin e demokracisë dhe shtrirjen e saj në botë.>>
Roger Bruce Myerson, fitues i Çmimit Nobel.
<<Sistemet e votimit janë drenazhe të demokracisë. Një sistem drenimi efektiv largon ujin e tepërt të tokës, ndërsa një sistem votimi efektiv largon nga pushteti politikanët e korruptuar.>>
   Amartya Sen, fitues i Çmimit Nobel.
<<Mos përdorni sisteme votimi të cilat kanë shfaqur mangësi serioze më parë.>>

Kenneth Arrow, fitues i Çmimit Nobel.
 

Hyrje
 
Korrupsion politik quhet shpërdorimi nga politikani i fuqisë shtetërore ose autoritetit politik me qëllim përfitimi personal, familjar ose të një grupi të vogël njerëzish, në kundërshtim me të mirën e mbarë shoqërisë. Të gjithë nivelet e hierarkisë shtetërore janë të dyshuara se mund të preken nga korrupsioni politik (ministria, deputetë, gjyqtarë, prokurorë, etj…). Kjo do të thotë se asnjë politikan ose pushtetar nuk gëzon imunitet ndaj korrupsionit politik. Studime të dy dekadave të fundit kanë treguar se korrupsioni politik është procesi shoqëror më I përhapur në demokracitë moderne. Amerika, Franca, Italia, Japonia, Kanadaja, Gjermania, Spanja, Greqia, etj “vuajnë nga sëmundja korrupsion politik” pavarësisht se cila parti politike ose koalicion partish vjen në pushtet. Sipas shkencëtarit amerikan Robert E Klitgaard, korrupsioni politik paraqitet me formulën:

K = M + L – P

ku K tregon korrupsionin, M tregon monopolizimin e fuqisë shtetërore ose partiake, L tregon lirinë e gjykimit dhe të veprimit, ndërsa P tregon mbajtjen e përgjesësisë. Pra, politikani i korruptuar ka monopolizuar fuqinë shtetërore, ka liri gjykimi e veprimi dhe nuk mban përgjegjësi për ato që kryen. Korrupsioni politik zhvillohet në disa dimensione të rëndësishme të veprimtarisë njerëzore: në zgjedhjet parlamentare ose vendore, në financimin e partive politike gjatë fushatave zgjedhore, në formimin dhe menaxhimin e koalicioneve politike, në bashkëpronësi të biznesmenëve të fuqishëm me politikanë  (monopole bilaterale), në biznesin e armëve, në marrjen e rryshfeteve të majme nga politikanë që ndërhynë në doganat, tatimet, tenderat, privatizimet ose në sistemin e drejtësisë,  etj. Korrupsioni politik është shkatërrues kryesor i demokracisë dhe prishës i vlerave morale të shoqërisë. Shkencëtari i shquar amerikan William Harrison Riker nxiti profesorët e shkencave politike në vitin 1982 të pranonin botërisht dhe pamëdyshje se largimi nga pushteti i politikanëve të korruptuar është objektiv themelor i shtetit demokratik. A ekzistojnë lidhje të brendshme ndërmjet korrupsionit politik dhe sistemeve të votimit që përdoren në zgjedhje parlamentare ose vendore në shtete demokratike të ditëve tona ?

Studime shkencore të kryera gjatë dekadave të fundit në disa shtete demokratike kanë treguar se lidhje të brendshme të tilla ekzistojnë, madje këto lidhje janë të fuqishme dhe të sofistikuara. Sisteme votimi të ndryshme kanë efektivitete të ndryshme kundër korrupsionit politik, në kuptimin e parandalimit ose zvogëlimit të korrupsionit. Natyrshëm lind problemi: cili sistem votimi është më efektiv kundër korrupsionit politik ?

Në këtë studim shqyrtohen disa sisteme votimi të ndryshme ; përshembull, sistemi mazhoritar, sistemi i shumicës së thjeshtë, sistemi proporcional kombëtar me lista të mbyllura ose të hapura, sistemi proporcional rajonal me lista të mbyllura ose të hapura, sistemi i votimit me aprovim, etj. Duke shpresuar se lexuesi ka njohuri për disa nga sistemet e votimit, do të shpjegohet shkurtimisht vetëm votimi me aprovim.

Votimi me aprovim

Sistemi i votimit me aprovim u përshkrua në vitin 1977 nga G. Ottewell, J. Kellet, K. Mott, dhe R.J. Weber, por u publikua me nivel shkencor në vitin 1978 nga shkencëtarët amerikanë Steven Brams dhe Peter Fishburn. Votimi me aprovim funksionon në këtë mënyrë: çdo votues mund të votojë për të aprovuar aq kandidatë sa ai dëshiron: asnjë, një, dy, …., të gjithë. Çdo votues mund ti japë çdo kandidati të shumtën një votë. Në votimin me aprovim  nuk nevojitet që votuesi të renditë kandidatët e aprovuar prej tij (më i preferuari, e kështu me radhë ). Me fjalë të tjera, nuk ka rëndësi preference individuale e çdo votuesi për renditjen e kandidatëve të aprovuar prej tij. Votimi me aprovim nxjerr një fitues të vetëm, i cili është kandidati që në total ka grumbulluar numrin më të madh të votive. Lejohet (është i mundshëm) edhe barazimi, nëqoftëse dy ose më shumë kandidatë kanë grumbulluar numër të njëjtë votash. Duhet të përcaktohet rregulli i procedimit në rast barazimi, sepse votimi me aprovim do të nxjerrë vetëm një fitues. Pas përfundimit të votimit me aprovim, komisioni zgjedhor zonal harton listën e rezultateve, duke i renditur kandidatët në përputhje me numrin e votive qe ata kanë grumbulluar: i pari renditet kandidati që ka grumbulluar numrin më të madh të votive, ndërsa i fundit kandidati që ka grumbulluar më pak vota. Historikisht, votimi me aprovim është përdorur në rastet e mëposhtëme:

·  Në zgjedhjen e Papës  gjatë viteve 1294 – 1621 me një numër mesatar prej 40 kardinalësh, të cilët mernin pjesë në raunde të përsëritur, derisa listohej kandidati fitues me të paktën 2/3 e votave të grumbulluara.
·  Në shekujt 13 – 18, Republika e Venetikut ka zgjedhur udhëheqësin e saj (Dozh i Venetikut ) me një process disa etapash, i cili mundësonte përzgjedhjen dhe miratimin e një shumice kandidatësh.
· Votimi me aprovim është përdorur në zgjedhjet vendore në Angli në shekullin e 19 –të.
· Votimi me aprovim është përdorur në zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB dhe ka gjetur konsesus para votimit formal në Këshillin e Sigurimit.
· Votimi me aprovim është përdorur në zgjedhjen e Presidentit të Shoqatës Amerikane të Matematikës, të Presidentit të Shoqatës Amerikane të Statistikës, të Presidentit të

Institutit Kombëtar të Kërkimeve Operacionale dhe Menaxhimit të Shkencës dhe të Presidentit të Inxhinierisë Elektrike dhe Elektronike të Amerikës. Për kuriozitet, unë jam prej vitesh anëtar i Shoqatës Amerikane të Matematikës dhe e kam përdorur disa herë votimin me aprovim në zgjedhjen e Presidentit të kësaj shoqate. Shoqata më të vogla që përdorin votimin me aprovim janë Akademia Kombëtare e Shkencave e Amerikës, Shoqata Amerikane Ekonometrike, Shoqata Amerikane e Marrjes së Vendimeve, Shoqata Europiane e Logjikës, Gjuhës dhe Informacionit, etj. Në fillim të viteve 1980, votimi me aprovim është përdorur në Bashkimin Sovjetik dhe në disa shtete të tjera ishkomuniste të Europës Lindore. Votimi me aprovim rrit pjesëmarrjen në votime, është i thjeshtë dhe praktik, është i ndershëm, ka forcë shprehëse të madhe që votuesi të aprovojë njëkohësisht disa kandidatë për deputetë dhe parandalon “spoiler candidate” (domethënë, parandalon që disa kandidatë të partive politike relativisht të dobta të prishin rezultatet zgjedhore ). Por, vetia më e mirë e votimit me aprovim është efektiviteti kundër korrupsionit politik, ndërkohë që asnjë sistem votimi i përdorur në shtete demokratike deri më sot nuk e gëzon këtë veti. Kjo çështje e rëndësishme dhe interesante përbën thelbin e shkrimit tonë. Disa veti të mira të tjera të votimit me aprovim janë:

1. Votimi me aprovim i lejon votuesit të arrijnë në një kompromis për votën e tyre, pa qenë nevoja të braktisin kandidatin e tyre të preferuar. Nuk ndodh kështu me sistemet e tjera të votimit.

2. Votimi me aprovim e bën më të lehtë për votuesit që ata të shprehin votën kundër një kandidati që nuk e preferojnë.

3. Nëqoftëse votuesit janë të sinqertë, një kandidati për deputet mund ti nevojitet të fitojë aprovimin 100% të votuesve për të mundur një konkurrent të fortë dhe serioz. Kjo parakupton se kandidati fitues duhet të jetë racional në kuptimin e Kollmogorovit dhe të gjejë zgjidhje të problemeve të larmishme, të cilat janë të pranueshme nga të gjithë votuesit (zgjidhje optimale Pareto ).

4. Në rastin e zgjedhjeve parlamentare kur një numër shumë i madh votuesish të organizuar preferojne kandidatin e tyre përballë një kandidati tjetër të fortë, votimi me aprovim mund të përafrohet me sistemin e votimit të shumicës. Këta votues të organizuar do të aprovojnë vetëm kandidatin e tyre të preferuar, sepse do ti konsiderojnë kandidatët e tjerë si konkurrentë (dhe jo si kompromis ) të preferencës së tyre të përbashkët. Nga ana tjetër, votimi me aprovim ka dy mangësi:
(i)                 në votimin me aprovim mund të rezultojë humbës një kandidat i cili mund të shpallej fitues në sistemin e votimit me shumicë të thjeshtë;
(ii)               në votimin me aprovim mund të rezultojë fitues një kandidat i cili mund të shpallej humbës në sistemin e votimit me shumicë të thjeshtë.
 
Disa shkencëtarë mendojnë se për sistemin e votimit me aprovim nuk janë të vlefshme teoremat e famshme të pamundësisë të Arrow, Gibbard – Satterthwaite, Duggan – Schwartz, Balinski – Young dhe Karpov sepse cënohet aksioma e universialitetit. Sistemi i votimit nuk duhet të vendosë asnjë kufizim ndaj vetisë kalimtare: çdo bashkësi e mundshme e preferencave individuale kalimtare të votuesve duhet të prodhojë renditje kalimtare të rezultateve zgjedhore. Ne do të studiojmë modele matematike të zgjedhjeve parlamentare në një shtet demokratik të ditëve tona. Pranohet se shumica dërrmuese e votuesve janë të ndershëm, ndërsa bashkësia e politikanëve ( duke përfshirë dhe kandidatët për deputetë të partive politike ) përmban si politikanë të ndershëm ashtu dhe të korruptuar. Synimet e garës janë:

(1)   respektimi i preferencës së shumicës të votuesve.
(2)   Garantimi i masave parandaluese ndaj korrupsionit politik.
 
Duke u bazuar në këto dy kritere, mund të krahasohen midis tyre sisteme votimi të ndryshme. Brenda një klase të gjerë të sistemeve të votimit me një fitues të zbatuara në zgjedhje parlamentare demokratike, vetëm votimi me aprovim i kënaq të dy kriteret: rregullin e shumicës dhe efektivitetin kundër korrupsionit politik. Shkencëtarët kanë besuar gjithmonë se gara e ndershme në zgjedhje parlamentare demokratike do të zvogëlojë korrupsionin politik. Efektiviteti i kësaj gare kundër korrupsionit varet dhe nga vetitë specifike individuale të sistemit të votimit që do të përdoret. Me fjalë të tjera, sisteme të ndryshme votimi ( të zbatuara në të njëjtat zgjedhje parlamentare ) mund të kenë efektivitete të ndryshme kundër korrupsionit politik. Çuditerisht, problemit mbi identifikimim e sistemit të votimit që ka efektivitet më të lartë kundër korrupsionit politik i është kushtuar përkujdesje e pakët ( e pamjaftueshme ).

Vlen të përmenden studimet e publikuara nga S. Rose – Ackerman (1999), R.B. Myreson (1999, 2006 ), T.Persson, G. Tabellini dhe F.Trebbi (2003 ), J.Kunicova dhe S. Rose – Ackerman (2005 ), E.C.C.Chang (2005), M.Tavits (2007), F.Kolaneci (2008) dhe nga T. Hiroi (2009). Le të jetë K = {k} bashkësia e të gjithë kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare që zhvillohen në një datë të përcaktuar në një shtet demokratik të ditëve tona. Çdo kandidat për deputet  k ∈ K  ka një fitim korruptiv f(k), i cili mund të vlerësohet sipas studimit të F. Kolaneci (2008). Supozohet se nga korrupsioni politik përfitojnë politikanët e korruptuar dhe një pakicë të afërmish ose bashkëpunëtorësh të tyre. Votuesit (shumica dërmuese e tyre ) synojnë të minimizojnë dëmin e shkaktuar nga korrupsioni politik. Kandidati për deputet k quhet i ndershëm nëqoftëse f(k) = 0 dhe pozitivisht i korruptuar nëqoftëse f(k) > 0. Votuesit mund të ndryshojnë midis tyre në lidhje me preferencën politike ( i majtë ose i djathtë ose i qendrës ose asnjëanës ndaj partive politike ) si edhe në lidhje me qëndrimin e tyre ndaj korrupsionit politik.  Tipi i votuesit, i treguar me simbolin t është prefernca përfundimtare e votuesit në zgjedhjet parlamentare dhe gjendet me metodën Myerson (2002), duke u bazuar në preferncën politike të këtij votuesi dhe në nivelin e korrupsionit f(k) të cdo kandidati për deputet. Funksioni i qëllimit ( ose funksioni i dobisë ) i votuesit tregohet me simbolin u( k, t ), ku k tregon kandidatin për deputet ndërsa t paraqet tipin e votuesit.

Nëqoftëse kandidati për deputet  k është i korruptuar dhe do të shpallet fitues në zgjedhjet parlamentare, atëherë funksioni i qëllimit u( k, t ) i votuesit do të përmbajë edhe fitimin korruptiv  -f( k ), i cili paraqet koston që paguan secili votues për deputetin e korruptuar k.

Në zgjedhjet parlamentare demokratike çdo votues ka pasiguri për pjesëmarrjen në votime dhe për tipin  t  të votuesve të tjerë. Kjo pasiguri është madhësi e rastit dhe ndikon në rezultatet zgjedhore.

R. B. Myerson ( 2006 ) ka vërtetuar se pasiguria e bashkësisë së votuesve aktivë në zgjedhje parlamentare demokratike ka përafërsisht shpërndarje Poisson me parametër numrin e votuesve aktivë.
Dy kandidatë për deputetë j dhe k ( në të njëjtat zgjedhje parlamentare ) quhen të dallueshëm midis tyre nëqoftëse u( j, t ) ≠  u( k, t )  për të paktën një tip t votuesish. Pra, dy kandidatë mund të jenë të dallueshëm, ndonëse i përkasin së njëjtës parti politike dhe kanë të njëjtin nivel korrupsioni f( j ) = f( k ). Thuhet se ekziston garë e fortë zgjedhore ndërmjet kandidatëve  j  dhe  k  nëqoftëse njëri kandidat do të shpallet fitues në zgjedhje duke patur vetëm një votë më shumë se kandidati tjetër. Gara e fortë eshte ngjarje e rastit, në kuptimin e Teorisë së Probabilitetit. Probabiliteti i garës së fortë quhet << fuqi e votës >>. Koncepti i garës së fortë është shtrirë në rastin kur një numër tepër i vogël votash; përshembull, 10 ose 20 ose 50 ose 100 vota më shumë do ta shndërronin humbësin në fitues dhe po kaq vota më pak për fituesin në humbës.

James D. Hearon ( 1999 ) ka vërtetuar se rezultatet e zgjedhjeve parlamentare demokratike gjenerojnë situate të cilat janë ekuilibre Nash ose e kuilibre pasuese Kreps – Wilson. Këto ekuilibre mund të jenë të mira ose problematike ( me halle ) ose të këqia , në varësi nga numri i deputetëve të ndershëm. Gjithashtu këto ekuilibre mund të jenë të qëndrueshme ose të paqëndrueshme. Ekuilibret e këqia janë të korruptuara. Thuhet se kandidatët për deputetë  j dhe  k janë në garë serioze midis tyre nëqoftëse :
(a)    j  dhe  k janë të dallueshëm nga njëri – tjetri,

(b)   j  dhe  k jane në garë të fortë midis tyre me ndonjë probabilitet pozitiv.

Kandidati për deputet  k quhet serioz në ekuilibrin Nash ( ose Kreps – Wilson ) të zgjedhjeve parlamentare demokratike nëqoftëse ekziston ndonjë kandidat tjetër për deputet  j , i tillë që gara zgjedhore ndërmjet  j dhe  k të jetë serioze.

Vërejtje

Të qënit kandidat serioz nuk është njëlloj me të qënit kandidat fitues i mundshëm në zgjedhjet parlamentare demokratike.

Simboli P( k ) tregon probabilitetin e ngjarjes së rastit që kandidati për deputet  k të shpallet fitues në zgjedhjet parlamentare demokratike. Kandidati  k quhet i fortë nëqoftëse  P( k ) > 0 dhe i dobët nëqoftëse  P( k ) = 0. Kandidati  j quhet më i fortë se kandidati  k nëqoftëse  P( j ) > P( k ). Kandidati  j quhet fitues i mundshëm në zgjedhjet parlamentare nëqoftëse  P( j ) = 1. Sistemi zgjedhor quhet mazhoritar  nëqoftëse në cdo ekuilibër Nash ( ose Kreps – Wilson ) të zgjedhjeve parlamentare demokratike, me probabilitet të barabartë me 1, fituesi do të ketë grumbulluar jo më pak se 50% të votive të vlefshme.

Sistemi zgjedhor quhet efektiv kundër korrupsionit politik nëqoftëse në çdo ekuilibër Nash ( ose Kreps – Wilson ) të zgjedhjeve parlamentare demokratike nuk ekziston asnjë kandidat për deputet pozitivisht i korruptuar, i cili të jetë i fortë ose serioz.
Rezultat kryesor i këtij studimi është:

Teoremë 1 ( R. B. Myerson )

Supozohet se në zgjedhjet parlamentare demokratike përdoret votimi me aprovim. Supozohet se çdo ZAZ ka kandidatë të ndershëm. Vërtetohet se në rezultatet e këtyre zgjedhjeve nuk ekziston asnjë kandidat pozitivisht i korruptuar, i cili të jetë i fortë ose serioz. Gjithashtu, brenda një klase të gjerë sistemesh votimi të përdorura në zgjedhje parlamentare demokratike, votimi me aprovim është i vetmi që ka efektivitet kundër korrupsionit politik.

Vërejtje 1

Fillimisht Teorema 1 u vërtetua për dy parti politike dhe për katër parti politike pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare demokratike, pastaj u përgjithësua për numër të çfarëdoshëm të partive politike.

Vërejtje 2

Çfarë ndodh nëqoftëse me probabilitet të barabartë me 1 të gjithë kandidatët për deputetë janë të korruptuar ?

Një situatë e tillë quhet <<dështim i demokracisë>>. Ky dështim i demokracisë ndodh vetëm atëhere kur votuesit janë të pafuqishëm për të larguar nga pushteti,  me anën e zgjedhjeve parlamentare, politikanë të korruptuar; domethënë, atëherë kur persona të tillë mund të rizgjidhen deputetë ose të emërohen ministra. Zgjedhjet parlamentare të kryera në kë të situatë do të prodhojnë ekuilibre Nash ( ose Kreps – Wilson ) << të këqia >>, të cilat janë maksimalisht fitimprurëse për politikanët e korruptuar dhe maksimalisht të dëmshme për popullin. Ekuilibre të tilla nuk janë shkaktuar as nga diktatura e proletariatit e tipit marksist – leninist, as nga diktatura fashiste dhe as nga ndonjë grusht shteti ose puç ushtarak. Por, këto ekuilibre të këqia janë shkaktuar nga korrupsioni politik dhe mund të degjenerojnë në një situatë të neveritshme dhe shumë të rrezikshme, të cilën R. P. Myerson e ka quajtur “ tirani e korrupsionit ”.

Vërejtje 3

Në përputhje me terminologjinë shkencore të përdorur nga W. H. Riker, rregulli i shumicës është një kriter populist i votimit me aprovim, ndërsa efektiviteti kundër korrupsionit politik është një kriter liberal i sistemit të votimit. R. B. Myerson ka vërtetuar se votimi me aprovim është i vetmi sistem votimi i njohur deri më sot nga në shtet demokratike, i cili i kënaq të dy kriteret. Rezultai është ky:

Nëqoftëse në zgjedhjet parlamentare demokratike përdoret votimi me aprovim, nëqoftëse shumica dërrmuese e votuesve janë të ndershëm dhe nëqoftëse në çdo ZAZ ndodhet të paktën një kandidat i ndershëm për deputet atëherë, me siguri, (me probabilitet të barabartë me 1 ), fitues do të shpallet një kandidat i ndershëm.

Mangësi të sistemit proporcional të votimit në zgjedhje parlamentare demokratike.

Sistemi proporcional i votimit mund të jetë kombëtar ose rajonal, me lista të mbyllura ose të hapura. Në votimin proporcional me lista të mbyllura, listat e kandidatëve për deputetë të partive politike të ndryshme janë formuluar nga vetë këto parti me një renditje të caktuar dhe votohet për partitë politike. Në votimin proporcionl me lista të hapura, votohet për partitë politike dhe  njëkohësisht çdo votues shënon emrin e kandidatit më të preferuar prej tij.  Ky sistem votimi është përdorur në zgjedhje parlamentare në Gjermani, Spanjë, Itali, Greqi, Japoni, Brazil, Izrael, në Republikën Çeke, Danimarkë, Finlandë, Poloni, Sllovaki, Letoni, Kili, Peru, Zvicër, Uruguai, etj. Në zgjedhjet e Qershorit 2009 për Kuvendin e Shqipërisë u përdor sistemi i votimit proporcional rajonal me lista të mbyllura. Duke u bazuar në studime të kryera nga B. Ames ( 1995 ), P. Norris (1997 ), D. della Porta dhe A. Vannucci ( 1997 ), G. Cox dhe M. Thies ( 1998 ), S. Rose – Ackerman ( 1999 ), M. I. Balinski dhe H. P. Young ( 2001 ), M. Seligson ( 2002 ), T. Persson, G. Tabellini dhe F. Trebbi ( 2003 ), E. C. C. Chang ( 2005 ), J. Kunicova dhe S. Rose – Ackerman ( 2005 ), R. B. Myerson ( 2006 ), M. Tavits ( 2007 ), T. Hiroi ( 2009 ), V. Gollosov ( 2009 ), Gallagher ( 2010 ), A. Karpov ( 2010 ) etj, rezulton se sistemi proporcional i votimit ka mangësitë e mëposhtme:

1. Sistemi proporcional nuk ka efektivitet kundër korrupsionit politik të kandidatëve për deputetë. E. C. C. Chang ( 2005 ) dhe M. Tavits ( 2007 ) kanë argumentuar se votimi proporcional me lista të hapura nuk është efektiv kundër korrupsionit politik, ndërsa J. Kunicova dhe S. Rose – Ackerman ( 2005 ) kanë argumentuar pohimin analog për votimin proporcional me lista të mbyllura. Por, rezultati kryesor i takon R. B. Myerson ( 2006 ), i cili vërtetoi matematikisht se çdo metodë e votimit proporcional nuk është efektive kundër korrupsionit politik.

2. Sistemi proporcional prodhon disproporcionalisht gjatë konvertimit të numrit të votive të grumbulluara nga partitë politike në numër deputetësh. Qëllimi kryesor i sistemit proporcional është ndarja e numrit të përgjithshëm të deputetëve sipas partive politike në përpjestim të drejtë me numrin e votive të vlefshme të grumbulluara nga secila parti në zgjedhjet parlamentare. Në përgjithësi, ndarja proporcionale ideale (e saktë ) është e parealizueshme në praktikë për shkak se kolltuku parlamentar nuk mund të coptohet ndërmjet dy ose tre deputetëve. Prandaj, çdo metodë e sistemit proporcional ka disproporcionalitetin e vet korrespondues, i cili del në dritë gjatë konvertimit të numrit të votive në numër deputetësh.

Në fakt, janë përkufizuar matematikisht disa tregues të disproporcionalitetit të sistemit proporcional. Shkencëtarët amerikanë R. Taagepera dhe B. Grofman ( 2003 ) kanë studiuar një bashkësi me 19 tregues të disproporcionalitetit, të cilët janë përdorur në vlerësime të zgjedhjeve parlamentare në shtete të ndryshme të botës. Një tregues disproporcionaliteti shumë i rëndësishëm dhe i përdorur kudo në botë është treguesi Gallagher ( i propozuar nga shkencëtari i shquar irlandez Michael Gallagher në vitin 1991). Le të jenë: n numri i përgjithshëm i partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare demokratike në një shtet të caktuar dhe në një datë të caktuar, ( , , …., ) përqindja e votive të grumbulluara nga secila parti politike në këto zgjedhje dhe ( , , …., ) përqindja e deputetëve të secilës parti në parlamentin e formuar pas këtyre zgjedhjeve. Treguesi Gallagher i disproporcionalitetit llogaritet me formulën:

Tregues i disproporcionalitetit i merr vlerat e mundshme nga 0% ne 100%, ku IG = 0% tregon proporcionalitetin e pastër, ndërsa IG = 100% tregon disproporcionalitetin e skajshëm. Në kuptimin matematikor, IG është një shmangie mesatare kuadratike ( ose  – normë ) e shpërndarjes së përqindjes së votave të grumbulluara nga partitë në zgjedhjet parlamentare në lidhje me shpërndarjen e përqindjes së deputetëve të këtyre partive. Matematikanët e kuptojne qarte treguesin IG. Në tabelën 1 jepen rezultatet e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 për Kuvendin e Shqipërisë. Duke u bazuar në këto të dhëna, llogaritet terguesi Gallagher i disproporcionalitetit të sistemit proporcional rajonal të përdorur në këto zgjedhje parlamentare: IG = 7.6%. Por, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 në Shqipëri, treguesi Gallagher ishte IG = 30.2%.

Sipas një studimi të publikuar më 7 shtator 2010 nga një grup shkencëtarësh nga e gjithë bota, nën drejtimin e Prof. M. Gallagher dhe Prof. P. Mitchell, kanë rezultuar vlerat e mëposhtme të treguesit të disproporcionalitetit në disa shtete të botës: Austria ( v. 2008 ) IG = 2.9%, Belgjika ( v. 2006 ) IG = 3.8%, Brazili (v. 2006 ) IG = 3%, Bullgaria (v. 2009 ) IG = 7%, Kanadaja ( v. 2008 ) IG = 10.1%, Kroacia ( 2007 ) IG = 7.6%, Çekia ( v.2010 ) IG = 8.8%, Danimarka ( v.2007 ) IG = 0.7%, Estonia ( 2007 ) IG = 3.4%, Finlanda ( v.2007 ) IG = 3.2%, Franca ( 2007 ) IG = 13.6%, Gjermania ( 2009 ) IG = 3.4%, Greqia ( 2009 ) IG = 7.3%, Hungaria ( 2010 ) IG = 11.7%, India ( 2009 ) IG = 7.8%, Irlanda ( 2007 ) IG = 5.9%, Izraeli ( 2009 ) IG = 1.6%, Italia ( 2008 ) IG = 5.7%, Japonia ( 2009 ) IG = 15.1%, Malta ( 2008 ) IG = 1.4%, Mali I Zi ( 2009 ) IG = 6.6%, Hollanda ( 2010 ) IG = 0.8%, Norvegjia ( 2009 ) IG = 3%, Polonia ( 2007 ) IG = 4.7%, Rumania ( 2008 ) IG = 3.2%, Rusia ( 2007 ) IG = 4.3%, Serbia ( 2008 ) IG = 1.5%, Sllovenia ( 2008 ) IG = 3.9%, Spanja ( 2008 ) IG = 4.5%, Suedia ( 2006 ) IG = 3%, Zvicra ( 2007 ) IG = 2.6%, Turqia ( 2007 ) IG = 11.8%, Ukraina ( 2007 ) IG = 3.6%, Anglia ( 2010 ) IG = 15.1%, Amerika ( 2008 ) IG = 4%, Uruguai ( 2009 ) IG = 1.1%, Zelanda e Re ( 2008 ) IG = 3.8%. Një tregues tjetër i rëndësishëm i disproporcionalitetit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare është “numri efektiv i partive politike”. Ky koncept u përkufizua në vitin 1979 nga shkencëtarët amerikanë Markku Laakso dhe Rein Taagepera, në analogji me <<Herfindahl – Hirschman Index>>, i cili është një koncept ekonomik i zbatuar gjerësisht në ligjin e konkurencës, në ligjin antitrust dhe në menaxhimin e teknologjisë. Numri efektiv i partive politike në zgjedhje parlamentare demokratike ( sipas Laakso dhe Taagepera ) llogaritet me formulën:

ku ( , , …., ) tregon shpërndarjen e përqindjeve të deputetëve të partive politike në parlament. Një formulë tjetër ( më e mirë ) për llogaritjen e numrit efektiv të partive politike u propozua në vitin 2010 nga shkencëtari rus Grigori V. Golosov:

ku n tregon numrin e partive politike në parlament,  tregon përqindjen e deputetëve të partisë më të madhe në parlament, ndërsa  tregon përqindjen e deputetëve të partisë së k – të. ENP është numri i partive politike parlamentare, të cilat realisht konkurojnë ose bashkëveprojnë në parlament. ENP ndikon në artin ( ose shkencën ) e formimit të koalicioneve, në jetëgjatësinë e tyre, në formimin dhe funksionimin e qeverisë. Rritja e numrit efektiv të partive politike vlerësohet si një shenjë e demokratizimit, e lidhur ngushtë me rritjen e kompleksitetit ( në kuptimin e A. N. Kolmogorovit ) të marrëveshjeve të mundshme për formimin e koalicioneve partiake ose të qeverive. Prandaj, ENP është sot një parametër i rëndësishëm në Teorinë e Sistemeve të Partive Politike dhe në Teorinë Moderne të Demokracisë.
 
Tabela 1. Përmbledhje e rezultateve të zgjedhjeve të 28 Qershorit 2009 për Kuvendin e Shqiperisë.



Duke u bazuar në tabelën 1, llogaritet numri efektiv i partive politike në Kuvendin e Shqipërisë që rezultoi pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009 : me formulën Laakso – Taagepera ENP = 2.21, ndërsa me formulën Golosov ENP = 2.15. Duke patur parasysh se në këto zgjedhje parlamentare morën pjesë 35 parti politike, ndërsa në Kuvendin e Shqipërisë ka deputetë vetëm nga 6 parti politike, evidentohet qartë disproporcionaliteti i theksuar që ekziston ndërmjet numrit 35 të partive pjesëmarrëse në zgjedhje, numrit 6 të partive parlamentare dhe numrit efektiv 2.21 ( ose 2.15 ) të partive politike. Ky disproporcionalitet u shkaktua edhe nga sistemi i votimit proporcional rajonal me lista partiake të mbyllura që u përdor në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 për Kuvendin e Shqipërisë.

Për konkretizim të ideve ose të rezultateve, më poshtë jepen disa të dhëna të freskëta për numrin efektiv të partive politike në shtete të ndryshme: Argjentina ENP = 6.49, Australia ENP = 2.47, Austria ENP = 4.24, Belgjika ENP = 8.42, Brazili ENP = 9.32, Bullgaria ENP = 3.34, Kanadaja ENP = 3.15, Kroacia ENP = 3.07, Çekia ENP = 4.51, Danimarka ENP = 5.33,
Estonia ENP = 4.37, Finlanda ENP = 5.13, Gjermania ENP = 4.83, Greqia ENP = 2.59, Hungaria ENP = 2, Irlanda ENP = 3.03,
 
Izraeli ENP = 6.77, Italia ENP = 3.07, Japonia ENP = 2.10, Lituania ENP = 5.78, Maqedonia ENP = 4.06, Meksika ENP = 2.75, Mali i Zi ENP = 2.47, Hollanda ENP = 6.74, Norvegjia ENP = 4.07, Polonia ENP = 2.82, Portugalia ENP = 3.13, Rumania ENP = 3.60, Rusia ENP = 1.92, Skocia ENP = 3.41, Sërbia ENP = 3.48, Sllovakia ENP =  4.01, Sllovenia ENP = 4.23, Spanja ENP = 2.36, Suedia ENP = 4.15, Zvicra ENP = 4.97, Turqia ENP = 2.25, Ukraina ENP = 3.30, Anglia ENP = 2.57, Amerika ENP = 1.94, Uruguai ENP = 2.65.
3.  Sistemi proporcional mund të gjenerojë rezultate zgjedhore të kontestueshme ( të papajtueshme me Teorinë Moderne të Votimit në Demokraci ).

4. Sistemi propocional mund të favorizojë votimin strategjik ( votim taktik ose të pasinqertë).

5. Në votimin proporcional me lista të mbyllura, votuesit nuk mund të zgjedhin kandidatin e preferuar sepse renditja e kandidatëve për deputetë është caktuar paraprakisht nga kryetari i partisë. Kjo gjë u jep mundësi kryetarëve të partive politike të vendosin në krye të listave favorite e tyre dhe në fund të listave persona me të cilët kanë pasur mosmarrëveshje ose inate të vjetra apo konkurrenca. Pra, kryetari i partisë mund të bëhet shumë i fuqishëm dhe dobësohet demokracia brenda partisë.  Lista e hartuar nga kryetari i partisë mund të kontestohet nga një pjesë e votuesve dhe mund të shkaktojë depolitizim të mëtejshëm ( sidomos të moshave të reja ). Gjithashtu, mund të zvogëlohet pjesëmarrja në votime.

6. Për sistemin e votimit proporcional është i vërtetë paradoksi i stabilitetit i S. Rose – Ackerman : << Si pasiguria e lartë ashtu dhe siguria e lartë për tu shpallur fitues në zgjedhjet parlamentare është shtysë që disa kandidatë për deputetë të korruptohen gjatë fushatës zgjedhore ose pas zgjedhjeve >>.

7. Shkencëtarët M. L. Balinski dhe H. P. Young kanë vërtetuar në vitin 1979 se nuk ekziston asnjë sistem proporcional votimi që të kënaqë njëkohësisht kushtin e monotonisë, kushtin e konsistencës ( vijueshmërise logjike ) dhe kushtin e kuotës.

· Kushti i monotonisë ne lidhje me numrin e deputetëve: Nëqoftëse zmadhohet numri i deputetëve që ka gjithsej parlamenti, atëhere nuk duhet të zvogëlohet numri i deputetëve të çdo partie politike pjesëmarrëse në parlament.

· Kushti i monotonisë në lidhje me numrin e votave: Nëqoftëse, ne shkallë kombëtare, partia A ka grumbulluar më shumë vota se partia B, atëhere numri i deputetëve të partisë A nuk duhet të jetë më i vogël se numri i deputetëve të partisë B.

· Kushti i konsistencës: Trajtim i barabartë i të gjitha partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare. Ky kusht nënkupton edhe trajtimin e barabartë të partive të mëdha me partitë e vogla.

· Kushti i kuotës: Numri i deputetëve të çdo partie politike nuk duhet të ndryshojë nga numri i deputetëve i llogaritur sipas kuotës me më shumë se një deputet. Shkencëtari rus Aleksandër Karpov e përgjithësoi në vitin 2010 teoremën e pamundësisë të Balinski – Young duke future një kusht neutraliteti të votimit proporcional. Në fakt, si teorema Balinski – Young ashtu edhe teorema Karpov shprehin matematikisht pamundësinë e votimit proporcional për të qenë një sistem votimi i ndershëm ( në kuptimin që të kënaqen 5 aksiomat e formuluara nga nobelisti amerikan Kenneth Arrow për ndershmërinë e sistemeve të votimit. Këto aksioma janë: universaliteti, shoqerimi pozitiv i vlerave të individit, pavarësia nga alternative qe nuk kanë lidhje me çështjen, sovraniteti i qytetarit dhe sistemi i votimit nuk duhet të jetë diktatorial ). Nga ana tjetër, ndershmëria maksimale e sistemit proporcional konsiston në faktin se ky sistem votimi kënaq vetëm 4 nga 5 aksiomat e K. Arrow, duke këmbëngulur që votimi proporcional të mos jetë diktatorial, sepse ne shqyrtojmë shtete demokratike. Në një këndvështrim tjetër, ndershmëria maksimale e sistemit proporcional del në dritë në teoremën e pamundësisë e A. Karpov, ku vërtetohet se ky sistem votimi kënaq maksimalisht 8 aksioma nga gjithsej 11 aksioma të formuluara nga A. Karpov. Konkretisht, në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 për Kuvendin e Shqipërisë u përdor votimi proporcional rajonal me lista partiake të mbyllura. Ky sistem votimi nuk kënaqi kushtin e monotonisë në lidhje me numrin e votave dhe kushtin e kuotës. Partia Demokratike grumbulloi gjithsej 610463 vota të vlershme dhe siguroi 68 deputetë, ndërsa Partia Socialiste grumbulloi gjithsej 620586 vota të vlershme dhe siguroi 65 deputetë. Numri i përgjithshëm i votave të vlershmë ishin 1519176. Pra, kuota zgjedhore Hare rezultoi

1519176 : 140  ≈ 10851.257
610463 : 10851.257 = 56.257
620586 : 10851.257 = 57.19

Pra, sipas kuotës Hare, PD i takonin 56 ose 57 deputetë, ndërsa PS i takonin 57 ose 58 deputetë.

Përfundime

Votimi me aprovim funksionon në këtë mënyrë: Çdo votues mund të votojë për të aprovuar ( me anën e dhënies së votës ) aq kandidatë sa ai dëshiron: asnjë, një, dy, …, të gjithë kandidatët. Secili votues mund ti japë çdo kandidati jo më shumë se një votë. Në votimin me aprovim nuk kërkohet që votuesi të tregojë se cili është kandidati më i preferuar i tij, cili është kandidati i dytë më i preferuar i tij, e kështu me radhë. Përparësia kryesore e votimit me aprovim ndaj të gjitha sistemeve të votimit të përdorura deri sot në zgjedhje parlamentare demokratike kudo në botë është se votimi me aprovim ka efektivitet të lartë kundër korrupsionit politik dhe se votimi me aprovim është i vetmi sistem votimi efektiv kundër korrupsionit politik.

Ky rezultat shkencor është vërtetuar nga R. B. Myerson në vitin 2006, ndërsa modeli matematik i fitimit korruptiv të politikanit u zhvillua nga unë. Konkretisht, nëqoftëse në zgjedhjet e vitit 2013 për Kuvendin e Shqipërisë do të zbatohet votimi me aprovim dhe nëqoftëse nuk do të bëhen hile zgjedhore, atëhere do të zvogëlohet së tepërmi korrupsioni politik në bashkësinë e deputetëve të ardhshëm. Me probabilitet të barabartë me një, asnjë kandidat fitues në këto zgjedhje parlamentare nuk do të jetë i korruptuar. Prandaj, politikanët e korruptuar nuk e duan votimin me aprovim sepse përdorimi i këtij sistemi votimi në zgjedhjet parlamentare do të shoqërohet me riskun e humbjes së pushtetit. E thënë pak ndryshe, nga zbatimi i votimit me aprovim në zgjedhjet parlamentare demokratike, politikanëve të korruptuar do u vijë koka vërdallë. Në këtë mënyrë, përdorimi i votimit me aprovim do të ndryshojë perceptimin e popullit tonë për korrupsionin politik << nga një veprimtari me rrezik të vogël dhe më fitim të madh në një veprimtari me rrezik të madh dhe me një humbje pothuajse të sigurt>>.

Pra, me kalimin e kohës korrupsioni politik do të zvogëlohet ndjeshëm. Disa përparësi të tjera të votimit me aprovim, në krahasim me atë proporcional ose mazhoritar, do të shpjegohen shkurtimisht. Votimi me aprovim është votim me konsesus ( me mirëkuptim ). Nëqoftëse votuesi nuk ka preferncë të fortë për ndonjë kandidat për deputet, ai mund të shpreh pëlqimin e tij duke votuar pro të gjithë kandidatëve qe ai i vlerëson të pranueshëm. Gjithashtu, nëqoftëse kandidati më i preferuar i votuesit ka probabilitet të vogël për tu shpallur fitues në zgjedhjet, ai mund të votojë si për këtë kandidatin më të preferuar ashtu edhe për kandidatë të tjerë të pranueshëm dhe relativisht të fortë, pa u shqetësuar aspak se vota e tij për kandidatin më të preferuar mund të shkojë kot ose të jetë e padobishme. Shkencëtari amerikan Arend Lijphart ka formuluar parimin e mirënjohur:

<< Demokracia me konsesus është më e mira>>.  Votimi me aprovim e kënaq parimin Lijphart. Votimi me aprovim është i thjeshtë për tu kuptuar nga votuesit dhe zbatohet me lehtësi në praktikë. Votimi me aprovim nxit votuesin të jetë i sinqertë ; domethënë; votuesi do të aprovojë të gjithë kandidatët për deputetë të cilët ai i rendit mbi një kandidat të pranueshëm. Nga ana tjetër, votimi me aprovim nuk mënjanon pasiguritë strategjike të votuesit. Meqënëse aprovimi nga votuesi i një kandidati më pak të preferuar për të mund të dëmtojë ( pezmatojë )një ose disa kandidatë më të preferuar të tij, votuesi do të përballet me një pasiguri në marrjen e vendimit se në cilin pozicion duhet të vendosë vijën ndarëse ndërmjet kandidatëve të pranueshëm dhe të papranueshëm prej tij. Pra, votuesi do të përballet pashmangshmërisht me një pasiguri strategjike në proçesin e vendimmarrjes për këtë vijë ndarëse. Në këtë mënyrë nis dhe evoluon pasiguria e votuesit brenda vetes. Gjithashtu, votuesi ka edhe një pasiguri tjetër, “pasiguri të jashtmë”, në lidhje me pjesëmarrjen në votime dhe me preferncat individuale të votuesve të tjerë. Prandaj, pasiguria e çdo votuesi i përmban si pasigurinë e brendshme ashtu edhe atë të jashtme. R. B. Myerson, duke analizuar matematikisht pasigurinë e çdo votuesi aktiv, vërtetoi se kjo pasiguri është madhësi e rastit diskrete me shpërndarje Poisson, me parametër numrin e votuesve.

Ky rezultat luajti rol të rëndësishëm për të provuar se votimi me aprovim është efektiv kundër korrupsionit politik. Votimi me aprovim e shpall kandidatin fitues duke u bazuar jo vetëm në suportimin më të gjerë të kandidatëve, por edhe ne preferncat dytësore ose tretësore të votuesve për kandidatët. Votimi me aprovim mundëson fuqi shprehëse të preferencave individuale të votuesve për kandidatët. Nëqoftëse fleta e votimit ka n kandidatë, atëhere çdo votues aktiv mund të shpreh preferncat vetiake për këta kandidatë në    mënyra të ndryshme. Përshembull, nëqoftëse fleta e votimit ka 5 emra kandidatësh, çdo votues mund të shpreh preferncat vetiake për këta kandidatë në  = 32 mënyra të ndryshme. Votimi me aprovim zvogëlon së tepërmi proçesin e pamoralshëm të blerjes së votës. Gjatë viteve të fundit, në Amerikë janë zhvilluar disa eksperimente me votimin me aprovim dhe ka rezultuar se mesatarisht 4% e votuesve i kanë aprovuar të gjithë kandidatët. Është diçka ironike që, në votimin me aprovim, ndikimi në rezultatin zgjedhor i çdo votuesi që i aprovon të gjithë kandidatët për deputetë është i njëjtë me ndikimin e çdo votuesi tjetër i cili nuk aprovon asnjë kandidat.

Pra, votimi me aprovim, ashtu sikurse çdo sistem votimi tjetër, nuk është tërësisht i mbrojtur nga kundërshtimet ose nga paradokset. Sistemi proporcional i votimit ( në veçanti, sistemi proporcional rajonal me lista partiake të mbyllyra I cili u përdor në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 për Kuvendin e Shqipërisë ) ka dy mangësi serioze: nuk është efektiv kundër korrupsionit politik dhe prodhon disproporcionalitete gjatë konvertimit të numërimit të votive në numër deputetësh. Përdorimi i sistemit proporcional rajonal me lista të mbyllura mund të prodhojë garë të forte ndërmjet dy partive politike kryesore ( konkretisht, ndërmjet PD dhe PS ), ndërsa gara e forte mund të prodhojë rezultate të kontestueshme dhe ngërç poliltik. Zgjidhja e ngërçit politik realizohet duke përdorur kriterin e rreptë të sjelljes racionale të liderëve politikë. Kjo do të thotë se liderët politikë duhet të vënë intersein mbarëkombëtar mbi interesin personal ose partiak dhe se ata duhet të pajisen me ekipe ekspertësh ( veçanërisht matematikanësh ) për të gjetur zgjidhjet më të mira të ngërçit politik me metoda matematikore bashkëkohore. Gjithashtu, sistemi i votimit proporcional rajonal me lista të mbyllura ka gjeneruar disproporcionalitet.

Ne kemi analizuar vetëm dy prej tyre: treguesin Gallagher ( GI ) dhe numrin efektiv të partive politike ( ENP ), duke i krahasuar me shtete të tjera. Pohimi i mëposhtëm nxjerr në dritë një të vërtetë për krahasimin e votimit me aprovim me sistemin proporcional ( kombëtar ose rajonal, me lista partiake të mbyllura ose të hapura ) të përdorura në zgjedhje parlamentare demokratike: Nëqoftëse në proçesin zgjedhor marrin pjesë më shumë se dy kandidatë ose parti politike,  atëhere votimi me aprovim është më i mirë se sistemi proporcional, në kuptimin e efektivitetit kundër korrupsionit politik dhe të parimit të qeverisjes me konsensus ( mirëkuptim ). Votimi me aprovim është përdorur për zgjedhjen e Papës dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, të cilët janë dy personalitet ndërkombëtare shumë të larta. Votimi me aprovim nuk është perdorur deri sot në zgjedhjet parlamentare demokratike në asnjë shtet të botës, ndonëse votimi me aprovim është i vetmi sistem votimi i njohur deri sot, i cili ka efektivitet kundër korrupsionit politik! Në menyrë të natyrshme lind pyetja: Pse ka ndoshur kështu? Sistemi i votimit efektiv kundër korrupsionit politik është i mirë për votuesit dhe politikanët e ndershëm, por është i keq për politikanët e korruptuar dhe bashkëpunëtorët e tyre.
 
Për aq kohë sa ne do të pranojmë se ka politikanë të korruptuar, përmirësimi i sistemit të votimit në kuptimin e zhvillimit të konkurencës politike në zgjedhjet parlamentare dhe i orientuar kundër korrupsionit politik (përshembull, zëvendësimi i sistemit zgjedhor proporcional rajonal me lista partiake të mbyllura me votimin me aprovim ) nuk do të jetë në interes të politikanëve të korruptuar dhe do të pengohet ose kundërshtohet prej tyre në mënyra të ndryshme.

Nëqoftëse masa e votuesve nuk do të kuptojë qartë se sisteme votimi të ndryshme kanë ndikime të ndryshme në konkurencën zgjedhore ndërmjet partive politike dhe kanë efektivitet të ndryshëm kundër korrupsionit politik, atëhere politikanët e korruptuar do të përpiqen me çdo mënyrë që në zgjedhjet parlamentare demokratike të përdoren sisteme votimi pa konkurencë politike të fortë dhe me efektivitet të ulët kundër korrupsionit politik. Unë shpresoj se votuesit shqipëtarë do të kuptojnë se vetëm votimi me aprovim është efektiv kundër korrupsionit politik dhe ka shkallë të lartë mirëkuptimi shoqëror.
 
Nëqoftëse votimi me aprovim do të zbatohet në zgjedhjet e vitit 2013 per Kuvendin e Shqipërisë, atëhere Republika e Shqipërisë do të jetë shteti demokratik i parë në botë që do të përdorë votimin me aprovim në zgjedhjet parlamentare. Kjo gjë do të ndikojë pozitivisht edhe në përshpejtimin e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në këtë mënyrë, votuesit shqiptarë do të përballen me sukses me sfidën e R. P. Myerson: <<Është ngjarje pothuajse e sigurt që, në shtetet demokratike bashkëkohore, korrupsioni politik do të zvogëlohet vazhdimisht dhe me ritme të shpejta. >>

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama