Ata duhet të shpenzojnë për të blerë librat dhe gjithçka tjetër që u duhet fëmijëve për të shkuar në shkollë. Dhe duhet të shpenzojnë edhe më shumë se ç’duhet. Dje shkova në shkollën ku shpërndaheshin librat në komunën Cakran për të gjithë fshatrat e kësaj komune. Përveç radhëve të gjata (në të gjithë zonën ishte vetëm një pikë për shpërndarjen) ajo që ishte skandaloze ishte fakti se shumica e librave kishin të mbivendosur nga një etiketë më çmime të reja mbi çmimet e vjetra. Ky fakt më tërhoqi dhe më bëri të fotografoj disa libra të cilët kishin nga dy çmime, një lart dhe një poshtë etiketës.
Shumë prindër po ankoheshin pasi kjo dukej qartë për ta që ishte e padrejtë. Kjo gjendje më shtyu të prezantohem si gazetar dhe të pyes shitësit e librave në këtë shkollë. U kërkova të më sqarojnë për etiketat me çmimet e reja, por përgjigja që mora ishte se këto çmime mbi çmime i kanë vendour vetë shtëpitë botuese. Sipas tyre librat janë botuar para tre vjetësh dhe me këto ndryshime çmimesh shtëpitë kompesojnë humbjen që kanë pasur nga mos shitja e tyre vitin e botimit. Thanë se këto çmime janë të njohura edhe nga ministria. Këtu nis pikërisht problemi. Edhe nëse ka një urdhër zyrtar për këtë, përsëri është abuzuar duke mos njoftuar opinioni publik përpara se këta të fundit të drejtoheshin në pikat e shpërndarjes së librave.
Por përsëri kjo nuk mund të justifikojë faktin që libri është botuar përpara tre vitesh dhe tashmë ai duhet të shitet me çmim tjetër sepse nuk është shitur në momentin që është botuar. Kjo nuk mund të ndodhë asesi për një libër i cili është botuar, (ndoshta në rast ribotimi do të ishte gjë tjetër) por libri ka qenë në treg dhe nuk mund të indeksohet çmimi i librit me tregun aktual. E dyta përsëri është abuzuar pasi disa libra kanë çmimin origjinal kurse disa të tjerë kanë çmim me etiketë të re. Përse heshtet? Kjo dhe shumë pyetje të tjera kërkojnë përgjigje. A mund të dimë si qytetarë përse po abuzohet duke na zhvatur në mënyrë të turpshme dhe skandaloze? Apo nuk konsiderohemi të denjë as të hapim gojën kur vidhemi sy më sy?
MASH: Prindërit e mashtruar t’i drejtohen tatimorëve, rritja vetëm 1.7 %
Letra dhe fotot janë dërguar në redaksi nga studenti Juli Hoxha. Pas marrjes së këtij materiali, ne kontaktuam me këshilltarin e ministrit të Arsimit për tekstet, z. Jovan Kristiqi. Ai e pranon se mund të ketë etiketë në vendin e çmimit pasi teksti mund të jetë botim i vitit të shkuar dhe ka pësuar një ndryshim në çmim. Por Kristiqi shton tha se në krahasim me vitin e kaluar çmimi ka një rritje prej 1.7 %, pra teksti që vitin e kaluar ka kushtuar 300 lekë, këtë vit nuk mund të kushtojë më shumë se 305 lekë. Sipas tij, rritja me 50-100 lekë që është konstatuar në komunën Cakran, është një abuzim dhe duhet penalizim.
“Ne nuk kemi pasur asnjë rast të abuzimit me çmimet sepse në përgjithësi distributorët kanë frikë dhe çmimet janë të afishuara tek pikat e shitjes. Atyre nuk u lejohet t’i shesin mbi atë çmim. Secili prind mund t’i verifikojë me listat që ka çdo drejtor shkolle në të gjithë Republikën” – theksoi Jovan Kristiqi. Këshilltari i ministrit bëri gjithashtu me dije se në rast të shkeljes së marrëveshjes për çmimet, distributori nuk do të hyjë vitin e ardhshëm në tregun e librit shkollor, ndërsa qytetarit që është mashtruar duhet t’i kthehet në vend i gjithë dëmi. “Ai mund të ankohet në organet tatimore të cilat kanë të drejtën e gjobitjes dhe sekuestrimit të mallit, sigurisht në bazë të provave” – përfundoi z. Kristiqi.