Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe homologu grek, Aleksis Cipras kërkuan kapërcimin e stereotipeve që kanë penguar dialogun mes kombeve evropiane gjatë konferencës së përbashkët të mbajtur sot në Berlin.
Cipras siguroi se nuk kishte ardhur në Berlin për të kërkuar para nga qeveria gjermane, por për të vendosur një bazë të përbashkët në dialogun mes dy vendeve. Ndërsa Kancelarja pranoi kërkesat e vështira dhe mosmarrëveshjet mes Athinës dhe Berlinit, por siguroi se dëshironte një bashkëpunim me një frymë të përbashkët besimi.
“Ne dëshirojmë një Greqi të fortë ekonomikisht, dëshirojmë rritje ekonomike në Greqi dhe në mënyrë të veçantë reduktimin e papunësisë shumë të lartë tek të rinjtë. Për të arritur këto, duhen reforma strukturore dhe një administratë efikase”, tha Merkel.
Cipras konfirmoi se plani i shpëtimit të Greqisë nuk ka qenë një sukses, duke përmendur uljen e Prodhimit të Brendshëm Bruto me 25 për qind, rritjen e papunësisë dhe rritjen e pabarazisë sociale në Greqi. Mirëpo, ai shtoi se “ne nuk dëshirojmë të shkatërrojmë gjërat pozitive të viteve të fundit, duhet të gjejmë një kombinim tjetër politik për zgjidhjen e problemeve”.
Cipras nuk shmangu dot pyetjet mbi pretendimet e Athinës për dëmshpërblimet e Luftës së Dytë Botërore, por rrëzoi idenë e konfiskimit të investimeve gjermane në Greqi.
“Gjermania e sotme nuk mund të identifikohet me atë të Rajhut të Tretë dhe kërkesa jonë nuk është materiale, pra kjo çështje nuk duhet as të lidhet dhe as të kushtëzojë bisedimet mbi borxhin grek. Kjo duhet të trajtohet nga të dyja palët jo si problem material, por si çështje morale për të tejkaluar përgjithmonë fashizmin dhe nazizmin e për të bërë të mundur që totalitarizmi të mos vijë më në pushtet”, deklaroi Cipras.
Ndërsa kancelarja tha se “kjo çështje është mbyllur si nga ana juridike vure ashtu edhe nga ana politike. Gjermania është e vetëdijshme për krimet e kryera në atë periudhë dhe dialogu me Athinën për këtë çështje do të vazhdojë”.