ERE ka gjetur se ku do të “luajë” me çmimet për të evituar rritjen për qytetarët dhe për ta kaluar këtë peshë mes operatorëve të tregut. Burime pranë ERE thanë për gazetën se një ndër alternativat e diskutuara është që për OST-në të ndiqet praktika e vjetshme, duke mos miratuar rritje të çmimit për transmetimin e energjisë dhe duke e lënë atë në 0.6 lekë për kilovat/orë. Kjo mosrritje nuk do të bëhet për të favorizuar CEZ-in, por për ta kaluar këtë rritje te tarifa e energjisë që KESH i shet CEZ-it, e cila duhet theksuar se nga 2.03 lekë që ishte në vitin 2010, u ul me vendimin e vjetshëm të ERE-s në 1.48 lekë për kilovat.
Kjo ulje e theksuar krijoi “gropën” e madhe financiare të KESH, i cili do shiste më lirë te CEZ, do blinte më shtrenjtë nga koncesionarët që prodhojnë në vend dhe gjatë këtij viti importoi me çmime relativisht të larta për shkak të thatësirës. KESH-i bëri të ditur se për të importuar kohëve të fundit i ishte dashur të prekte overdraftin prej 45 milionë eurosh. Për të rregulluar gabimin e një viti më parë që “i kushtoi” vendin e punës ish-kreut të ERE-s, Bujar Nepravishta, vendimi për KESH-in pritet të jetë më pozitiv dhe tarifa e shitjes së energjisë të jetë mbi 2.5 lekë, shtuar këtu edhe 0.13 lekëshin e përfituar nga mosrritja e çmimit të transmetimit të energjisë që do t’i “transferohet” korporatës.
Me këtë rritje përmbushet një pjesë e vogël e kërkesës së KESH, i cili ka kërkuar rritje 5.05 lekë për kilovat/orë për çmimin e energjisë që i shet CEZ-it. Duket sikur në këtë mes çekët janë ata që do të humbasin, por nuk është kështu. CEZ-i kërkoi një rritje mesatare 4.6 për qind të çmimit të energjisë, që do t’i kushtojë çdo konsumatori sipas tyre rreth 200 lekë për çdo faturë.
Nga ana tjetër, CEZ parashtroi edhe variantin që, nëse shteti i paguan borxhet që ka ndaj kompanisë dhe të gjendej zgjidhje për borxhin me KESH-in, mund të mos bëhej fare rritje e tarifës së energjisë për këtë kompani. Në fakt, burime pranë ERE-s shprehen se është artikuluar një rritje e mundshme çmimi për energjinë që shkon tek kategoria e bizneseve, të cilat vjet përfituan një ulje 5 për qind të energjisë për orët e pikut. Pikërisht kjo pikë do të korrektohet këtë vit. Ndërkohë që në favor të shpërndarjes është lakuar edhe skema që qeveria nga ana e saj do paguajë borxhet që institucionet shtetërore kanë ndaj kompanisë CEZ Shpërndarje. Në gjithë këtë skemë, ideja kyçe është që rritja të jetë mes operatorëve deri në masën që ruan balancën e mosrritjes së çmimit te konsumatorët familjarë.
Çmimi gjatë 2010
KESH i shiste CEZ-it 2.03 lekë/kwh
OST transmetonte për CEZ 0.6 lekë/kwh
Familjarët deri në 300 kwh 7.7 lekë
Familjarët mbi 300 kwh 13.5 lekë
Çmimi mesatar total 9.53 lekë
Çmimi gjatë 2011-ës
KESH i shet CEZ 1.48 lekë/kwh
OST transmeton për CEZ 0.6 lekë/kwh
Familjarët deri në 300 kwh 7.7 lekë
Familjarët mbi 300 kwh 13.5 lekë
Çmimi mesatar total 9.53 lekë
(Për bizneset u ul me 5 për qind
çmimi i energjisë në orët e pikut)
Kërkesat e operatorëve për 2012
KESH kërkon t’i shesë CEZ-it 5.05 lekë/kwh
OST kërkon të transmetojë
për CEZ 0.73 lekë/kwh
CEZ do shpërndajë tek
konsumatorët 4.6 % më shtrenjtë
Vendimet në diskutim për 2012
KESH do i shesë CEZ mbi 2.5 lekë/kwh
OST do transmetojë për CEZ 0.6 lekë/kwh
Familjarët deri në 300 kwh 7.7 lekë
Familjarët mbi 300 kwh 13.5 lekë
Çmimi mesatar total 9.53 lekë
(Për bizneset do rritet çmimi për orët e pikut)
Ramadani: Ja mbi ç’bazë do vendosim
Kreu i ERE, Sokol Ramadani, tha dje për mediat se procesi i vendosjes së tarifave është i gjatë dhe vendimmarrja nuk është aq e thjeshtë. Sipas tij, llogaritjet e Entit marrin parasysh studimin e planit të investimeve për secilin prej operatorëve KESH, OST dhe CEZ. “Pastaj do diskutohet llogaritja e tarifave të prodhimit, shërbimit, furnizimit me shumicë, transmetimit, shpërndarjes, furnizimit me pakicë dhe çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët tariforë”, tha dje Ramadani.
Defektet, pa drita gjysma e Tiranës
Problemet teknike në rrjetin elektrik janë kthyer në shqetësim për një pjesë të kryeqytetit, pasi prej disa ditësh lagje të ndryshme kanë kufizime të energjisë. Dy ditë më parë, CEZ njoftoi për një dëmtim të një transformatori në nënstacionin e Karbit, që do të sillte kufizime për një pjesë të lagjeve të kryeqytetit. Ndërkaq, bëhet me dije se kufizimet që duket se kanë qenë në masë, kanë ardhur për shkak të avarive në rrjet, të cilat CEZ ka ndërhyrë për t’i riparuar në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Kërkesa për rritje çmimi edhe nga 3 HEC-e të reja
Hidrocentralet që u shkëputën nga Korporata Elektroenergjeitke Shqiptare disa muaj më parë me vendim të qeverisë, tani kanë aplikuar për rritje të çmimit të energjisë që ato prodhojnë. Janë hidrocentralet Bistrica 1 dhe Bistrica 2, hidrocentrali Lanabregas, si dhe Ulëz-Shkopet, që tani mbajnë statusin e sh.a-ve, të cilat kanë bërë kërkesat e tyre pranë ERE. Në takimin që u zhvillua ditën e djeshme pranë Entit, këtyre sh.a-ve iu kërkua që të paraqesin planin e biznesit që ato parashikojnë për vitin në vijim, në mënyrë që të argumentohet edhe kërkesa e tyre për rritje të çmimit të energjisë. Këto hidrocentrale kanë përkatësisht një fuqi të instaluar prej: Bistrica 1 24 megavat, Bistrica 2 rreth megavat, Lanabregasi 5 megavat, Ulëza 24 megavat dhe Shkopeti 25 megavat. ERE ka kërkuar nga këto sh.a që në takimin e ardhshëm të shpjegojnë planin e tyre të investimeve që synojnë të kryejnë. Pas shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe argumentimit nga ana e ERE, do të merret vendimi për çmimin e shitjes së energjisë për secilën prej sh.a-ve. Shtyrja e vendimit për javën e ardhshme është bërë edhe për të sqaruar disa pika në planin e investimeve të CEZ Shpërndarjes dhe jo vetëm për sh.a-të e reja.