Kohë të vështira për grekët, por të mira për shqiptarët. Nga një vëzhgim i “Monitor” rezulton që individë apo biznese shqiptare po shfrytëzojnë momentin kur bankat janë mbyllur dhe grekët janë të uritur për cash, duke blerë mallra të konsumit, por edhe pasuri të paluajtshme.
Benet Koleka, gazetar i “Reuters”, i cili ishte pak ditë më parë në Kapshticë për të bërë një reportazh për kthimin e emigrantëve, ka konstatuar dhe një dukuri tjetër.
Ai pohon, i kontaktuar nga “Monitor”, se burimet nga dogana e Kapshticës i kanë thënë se së fundmi çdo katërpesë ditë kalon kufirin një shqiptar me traktor, që ose e ka blerë me një çmim fare të lirë, ose ka raste kur individët kanë marrë traktorin në këmbim të pagesës. Apo ka pasur dhe raste të tjera kur punëtorët sezonalë janë paguar me arka me qershi. Një tregtar i lidhur me Greqinë pohon se së fundmi ka blerë duke paguar me para në dorë një sasi më të madhe mallrash sesa planifikonte, për shkak se i mori me gjysmë çmimi.
Nuk mungojnë as ata që po blejnë pasuri të paluajtshme. Koleka pohon se së fundmi, një i njohuri i tij ka blerë një shtëpi-garsionerë në Selanik prej 60 metra katrorë për vetëm 20 mijë euro. Blerja e pasurive të paluajtshme në Greqi në fakt po bëhet një tendencë rajonale. Italianët, rusët e të tjerë, po nxitojnë të blejnë shtëpi në ishujt apo zonat turistike greke, sipas raportimeve të mediave të huaja.
Sipas tyre, nëse kërkesat nga vetë grekët për të blerë pasuri të paluajtshme kanë rënë me 38%, ato të ardhura nga jashtë janë rritur me 60%, ku shifrat më të larta janë shënuar nga italianët me (+194%) dhe Rusia me 244%. Këtë përllogaritje e ka bërë Immobiliare.it që ka analizuar trafikun e korrespodencave të agjencive greke të pasurive të paluajtshme që janë prezent në këtë portal dhe i ka krahasuar me partnerin, grupin Spitogatos.gr, liderin grek online të sektorit imobiluar me 600,000 publikime nga 2,000 sipërmarrje.