Si e konsideroni situatën në sistemin farmaceutik shqiptar?
Jemi në momentin kur sistemi farmaceutik po shkon drejt rrënimit ose është shumë afër tij. Këtë shërbim, ndër më të mirë rregulluarin në vite, e kanë copëtuar nga të gjitha anët si pasojë e tërheqjes nga të gjitha krahët. Ky shërbim është sot në gjendjen më kritike të mundshme që ka qenë ndonjëherë. Sot kemi një sistem të rrjetit të hapur farmaceutik të shpërfytyruar, kur nuk zbatohet dhe nuk kontrollohet si legjislacioni ashtu dhe rregullat e udhëzimet në fuqi. Kemi një çrregullim total në formimin bazë të farmacistëve dhe një fillim të ri për edukimin në vazhdim të tyre.
A është i plotë legjislacioni që rregullon këtë shërbim?
Ligji i parë në sistemin farmaceutik shqiptar është i vitit 1994 “ Për barnat”, që u pasua një vit më pas me ligjin “Për barnat narkotike e lëndët psikotrope”. Ky ligj hodhi themelet e ngritjes dhe funksionimit të shërbimit farmaceutik shqiptar, rregulloi të gjitha veprimtaritë që lidheshin me importimin, shpërndarjen dhe kontrollin e barnave. Ky ligj i hapi rrugë për herë të parë veprimtarisë private në sistemin farmaceutik. Gjithashtu u sanksionua, jo vetëm kontrolli i barnave por dhe kontrolli i të gjitha veprimtarive që lidheshin me shërbimin farmaceutik në vendin tonë.
U sanksionua fabrikimi i barnave dhe u hartuan një sërë udhëzimesh dhe rregulloresh që lidheshin me këto lloj veprimtarie. Tre vjet më pas ligji pasoi ndryshime që kishin si qëllim të bënin një përmirësim të nevojshëm të neneve lidhur me regjistrimin, fabrikimin dhe reklamat e barnave. Në vitin 2004, ligji “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, u hartua nga një grup i zgjeruar pune, ku morën pjesë të gjithë aktorët dhe faktorët e sistemit farmaceutik shqiptar. Thelbësore për shërbimin ishin pengesat ligjore për mos futjen e barnave me origjinë të dyshimtë, lehtësimin e barrierave burokratike, forcimin e kontrollit të barnave duke i dhënë autonominë QKKB-së, si dhe forcimin e masave administrative.
Me gjithë përpjekjet maksimale për të nxjerrë një ligj bashkëkohor, ai nuk shpëtoi nga gabimet “pa dashje” siç ishte dhe ai në lidhje me farmakopenë .
Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, reforma në sistemin farmaceutik u përqendrua në drejtimet e mëposhtme:
-Kontraktimi i gjithë shërbimit farmaceutik me Sigurimet Shëndetësore për barnat e listës së rimbursimit.
-Lehtësimi i procedurave burokratike për lejet e importit, autorizimet e çdoganimit, lejet e përdorimit, regjistrimet e barnave dhe proçedurat e liçensimit.
-Realizimi për herë të parë i negocimit për çmimet e barnave me efekte mjaft pozitive për buxhetin e sigurimeve shëndetësore apo lehtësimin e pagesës së popullatës.
-Vendosja nën kontroll, kolaudim si dhe shpërndarje e barnave të tenderuara për spitalet.
-Rritja e numrit dhe efektivitetit të kontrollit nga Inspektoriati Farmaceutik, marrjen e masave efikase ndaj shkelësve të ligjit sidomos ndaj kontrabandës së barnave.
-Vendosja e pullës së sigurisë në ambalazhin më të vogël të barnave.
-Reformimi i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave.
-Rregullore e re bashkëkohore “Për regjistrimin e barnave”
-Vendosja në efiçencë të plotë të punës për realizimin e vendosjes së fletë-udhëzuesve në gjuhën shqipe .
-Studimi për ndryshimin e marzheve të tregtimit të barnave për Depot dhe Farmacitë si dhe hartimi dhe miratimi i VKM-së përkatëse.
-Rishikimi i listës së barnave të rimbursueshme, duke zbatuar kriterin e negocimit bëri që ti kurseheshin buxhetit të ISKSH një sasi e konsiderueshme burimesh financiare që u përdorën për futjen e një numri më të madh barnash që e çoi atë në 402 barna.
-Hartimi i akteve nënligjore të cilat ishin rreth 20, nga të cilat u realizuan vetëm 4 prej tyre dhe puna në këtë drejtim nuk u vazhdua më, për shkak të ndërhyrjeve pa kriter dhe aspak të nevojshme në ligjin e porsa miratuar.
Tentativa e parë e ndërhyrjes lidhet me ndryshimin e nenit 13 që ka të bëjë me barrierën e vendosur në ligj, për rritjen e garancisë në cilësinë dhe sigurinë e barnave që vinin nga vendet jashtë Komunitetit Europian, por fatmirësisht u vlerësua edhe mendimi i Urdhrit të Farmacistëve dhe kjo tentativë dështoi.
Goditja kryesore e ligjit erdhi me Ligjin e vitit 2006, me anë të së cilit u rrëzua me turp koncepti i negocimit të çmimit të barnave dhe u hoq përfaqësimi i Urdhrit të Farmacistëve nga Komisioni i Çmimit të Barnave, duke shkëputur zyrtarisht bashkëpunimin me aktorët e sistemit farmaceutik dhe duke mos e dëgjuar zërin e tyre.
Kjo ndërprerje e bashkëpunimit zyrtar, do të shoqërohej me mos marrjen parasysh të asnjë mendimi të aktorëve të tjerë si Sindikata e Farmacistëve dhe Shoqata e Distributorëve Farmaceutikë në përpjekjet e tyre për mos ndryshuar marzhet e tregtimit të barnave. Edhe ligji i miratuar në 2008-ën, shënon një hap tjetër mbrapa në sistemin farmaceutik shqiptar në lidhje me licensimin e veprimtarive farmaceutike. Sipas tij, liçensimi i veprimtarive farmaceutike do bëhej nga një institucion që nuk ekzistonte dhe në fakt kështu u bë, edhe pse UFSH ishte kundër. Ligji u miratua dhe asnjë nga argumentet tona nuk u morën parasysh.
Pasojat e këtij ligji u ndjenë menjëherë në sistemin farmaceutik kur drejtorët e DSHP-ve të rretheve morën rolin e pashallarëve dhe kanë lëshuar licenca, të llojeve të ndryshme, pa asnjë lloj kriteri ligjor, pa çertifikatën e Urdhrit të Farmacistëve dhe pa përvojën profesionale dy vjeçare. Por ajo që është për të ardhur keq lidhet me papërgjegjshmërinë e Ministrisë së Shëndetësisë ndaj strukturave të saj vartëse për t’i dhënë udhëzimet DSHP-ve, lidhur me këtë kompetencë të re të pa merituar, si dhe mos kontrollin në lidhje me këtë ndërmarrje kaq të rëndësishme. Ato licenca mbahen sot në mënyrë të pa drejtë, nga disa subjekte që i përfituan jashtë kritereve dhe askush nuk ka marrë përgjegjësinë për shkeljen ligjore.
Veprimtaria e DSHP-ve, qe shumë e shkurtër, vendimmarrësit u munduan të korrigjonin gabimin e bërë duke ndryshuar shumë shpejt ligjin, pas gjashtë muajsh, e kaluan liçensimin e subjekteve farmaceutike nga një qendër e vetme, siç do të ishte Qendra Kombëtare e Licensimit. Me këtë ndërhyrje të fundit që ju bë ligjit të barnave, u vulos amullia e sistemit farmaceutik shqiptar.
A ka vazhdimësi në politikat farmaceutike që ka ndjekur ministria e shëndetësisë?
Po t’i referohemi strategjive të qeverive të viteve të tranzicionit, pothuajse kanë qenë të njëjta dhe në thelb kanë konsistuar në shtimin e aksesit për barna me çmime të përballueshme nga të gjitha shtresat në nevojë dhe rritje të cilësisë së shërbimit farmaceutik, kurse politikat kanë qenë të ndryshme. Këto politika kanë vijuar sipas ministrave të radhës. Në fillimet e tyre nuk ishin tërësisht të qarta, por kishte një përkushtim për hartim politikash, më vonë erdhën duke u qartësuar, sidomos me hartimin e ligjit të barnave të vitit 2004, ku u përcaktua një politikë reformuese e sistemit farmaceutik, duke sjellë elemente të reja dhe objektiva të qarta për riformimin dhe përafrimin me politikat farmaceutike botërore. Këto politika, që duhet të jenë kombëtare, më pas kanë ardhur duke u transformuar, jo si të tilla, por si politika personale.
Ministrat e radhës, të cilët janë ndërruar shpesh, kanë bërë thjesht politika personale, apo të mbrojtura interesat e tyre të partive që ata përfaqësojnë. Një fenomen i dështimit të këtyre politikave ka qenë se, ato tashmë nuk drejtohen më nga profesionistët farmacistë, por nga mjekë apo joprofesionistë. Në hartimin e politikave nuk merret parasysh asnjë mendim i aktorëve të tjerë të sistemit farmaceutik, mungon bashkëpunimi midis tyre duke përfunduar në politikën e shefit të radhës. Nga kjo mënyre e hartimit të politikave sistemi farmaceutik po humbet shumë, kurse ministrat e radhës po korrin frytet e politikës së tyre të pa përgjegjshme, në një vend ku askush nuk mban përgjegjësi se çfarë bën.
Janë ngritur shpesh shqetësime publike për formimin e farmacistëve të rinj, cili është komenti juaj?
Sistemi arsimor farmaceutik shqiptar, lë shumë për të dëshiruar në drejtim të cilësisë së formimit bazë të farmacistëve dhe sasisë së diplomave në lidhje me nevojat e shërbimit farmaceutik. Nuk ka unifikim të programeve të universiteteve shtetërore dhe private. Është për t’u përgëzuar sanksionimi me ligj, për shkollën e farmacisë, si cikël unik pesë vjeçar DIND, sepse fillimi i funksionimit të sistemit të Bolonjës ishte hapi i parë në shthurjen e sistemit arsimor farmaceutik.
Pranimi dhe regjistrimi i studentëve në universitetet private le shumë për të dëshiruar. Ato bëhen pa konkurs duke mos pasur asnjë lloj kufizimi, përveç pagesës. Stafi pedagogjik i pa kualifikuar, ku jep mësim kush të mundë (edhe ata që kanë mbaruar me notë mesatare 5), kur dihet nga të gjithë se me titullin Profesor në farmaci janë vetëm tre persona. Mendoni që të gjithë për një moment garancinë e formimit bazë për brezin e ardhshëm farmaceutik. Një fenomen shumë skandaloz është shitja e diplomave, nga persona që nuk kanë shkuar asnjë ditë në shkollë, madje nuk kanë mbaruar as shkollën e mesme. Ka universitete që kanë regjistruar 30 studentë farmacistë dhe në fund të vitit të pestë kanë diplomuar 200 të tillë.
Një fenomen shumë i dëmshëm për sistemin farmaceutik janë dhe masterat të cilat po i kryejnë kandidatë jashtë kritereve duke u bërë kështu të preferuarit për punësim në sektorë të rëndësishëm që nga mësimdhënia e deri te institucionet më të larta të shërbimit farmaceutik. Mund të themi me plot gojë se po drejtojnë në pikat kyçe të sistemit paaftësia, të cilët nuk kanë aftësinë për ta mbrojtur profesionin dhe profesionistët.
Farmaceutike është një shkencë që evoluon, a ka projekte për të njohur farmacistët me të rejat e fundit të profesionit të tyre?
Është për tu përshëndetur mbështetja që qeveria Zviceriane po bën për edukimin e vazhdueshëm profesional të profesionistëve të shëndetësisë. QKEV është ngritur dhe po funksionon normalisht dhe duhet përgëzuar për atë që ka arritur në një kohë të shkurtër. Urdhrat e profesionistëve shoqatat janë duke mbështetur këtë proces të harruar prej 20 vitesh. Urdhri i Farmacistëve ka marrë pozicionin që i takon në këtë proces për ruajtjen dhe garantimin e nivelit të formimit dhe edukimit të farmacistëve i mbështetur nga Katedra e Farmacisë së Universitetit të Tiranës.
Si qëndron cilësia e shërbimit farmaceutik në shërbimin spitalor?
Është një nga hallkat e sistemit farmaceutik që funksionon më keq, por kjo jo për fajin e profesionistëve, por të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrave të radhës që i ndërrojnë karriget shumë shpesh. Lënia në harresë e këtij shërbimi lidhet me premisa të këqija që shpesh mund të quhen dhe kriminale përderisa lihen të sëmurët pa barna duke shpërdoruar paratë e dhëna nga qeveritë për këtë qëllim. Ky shërbim vuan sot nga mënyra se si është organizuar që nga QSUT e deri te spitalet e rretheve. Duke mos qenë një shërbim universitar ashtu si shërbimet e tjera që janë të organizuara në qendrën më të madhe spitalore të vendit tonë nuk bëhet fjalë fare për cilësi të lartë të këtij shërbimi dhe kjo shkon zinxhir nga qendra e deri në bazë.
Roli i farmacistit në shërbimin spitalor pothuajse është venitur, përderisa atë po e ushtrojnë dhe joprofesionistë të tjerë, si mjekë, infermierë dhe deri në veterinerë. Farmacisti i spitalit nuk merr pjesë as në planifikimin e barnave e as në menaxhimin dhe personalizimin e mjekimit. Ai është kthyer thjesht në një magazinier të rëndomtë. Sot spitalet janë pa barna dhe materiale mjekimi.
Po pjesa private e sistemit farmaceutik dhe importimi i medikamenteve?
Ky sistem ka qenë më i konsoliduari dhe shembull i sistemit shëndetësor, por me hapat mbrapa që janë bërë ndryshimeve legjislative po rrëshqet drejt një sistemi pa rregulla ku mbizotëron amullia në të gjitha hallkat e shërbimit.
Importuesit e barnave kanë një rrjet aq shumë të shpërndarë sa nuk mund të gjesh në asnjë vend të botës. Sot mund të hapësh një magazinë importi dhe të importosh edhe një bar të vetëm, mund të hapë kushdo dhe kur e ku do. Sot numërohen rreth 100 të tillë, pavarësisht se rreth 20 kanë aktivitet për të cilin janë krijuar. Pjesa tjetër, më shumë se 100 të tilla, janë shpërndarës ose që marrin pjesë vetëm në tendera. Ky numër i pa imagjinueshëm për një treg farmaceutik si Shqipëria, ka bërë atë që një pjesë e tyre të kthehen në rolin edhe të farmacive duke i shitur barna pacientëve, në kundërshtim me ligjin, madje dhe jo vetëm kaq, por shesin dhe me çmimet e shumicës duke bërë kështu dhe një konkurrencë të pandershme.
A paguajnë çmimin real të medikamenteve qytetarët, a janë rritur realisht çmimet për shkak të ndryshimit të politikave fiskale në këtë fushë?
Çmimet e barnave kanë pësuar shumë ndryshime në vitet e fundit sepse lidhen me një proces që fillon me deklarimin e tyre në Ministrinë e Shëndetësisë e deri te çmimi që paguan pacienti në farmaci. Në çmimin e barit përfshihen dhe marzhet e tregtimit të barnave. Ajo që është e çuditshme për to është tendenca gjithnjë e në rritje e tyre edhe pse marzhet janë ulur disa herë. Një ndikim të madh ka pasur aplikimi i TVSH-së së barnave me 10% që ka çuar në një rritje prej 14% të çmimit të barit.
Po e ilustroj me një shembull: Para futjes së TVSH-së për një bar me çmimin CIF Tirana 10 lekë të cilit i shtoheshin 12% marzhi i depos = 11.2 lekë, pastaj shtohej marzhi i farmacisë 29% =14.4 lekë. Ky ishte çmimi i shitjes me pakicë i vendosur në pullën e barit.
Pas uljes së marzheve të tregtimit të barnave me vendimin e fundit të qeverisë, i njëjti bar do të ishte; 10+10% marzhi i depos=11 lekë + 26% marzhi i farmacisë = 13.8 lekë. Pra, çmimi do të ulej me 0.6 lekë ose 6% më pak.
Me futjen e TVSH dhe pse me marzhe të ulura po i njëjti bar me çmimin 10 lekë + 10% TVSH = 11 lekë, shtohet 10% marzhi i depos = 12.1 lekë, shtohet marzhi i farmacisë 26% =15.2 lekë. Pra 1.4 lekë më shumë ose 14% më shumë.
Vetëm efekti i TVSH-së për të gjitha barnat që qarkullojnë brenda një viti do të jetë 25.2 milion dollarë. Po kështu, pulla fiskale për barnat do të jetë me çmimin shtatë herë më të lartë se pulla e sotme, kostoja e pullës së sotme është 0.7 lekë për copë, nesër do të jetë 4.9 lekë.
Do të theksonim këtu një element tjetër të rëndësishëm koston e transportit të pullave. Mesatarisht në vit bëhen rreth 12 mijë çdoganime vetëm për një zarf të thjeshtë që do të sjellë pullat me DHL për çdo radhë që ka import dhe çdoganim, nga kompania prodhuese e caktuar nga Qeveria Shqiptare, te importuesi i barnave në Shqipëri, një importues do të paguajë mesatarisht 40 euro për një zarf të thjeshtë, po të shtosh dhe peshën e pullave kostoja mesatare e një zarfi do të shkojë rreth 110 euro.
Një kosto të cilën importuesit nuk e kishin deri sot dhe do ta përballojnë me rritjen e çmimit të barit. Kjo kosto e tepërt do të rrisë në mënyrë të dukshme çmimet e barnave me të lira ose alternativat e para të listës së rimbursimit të barnave. P.sh. Atenololi 100 mg. Kutia me 30 tableta sot kushton 78 lekë, kostoja e pullës mund të shkojë rreth 10 lekë si pasojë çmimi në pullën e re do të jetë 88 lekë. Pra, rritja e çmimit do të jetë 12.8%.Alternativat e para të listës së rimbursimit të cilat i përfitojnë shtresat në nevojë, kanë çmime mesatarish deri në 300 lekë për kuti.
Po ti shtojmë dhe 10 lekë koston e pullës fiskale, çmimi i një kutie shkon 310 lekë, ose 3.5% me i lartë. Elementi i tretë që rrit çmimin e barit është kursi i këmbimit të Euros, i cili, bazuar në vendimin e qeverisë për vitin 2012 do të jetë 140.1, nga 137.6 që është sot, pra diferenca do të jetë 2.5%. Përfundimisht, totali i rritjes së çmimit të barnave pas vendosjes së pullës fiskale do të jetë 20% më i larte se para aplikimit të TVSH.