Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastasios Janullatos është një ndër kandidatët kryesorë për postin e presidentit të Greqisë. Ky është lajmi i orëve të fundit që është publikuar nga e përditshmja greke “To Vima”, dhe kjo sipas gazetës është një dëshirë e vetë kryeministrit të ri helen Cipras.
“To Vima” shkruan më tej në versionin e saj online se platforma e qeverisë “Cipras” që rezultoi e suksesshme deri tani mund ta bindë Jnaullatosin që të pranojë këtë post.
“Burime shumë të sigurta na kanë raportuar se drejtues të lartë të SYRIZA-s, që kanë lidhje me Lidhjen e Manastireve të Malit të Shenjtë, kanë ditë që po përpiqen që të joshin Kryepeshkopin e Shqipërisë Anastasio që të pranojë ofertën e kryeministrit Alekis Cipras për të qenë kandidat për President të Republikës”, shkruan e përditshmja “To Vima”.
Por, përgjigja që kanë marrë nga kryepeshkopi ka qenë negative. Mësohet se ai u është përgjigjur se është një person apolitik, me një detyrë sociale e fetare dhe kjo nuk e lejon të pranojë asnjë post tjetër. Megjitatë, ekipi i qeverisë “Cipras” do të vazhdojnë përpjekjet e tyre dhe shpresojnë që ta bindin Janullatosin që të pranojë propozimin. Kreu i qeverisë helene është i prerë në qëndrimin e tij; Greqisë i duhet një president jo politik. Nga kampi i Demokracisë së Re kandidat do të jetë Dimitris Avramopulos, megjithëse ai është kundërshtuar nga SYRIZA.