Për të gjithë qytetarët që kishin në plan të investonin në ndërtim shtëpie, apo edhe objekte me qëllim social- ekonomik, tashmë do të kenë mundësi të marrin lejet e ndërtimit. Pas disa muajsh që ky proces ishte bllokuar, ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, deklaroi dje vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit. Vendimi lejon ndërtuesit si edhe qytetarët e thjeshtë që kanë bërë plane investimi në ndërtim, të marrin lejet e ndërtimit nga pushteti vendor. Gjatë ditës së djeshme në një komunikim me mediat, ministria Eglantina Gjemeni deklaroi se në vitin 2015 do të jepen leje ndërtimi në zonat e zhvillimit urban, që ishin bllokuar nga ana e kryeministrit. Në fjalën e saj, Gjermeni, u shpreh: “Në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit, një nga vendimet shumë të rëndësishme që u miratuan ishte edhe ai për identifikimin e zonave të urbanizuara në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe miratimin e hartave ku mund të ndërhyhet në funksion të zhvillimit urban”. Më tej ajo tha: “Në këto zona të urbanizuara, do të lejohet dhënia e lejeve të ndërtimit edhe për banesat individuale, krahas ndërtimeve që lejoheshin deri tani, që janë ato për objekte publike, për infrastrukturë, për ndërhyrje me karakter emergjent, si dhe për struktura në funksion të zhvillimit ekonomik, turizmit, të bujqësisë dhe blegtorisë”. Sipas saj, ky vendim, lehtëson trajtimin e nevojave të qytetarëve për banesat individuale një familjare. Kjo kategori sociale ka mundësinë tani të aplikojë për leje ndërtimi normalisht pranë njësisë vendore. Leje ndërtimi do të jepen për objekte publike, për infrastrukturë, për ndërhyrje me karakter emergjent, për struktura në funksion të zhvillimit ekonomik, turizmit, bujqësor e blegtoral. KKT, shtoi në listën e objekteve për të cilat mund të jepen leje ndërtimi, edhe banesat individuale familjare. Kryetarët e njësive vendore kanë mundësi të ushtrojnë detyrat e tyre për dhënien e lejeve të ndërtimit, brenda hartave të miratuara të zonave të urbanizuara, por me kushtin që më parë duhet të marrin konfirmimin e AKPT-së për çdo kërkesë ndërtimore.
Përfituesit
Të gjithë të interesuarit, që kërkojnë të ndërtojnë në pronat e tyre për interesa personale strehimi apo për interesa ekonomike,mund të përfitojnë ose të pajisen me leje ndërtimi. Leja e ndërtimit do të jepet pas marrjes së konfirmimit paraprak nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, në përputhje me instrumentet e planifikimit. Konfirmimi paraprak pranë Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT) mund të kërkohet drejtpërdrejt nga qytetarët e interesuar, ose nga Njësia Vendore respektive. Kusht për zhvillimin e lejeve për banesa një familjare, është që këto ndërtime të zhvillohen brenda territorit të këtyre zonave të urbanizuara.
Përgjegjësit
Kryetarët e njësive vendore kanë mundësi të ushtrojnë detyrat e tyre për dhënien e lejeve të ndërtimit në përputhje me të gjitha kompetencat që ata kanë. Ajo çfarë kufizon vendorët është respektimi i hartave të miratuara të zonave të urbanizuara. Gjermeni deklaroi se: “Lejet e ndërtimit do të jepen nga kryetarët e njësive vendore, por brenda hartave të miratuara të zonave të urbanizuara, dhe mbasi kanë marrë konfirmimin nga Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit për çdo kërkesë zhvillimore”. Procesi i kontrollit dhe administrimit të territorit, përfshin jo vetëm eliminimin dhe korrigjimin e ndërhyrjeve të jashtëligjshme, por paralelisht hap pas hapi, krijimin e hapësirave të miratuara dhe kontrolluara për ndërtime me qëllime publike, biznesi dhe familjare. Paralelisht nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe AKPT është duke u punuar për hartimin e planeve kombëtare afatgjata, të cilat, sipas ministres, do të garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm urban, ekonomik, social dhe mjedisor.
Vendimi i KKT-së, hartat ku do jepen lejet e ndërtimit
Në mbledhjen e datës 28 dhjetor, Këshilli Kombëtar i Territorit mori vendimin për hartimin dhe identifikimin e zonave të urbanizuara në të gjithë territorin e republikës së Shqipërisë dhe miratimin e hartave ku mund të ndërhyhet në funksion të zhvillimit urban. KKT shprehet se Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, kanë nisur procesin e hartimit të Planit të Përgjithshëm Kombëtar. Në këtë kuadër, është marrë vendimi për drejtimin dhe kontrollin e zhvillimit urban të 61 njësive të reja vendore. Ky vendim ndihmon AKPT dhe Njësitë Vendore për fillimin nga puna për përgatitjen e planeve vendore për territoret e reja administrative. Adelina Greca, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, në një komunikim për mediat në fund të vitit publikoi se është marrë vendimi për identifikimin e zonave të urbanizuara në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu është marrë edhe vendimi për miratimin e hartave ku mund të ndërhyhet në funksion të zhvillimit urban. “Nëpërmjet këtij vendimi KKT-ja bëri identifikimin e zonave të urbanizuara në bazë të studimit të gjendjes faktike të ndërtimeve në territorin e Republikës së Shqipërisë”- është shprehur Greca. Përcaktimi i këtyre zonave do të ndihmojë në vijim AKPT së bashku me MZHUT dhe Ministrinë e Bujqësisë që të përditësojnë të dhënat e Fondit të Tokës Bujqësore, i cili në letra është shumë më i madh se ç’është në realitet. KKT, nëpërmjet këtij vendimi, përcaktoi se zhvillimet dhe ndërtimet e reja duhet të miratohen brenda territorit të këtyre zonave – zonat e urbanizuara - , duke i dhënë prioritet mbushjes urbane të zonave të identifikuara si të ndërtueshme, duke shfrytëzuar infrastrukturën ekzistuese dhe duke respektuar përdorimin aktual të tokës. Lejet e ndërtimit brenda zonave të identifikuara si të urbanizuara do të jepen edhe nëse statusi i tokës figuron ‘arë’, pasi ky status brenda këtyre zonave konsiderohet jo i lidhur me gjendjen faktike.
Projekt-Vendimi i plotë për dhënien e lejeve të ndërtimit
Nr. 5, Datë 29.12.2014
PËR IDENTIFIKIMIN E ZONAVE TË URBANIZUARA NË TË GJITHË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MIRATIMIN E HARTAVE KU MUND TË NDËRHYHET NË FUNKSION TË ZHVILLIMIT URBAN
Në mbështetje të neneve 5, 7, 9, të Ligjit Nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit” dhe të VKM-së Nr. 877, datë 03.10.2013 “Për përbërjen e Këshillit Kombëtar të Territorit”, me propozimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Këshilli Kombëtar i Territorit,
VENDOSI:
1. Identifikimin e zonave të urbanizuara në bazë të studimit të gjendjes faktike të ndërtimeve në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas hartave bashkëlidhur;
2. Përcaktimin e këtyre zonave si zona të ndërtueshme, ku mund të ndërhyhet me zhvillime në kuadër të zhvillimit urban;
3. Në rastet kur më shumë se 50 % e sipërfaqes së parcelës shtrihet brenda zonës së urbanizuar, e gjithë sipërfaqja e parcelës konsiderohet sipërfaqe e ndërtueshme;
4. Ngarkohen Autoritet e Planifikimit dhe Zhvillimit që, deri në hartimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar dhe Planeve Vendore për njësitë e reja territoriale, t’i japin prioritet mbushjes urbane të zonave të identifikuara si të ndërtueshme, duke shfrytëzuar infrastrukturën ekzistuese dhe duke respektuar përdorimin aktual të tokës;
5. Ngarkohen Autoritet e Zhvillimit për miratimin e propozimeve për ndërtim brenda zonave të identifikuara më sipër, me kusht plotësimin e pikës 7 të këtij vendimi, për këto raste:
a) të gjitha rastet (përjashtimore), listuar në pikën 4 të vendimit Nr.1 të KKTsë datë 22.08.2014;
b) banesa individuale.
6. Ngarkohen Autoritet e Zhvillimit për miratimin e zhvillimeve urbane brenda zonave të identifikuara më sipër, për të gjitha kategoritë e bonitetit të tokës bujqësore, me kusht plotësimin e pikës 7 të këtij vendimi;
7. Deri në hartimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar dhe Planeve Vendore për njësitë e reja territoriale, propozimi për ndërtim brenda zonave të identifikuara më sipër të miratohet vetëm pas konfirmimit nga AKPT-ja dhe informimit të Këshillit Kombëtar të Territorit lidhur me konformitetin e zhvillimit të propozuar me instrumentet kombëtare dhe/ose vendore të planifikimit të miratuara ose në proces.
8. Konvertimi nga tokë “arë” në tokë “truall” për sipërfaqet brenda këtyre zonave do të bëhet sipas procedurave ligjore përkatëse.
9. Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit të veprojë si zyrë shërbimi me një ndalesë për kontrollin e përputhshmërisë së kërkesave për leje ndërtimi me qëllim lehtësimin e procesit të bashkërendimit me të gjitha autoritetet qendrore dhe vendore për realizimin e investimit.
10. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, si dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij Vendimi.
11. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Pastrimi i territorit nga ndërtimet pa leje
Prishjet e ndërtimeve pa leje, të cilat shpesh kanë qenë edhe objekt debatesh mes pozitës dhe opozitës, konsiderohen edhe si çbetonizimi i vendit. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, ndërmori një sërë masash, të cilat synonin rehabilitimin e zonave të rëndësisë kombëtare, por jo vetëm. “Në këtë kuadër një nga angazhimet tona ishte ndërhyrja për pastrimin e territorit nga ndërtimet e kundraligjshme, të cilat kanë shkaktuar ndër vite një zhvillim urban kaotik, me pasoja degraduese edhe për zhvillimin e turizmit” – tha Gjermeni.