Cipi Aktoret e Komedise kontrate me afat

Cipi: Aktoret e Komedise, kontrate me afat
Teatri më i ri përgatitet për të pritur publikun. Premiera që ngre siparin: “XXL TV”, një vepër nga Çapaliku, për raportet teatër-televizion

Kështu e ka justifikuar mungesën e tij në të parën konferencë për shtyp të institucionit-foshnjë, drejtori i Teatrit Kombëtar të Komedisë, Kastriot Çipi. Dje, në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar, e cila tashmë do të jetë në funksion të Teatrit të Komedisë, regjisori dhe aktorët e premierës së parë në këtë skenë dhanë një konferencë për shtyp. Ishte takimi i parë për mediat dhe të dyja palët, si ata në panel dhe ata nën të, ishin të papërgatitur për t’u përballur me njëri-tjetrin. Me gjithë harenë e një vepre të re, aq më tepër kur ajo është edhe e para e që do të mbahet mend gjatë, pasi do të shënohet në historinë e institucionit, mediat kishin nevojë për një takim me drejtuesin e këtij teatri, për të mësuar se si do të funksionojë ky institucion. Pas konferencës për shfaqjen, e cila tashmë po zhvillon provat e tavolinës dhe ka lidhje pikërisht me mediat, me mënyrën se si e vërteta përthyet brenda redaksive e studiove, drejtori Çipi u tregua i gatshëm të sqarojë gjithçka në lidhje me strukturën dhe funksionimin e TKK-së, ndonëse nuk e kishte parashikuar këtë takim mediatik. “Puna ime është larg skenës për skenën”, tha ai.

Ndërsa sot u prezantua premiera e parë e Teatrit të Komedisë, ende nuk e dimë se cila është struktura e këtij institucioni, do të ketë një trupë permanente?

Në bazë të strukturës që ka prej 21 personash, Teatri Kombëtar i Komedisë ka një fond page për 7 aktorë. Them fond page dhe jo vende pune, sepse këtu ka gjithmonë keqkuptime. Vendi i punës në Shqipëri nënkupton emërim të përjetshëm. Në bazë të Kodit të Punës, të gjitha emërimet duhet të bëhen me kontratë, që parashikon kontratë prove 1-3 muaj, deri në kontratë me afat të pacaktuar. Përgjithësisht në teatrot shqiptarë kontratat janë me afat të pacaktuar dhe këto janë ato që interpretohen në zhargonin e përditshëm si emërime, që është një keqkuptim, ose keqinterpretim.

Cili është rasti i Teatrit të Komedisë?

Në Teatrin Kombëtar të Komedisë punësimi do të jetë mbi bazën e kontratave me afat, që do të thotë që aktori, regjisori, skenografi, gjithkush që jep kontributin e vet, paguhet për aq kohë sa teatri ka nevojë për kontributin e tij. Në momentin që palët nuk kanë më se çfarë t’i japin njëri-tjetrit, kontrata zgjidhet. Natyrisht, kur bashkëpunimi rezulton i suksesshëm, kur publiku ka nevojë që një shfaqje ta ketë në repertor, kjo kontratë zgjatet. Gjithashtu Teatri i Komedisë, në bazë të ligjit, është i lejuar të ketë edhe aktorë me honorarë, veç atyre që marrin rrogë. Në rastin konkret, duke marrë si shembull premierën e parë “XXL TV”, janë katër aktorë me rrogë dhe tre aktorë që janë me honorarë, sepse marrin një rrogë në shtet dhe është e pamundur t’i paguash 2 herë njerëzit në shtet.

Cili është afati i këtyre kontratave?

Këto kontrata janë 6-mujore. Ndërkohë që me hapjen e buxhetit të vitit 2012 do të shihen strategjitë, do të zgjaten kontratat, ose do të ketë rritje të pagave, pasi presim një barazim të pagave me Teatrin Kombëtar.

Si janë përzgjedhur pjesët?

Përzgjedhja e pjesëve është kompetencë e ekskluzivitet i bordit, ndërkohë që mbi bazën e ligjit që ka hyrë në fuqi qysh një vit më parë, bordi është vendimmarrës, nuk është këshillimor dhe drejtori nuk ka të drejtë vote.

Cilët janë anëtarët e bordit?

Momentalisht kemi 6 anëtarë në bord, sepse njëri prej tyre, Stefan Çapaliku, dha dorëheqjen, në momentin që paraqiti një pjesë si autor, ndonëse ligji shprehimisht nuk e ndalon. Megjithatë ne të gjithë vendosëm që do të ishte më mirë për dinjitetin e Teatrit Kombëtar të Komedisë që të mos ketë përzierje të kësaj natyre. Pra, mandati i tij është i mbyllur. Ende nuk e kemi zëvendësuar, dhe 6 anëtarët e tjerë janë regjisori dhe autori Mihal Luarasi, regjisori dhe pedagogu Milto Kutali, Elvi Fundo në cilësinë e përfaqësuesit të Ministrisë së Financave, Zef Bushati, aktor, në këtë rast përfaqësues i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si këshilltar i Ministrit Aldo Bumçi, aktorët Suela Konjari dhe Gulielm Radoja.

Sa premiera do të ketë ky sezon?

Për arsye që nuk vareshin nga ne, e filluam aktivitetin tonë në mesin e sezonit. Kemi të miratuara tre komedi shqiptare, që do të vihen në skenë gjatë këtij sezoni, duke filluar me “XXL” që është brenda këtij viti kalendarik dhe dy veprat e tjera (“Pengu” nga Ilir Bezhani dhe “Dashuri e harruar” nga Erion Kame) që janë në pranverën e ardhshme. Synimi im është të kemi edhe dy premiera të tjera, për të cilat ende jam i paqartë se të ç’natyre do të jenë. Do të jenë të huaja, por ende nuk mund të them për autorët, apo regjisorët.

Është shpallur konkurs?

Po, janë zgjedhur me konkurs, ndërsa për dy premierat e huaja, ende nuk e kemi shpallur konkursin.

Komedia “XXL TV”, teatri në kuzhinën e televizioneve

Teatri ka qenë gjithnjë në fokusin e mediave. Ata mund të futen në prapaskenat e tij, të ndjekë emocionet e aktorëve, ndërsa teatri asnjëherë më parë nuk ka hyrë në paskuintat televizive. Pikërisht këtë tenton të bëjë “XXL TV”, vepra e parë që do të përurojë Teatrin Kombëtar të Komedisë. Është një vepër me autor dramaturgun Stefan Çapaliku, me regji të vetë atij dhe Naum Shundit. Sipas Çapalikut, kësaj here teatri hyn në studiot e një televizioni, atje ku përpunohet realiteti. “Raporti Teatër vs televizion ka qenë gjithnjë shqetësues, sepse ka një dominancë të medias. Ne jemi nën presionin dhe informimin e saj. Teatri ka qenë gjithnjë i hapur ndaj medias, ndërsa teatri (si medium) nuk ka pasur mundësi të hyjë në kuzhinën e mediave”, tha Çapaliku, teksa shton se nuk bëhet fjalë për një komedi tradicionale, por për një linjë në teh të tragjedisë dhe komedisë. Ngjarjet e veprës zhvillohen në studion e një stacioni televiziv, që ndodhet i vendosur në katin e dytë të një ndërtese në qendër të qytetit, mbi Bankën Kombëtare. Sipas autorëve, “XXL TV” i kushtohet realitetit mediatik shqiptar në veçanti dhe atij global në përgjithësi. Ajo merret me mënyrat e manipulimit të së vërtetës, me karakterin ordiner të imazhit dhe mesazhit televiziv. Në qendër të estetikës së saj është vendosja përballë e teatrit si demaskues i televizionit.

Studioja televizive vjen dhe bëhet fushëbeteja dramatike e njerëzve fare të zakontë, si ne dhe të ngjashëm me ne, që kanë hallet dhe problemet e veta ekzistenciale.

Fabio Volo sjell “Koha që do të doja”

“Do t’i këmbeja të gjitha të nesërmet e mia me një të djeshme të vetme”, këndon Janis Joplin. “Ndoshta pikërisht kjo është koha që do të doja”. Pikërisht kështu titullohet romani më i ri i shkrimtarit italian Fabio Volo. “Koha që do të doja” vjen për lexuesin shqiptar nën përkthimin e Adrian Beshajt, nga shtëpia botuese “Dudaj”. Flitet për Lorencon, i cili nuk di të dashurojë ose thjesht nuk di ta shfaqë dashurinë. Për këtë arsye gjendet përballë dy dashurive të vështira që duhet t’i fitojë, që duhet t’i rindërtojë: me një baba që ndoshta nuk ka ekzistuar kurrë dhe me një të dashur që ka ikur. Ndoshta të rritesh do të thotë të mësosh të dashurosh dhe të falësh, të bësh një kërkim të gjatë për kohën që kemi humbur dhe që nuk e kemi më. Është rrugëtimi që kryen Lorencoja, një udhëtim në kërkim të vetvetes dhe të ndjenjave të tij, atyre më autentike, atyre më të thella. Libri i ri i Fabio Volos konsiderohet si më i ndjeri e më i vërteti. Gjendesh shpesh duke qeshur në çaste ironie që të rrëmbejnë. Por sidomos gjendesh i emocionuar, mbase i mallëngjyer dhe i çuditur se sa shumë ngjan jeta e Lorencos me atë të secilit prej nesh. Kjo është edhe arsyeja pse librat e Volos pëlqehen. Prej këtij autori janë botuar në shqip romanet “Edhe një ditë më shumë” dhe “Një vend në botë”.

“Show Time” në Teatrin Kombëtar

I përkasin të dy teatrit, por mënyra se si ata e shohin botën dhe artin është ndryshe. Njëri ka zbritur nga skena, tjetri ngjitet. Këtë përballje realitetesh dhe kohësh trajton drama “Show Time” që do të shfaqet në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar nesër e pasnesër. Një vepër me autor Haqif Mulliqin e regji të Armela Demajt, ku interpretojnë Pjerin Vlashi e Ledjon Zoi. Pjesë e veprës janë edhe balerinët Ardit Logu, Fabjol Laskaj. Koreografe është Amela Aga, ndërsa skenografia e kostumografia është realizuar nga Adi Shehu. Në qendër të veprës janë Gjergji e Klementi, at e bir, të cilët jetojnë bashkë, pasi e ëma është ndarë nga jeta. Gjergji, dikur një aktor i famshëm në Shqipëri, tashmë në pension dhe shumë larg dritës së skenës dhe duartrokitjeve të publikut, është tërhequr nga shoqëria dhe jeton me kujtime dhe keqardhje për realitetin e vet dhe të artit skenik aktual. I biri, edhe ai një aktor, mundohet të mos i mungojë gjë të atit dhe për këtë ka bërë kompromiset e veta si në fushën profesionale, ashtu edhe në atë personale. Përplasja e këtyre dy realiteteve, dy brezave të ndryshëm, si në konceptime, në mentalitete dhe në organizime shoqërore, krijon energji, nëpërmjet së cilës vijnë shumë problematika aktuale, si rreziku i teatrit apo i artit nga teknologjia; teatri i fjalës apo teatri i lëvizjes; mungesa e femrës në jetën e dy meshkujve; raporti babë e bir …etj.
ALMA MILE

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama