Pas 9 vitesh, sonda "New Horizons" e NASA-s ka arritur Plutonin, në kufijtë e sistemit tonë diellor, duke kaluar plot 12.500 km në sipërfaqen e planetit. Ngjarja historike në eksplorimin e hapësirës është përshëndetur nga një duartrokitje e gjatë në qendrën e kontrollit të NASA-s.
Arritja e Plutonit nga "New Horizons" është një moment i rëndësishëm në historinë e eksplorimit të hapësirës. Ajo shënon faktin se, tashmë nëntë planetët e sistemit diellor nga Merkuri deri te Plutoni, janë eksploruar të paktën një herë.
“Ne kemi përfunduar zbulimin fillestar të Sistemit Diellor, një përpjekje që filloi nën udhëheqjen e presidentit Kennedy më shumë se 50 vjet më parë dhe vazhdon ende në ditët e sotme nën presidentin Obama”, tha shefi i misionit, Alan Stern.
"Është me të vërtetë historike ajo që SHBA ka bërë”, shtoi ai.
Tashmë sonda "New Horizons" ka hyrë në radio të heshtur, ‘e përqendruar’ në mbledhjen e të dhënave, dhe vetëm në mbrëmje do të dërgojë sinjale për të thënë se gjithçka ka shkuar mirë. Sinjalit do t'i duhen 4.5 orë për të përshkruar 5 miliardë kilometra që ndajnë Plutonin nga Toka, dhe siç pritet në Shqipëri do të jenë orët e para të 15 korrikut.
Instrumentet e "New Horizons" do të marrin një mori të dhënash rreth Plutonit për të vënë në skicë gjeologjinë e tij, përbërjen e sipërfaqes dhe temperaturat. Misteri i parë që pritet të hetojë sonda është struktura e shndritshme në formë zemre dhe katër shenja të mëdha të errëta të vendosura në distancë të njëjtë nga njëra-tjetra. Krahas Plutonit, sonda do t’i afrohet dhe hënës Caronte, të cilat bashkë formojnë një sistem binar.
Në foto, krahasimi i madhësive të Tokës, Hënës dhe Plutonit