Cmimet e frutave e perimeve rritje 10

Cmimet e frutave e perimeve, rritje 10%

Të gjithë kanë besuar se në përgjithësi, çmimet të paktën në tri vite e fundit, kanë pësuar një rritje modeste për shkak të konsumit të dobët, por për çmimet e produkteve ushqimore bazë ka ndodhur krejt e kundërta. INSTAT raporton se në bazë vjetore, çmimet e zarzavateve, përfshirë patatet, janë rritur me 10,0 %, pasuar nga frutat, çmimet e së cilave nga nëntori i vitit të kaluar janë rritur me 8,4 për qind, në një kohë që mesatarja e përgjithshme e rritjes së çmimeve këtë vit nuk i ka kaluar të 1.5 përqindët.

Ekspertët në Ministrinë e Bujqësisë thanë se rritja e çmimeve të ushqimeve këtë vit u ndikua nga oferta më e ulët e këtyre artikujve, për shkak të eksportit të tyre gjithnjë e në rritje. Gjithashtu ky vit, për shkak të kushteve klimaterike nuk ka qenë shumë i mbarë, duke ndikuar në rënien e prodhimit sidomos për frutat. Rritje më e madhe e çmimeve në krahasim me nëntorin e shkuar vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 11,2 %, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 7,7 %.

Shërbimet arsimore duket se kanë pësuar rritje pas vendimit të qeverisë për rritjen e tarifës për masterat e nivelit të dytë. Ndërsa pijet alkoolike dhe duhani janë ndikuar nga rritja e çmimeve për shkak të rritjes së akcizës në këto produkte. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” dhe “Komunikimi” u rritën me 3,6 %. Çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 2,1 %.

Brenda këtij grupi çmimet e nëngrupit “zarzavate, përfshirë patatet” janë rritur me 10,0 %, pasuar nga nëngrupi “fruta” me 8,4 %, nëngrupi “qumësht, djathë e vezë” me 3,2 %, nëngrupi “peshk” me 2,3 % etj. Ndërkohë që çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyra” u ulën me 7,4 %, pasuar nga nëngrupi “kafe, çaj e kakao” me 3,3 %, “sheqer e ëmbëlsira” me 1,9 % etj.

Ndërsa ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shëndeti” me 5,3 %. INASTAT raporton se rritja vjetore në muajin nëntor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,84 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,28 pikë përqindje në ndryshimin vjetor. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,18 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar respektivisht me +0,16 dhe +0,15 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shëndeti” kanë kontribuar me – 0,18 pikë përqindje në ndryshimin vjetor. Krahasuar me muajin nëntor 2013, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 11,2 %, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan.

Krahasuar me muajin tetor 2014, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,5 %, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të duhanit me 4,1 %. Ulja mujore më e madhe vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,9 %. Gjatë muajit nëntor çmimet e grupit “Transport” u ulën me 0,4 %. Brenda këtij grupi, çmimet e benzinës dhe eurodiezelit u ulën përkatësisht me 2,1 % dhe 1,5 %.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama