Do të ishte padyshim më dinjitoze për të sikur të kishte reaguar një kritik, një anëtar jurie nga Ministria e Arsimit, apo qoftë edhe një shkrimtar për fëmijë, i cili mund të sillte argumente pro tij. Kjo ndoshta do ta bënte edhe më profesionale replikën e do të më shtynte të shpjegoja qëndrimin tim etik dhe estetik për gjithë librat e tij. Por ideja që në mbrojtje të librave të tij ka dalë vetë Canosinaj, do të thotë që autori e konsideron letërsinë si një lajm, që mund ta përgënjeshtrosh, apo një fakt, ku mund të sqarosh se cila është e vërteta. Pra, fatkeqësisht rezulton se autori jo vetëm që nuk ka stil në të shkruarit e letërsisë (për të cilën nuk e akuzon dot se aq talent i ka falur Zoti), por edhe në të kuptuarit e saj, duke më bërë të dyshoj edhe në aftësitë e tij si lexues. Canosinaj e shton amatorizmin e tij teksa merr
si argument në mbrojtje të letërsisë së tij klikimet në internet, pjesëmarrjet në festivalet e librit – tamam si një këngëtar rrepi, që kërkon të bëjë për vete të rinjtë pasditeve në pub-e. (Sikur të ishte argument klikimi në internet sot do të ishte autoriteti më i madh në botë, Xhenifer Lopez që u klikua në rekord, mbi 1 miliard klikime, për t’i parë fundshpinën, që e siguroi me gjysmë milioni dollarë në kompani sigurimesh!!!!!).
Por le të kthehemi te një argument kryesor, te çështja e vlerave të librit të Canosinajt, që ishte edhe meraku i vetëm në atë shkrim. Jo se nuk kishte autorë të tjerë për t’u diskutuar për shkak të vlerave të çaluara që përçojnë në shkollat tona. Por Canosinaj kthehet në një problem më emergjent për faktin se në shumë shkolla në vend shiten librat e tij, të sugjeruar nga mësuesit si tekst për t’u lexuar. Për të gjithë ju që mund të bëheni kuriozë të zanafillës së këtij debati, po ju sjell në vëmendje vetëm një fabul, të librit “Meriyll”, me të cilin edhe autori krenohet më shumë se është lexuar, madje është luajtur edhe në një teatër nga gjimnazistët në Kuçovë. Në libër, autori tenton të trajtojë fatin e një vajze 13-vjeçare, që i ka vdekur e ëma, që e ka të atin pijanec dhe se vetëm dashuria për një djalë e shpëton atë nga trafikimi… Nga ana artistike, libri lë për të dëshiruar, për shkak të një gjuhe të ndërmjetme, figuracioni aspak fëminor, ku psikologjia e të folurit shpesh nuk i korrespondon pafajësisë së kësaj moshe, ose ëndërrimit. Ndërsa nga ana konceptuale, autori ndërton një fabul në regres të ëndërrimit, të idealizimit për të arritur më të bukurën dhe të mirën- që është edhe A-ja dhe Zh-ja e një moshe të tillë, pavarësisht gjendjes ekonomike apo emocional-psikologjike që mund të vijnë këta fëmijë. Por autori ka përdorur përshkallëzimin tragjik, nga vdekja e së ëmës, te jeta e trazuar me të atin pijanec, e deri te zgjidhja përmes dashurisë për një djalë që mund ta shpëtojë nga trafikimi, domethënë nga prostitucioni!!! Nuk di se sa prindër me fëmijë në këtë moshë do të ishin të gatshëm të diskutonin këtë zgjidhje me fëmijët e tyre, me vajzat e tyre, a thua se dashuria dhe ideja e martesës nga qenkan zgjidhja. Absurde, sepse është koha kur të paktën çdonjëri ka mundësinë të besojë se do të mundet të jetë dikushi, të besojë se do ta pranojnë siç është, se do ta duan….
U mora me këtë libër për faktin se edhe autori e veçonte nga veprat e tjera. Nuk dua të imagjinoj për titujt e tjerë edhe pse disa prej tyre i kam shfletuar. Por librat dhe sidomos këmbëngulja e Canosinajt në këtë rast për të mbrojtur letërsinë që e menaxhon vetë duhet të kthehen në një objekt studimi të gjerë, për shkak të përhapjes së madhe në shkolla, duke krijuar një ide jo shumë pozitive për letërsinë. Një analizë në fakt nga studiuesit e letërsisë do të ishte e dobishme edhe për vetë autorin, për të mos e lënë këtë të fundit të botojë çdo gjë që shkruan. Sepse jo çdo gjë që shkruajmë është letërsi. E kur mungesa e letrares detyrohet në shkolla, kjo kthehet në një keqedukuese shijesh, jo vetëm estetike, por edhe etike.
Letërsia flet, sugjeron, ndërton ëndrra, të shtyn të shikosh brenda vetes, të rishikosh hapat e tu. Nëse nuk bën këtë gjë, atëherë nuk mund të jetë e tillë, do të jetë dekorim dhe jo letërsi. Mirëpo, nëse flasim keq, nëse sugjerojmë gabim, nëse nuk shohim asgjë brenda vetes sonë, nëse nuk na bënë të ëndërrojmë, atëherë çfarë mund të ndodhë? Canosinaj nuk duhet ta mendojë kaq të lehtë përgjigjen, as si cinik, e as si i habitur, pasi nuk ka të bëjë me Canosinjan si njeri, por me Canosinajn që flet si shkrimtar.
*Doktorant në Studimet Letrare