Cmimi i energjise ja sa do te paguajme

Cmimi i energjise, ja sa do te paguajme

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) do të publikojë sot, në orën 15:00 çmimin e ri të energjisë elektrike që do të faturohet për të gjithë kategoritë e konsumatorëve në vend. Ky vendim do të publikohet pas mbledhjes që do të Bordit. Ajo që dihet e sigurt është fakti që qeveria nuk do të lejojë një çmim më të lartë se sa 10 lekë për kilovat. Ndërsa nga burime të brendshme të gazetës është mësuar se debati brenda ERE-s ka qenë për një çmim nga 9.2 lekë për kilovat në 9.8 lekë për kilovat. Me vendimin e shumë diskutuar deri më tani si dhe debatet mbi çmimin, cilësinë e shërbimit apo edhe malin e borxheve të akumuluar, duket se do të marrin sot një drejtim. Kërkesa e bërë nga ana e tre operatorëve, KESH, OST dhe OSHEE, për rritje çmimi, të cilat në vlerë mesatare shkojnë rreth 12 lekë për këh, si dhe vendimit të qeverisë që nuk mbështet asnjë çmim që mund të jetë më i lartë se mesatarja aktuale, duket se konsumatorët do të njihen më në fund me vlerën që duhet të paguajnë për shërbimin e marrë. Në një situatë kur pritet rritja e çmimit, apo nëse do të mund të përballemi me efektin “surprizë” mbi këtë çmim, sërish situata energjetike duhet të dalë nga ngërçi në të cilin ka ngecur. Borxhet e pambledhura të kompanisë OSHEE, ish-CEZ, ndaj konsumatorëve deri në fund të muajit nëntor arrinin vlerën e 71 miliardë lekëve në fund të vitit 2013. Në këtë shumë, pjesën më të madhe të borxhit e zënë familjarët me vlerë rreth 45 miliardë lekë. Kjo shumë llogaritet të jetë krijuar pas vitit 2007.

Dyfishohen arkëtimet

Arkëtimet e pagesave të energjisë elektrike kanë ardhur drejt dyfishimit për ata që nuk kanë paguar dhe që iu është ndërprerë energjia elektrike. Ndërkaq, OSHEE-ja ka treguar se gjatë kësaj kohe, se nuk ka tendencë për të rilidhur energjinë elektrike pasi është shkëputur nga punonjësit e saj, pa u shlyer detyrimet. Vetëm për muajin nëntor është vërejtur një dyfishim i arkëtimeve edhe në zonën më informale të Tiranës. Nga burime brenda kësaj drejtorie vetëm për muajin nëntor mësohet janë arkëtuar 5,8 miliardë lekë, si dhe janë kryer 1200 lidhje të reja. Masat e rrepta për të penalizuar abuzuesit e energjisë elektrike kanë bërë që qytetarët të mos tentojnë të rilidhin energjinë pasi elektricistët e OSHEE- së kanë bërë ndërprerjen. Gjithashtu, mundësia e faljes së kamatëvonesave në masën 80 për qind për të gjithë ata debitorë që do të paguajnë faturat deri në fund të muajit shkurt, ka shtuar radhët në zyrat e kujdesit ndaj klientëve për nënshkrimin akt-marrëveshjeve. Për këtë njësi të OSHEE-së mesatarja e aktmarrëveshjeve është 500 të tilla në një ditë. Instalimi i sahatëve matës do bëhet jo vetëm në objektet e banimit apo ato të shërbimeve ekonomike, por edhe në kabinat e shpërndarjes. Kjo, sipas burimit, do të bëhet për të kontrolluar nëse sasia e energjisë së shpenzuar dhe që del nga kabina, është në përputhje me totalin e energjisë së faturuar dhe që shpërndahet për secilin matës. Nga të dhënat, mësohet se vetëm për muajin nëntor janë realizuar 2700 lidhje të reja. Sipas drejtuesve të zyrave të TIRANA 3, vetë abonentët kanë kërkuar të hyjnë në sistemin e pagesës për shërbimin që përfitojnë. Për “Shekullin”, burimet konfirmuan se faza e inspektimeve dhe kontrolleve në terren do të bëhet ne tri faza. Do të fillohet me krehjen e zonës nga abonentët problematikë. Kjo procedurë do të bëhet me laboratorët 3G, për të kontrolluar saktësinë e matëseve. Një luftë e madhe konsiderohet edhe ndërprerja e telave që futin energji jashtë sistemit matës, madje u konfirmua se, ky lloj abuzimi bëhet kryesisht natën ku për shkak të ndriçimit është shumë e vështirë për tu parë me sy të lirë.

Një ditë aksioni në Tiranë

Burime të gazetës “Shekulli” pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike vetëm në një ditë aksion në kryeqytet, ku edhe humbjet shënojnë vlera më të mëdha, janë bërë 659 kontrolle. Nga këto janë ndërprerë 512 abonentë debitor, ku 270 ndërprerje janë bërë në bashkëpunim me policinë. Në vetëm një ditë aksion, nuk kanë munguar edhe denoncimet. Janë denoncuar 6 abonentë familjarë dhe janë kryer 5 arrestime. Në këtë aksion të OSHEE-së ku duket se litari për abuzuesit është mbledhur shumë, janë kryer 5 arrestime, nga të cilët 4 kanë qenë abonentë familjarë dhe 1 abonent privat, pra pronar biznesi.

Ndryshimet me heqjen e fashës

Një familje që konsumon 300 kilovat në muaj: Deri në 31 dhjetor 2014 paguan 2770 lekë; Nga 1 janar 2015 do të paguajë 3440 lekë.

Një familje që konsumon 350 kilovat në muaj: Deri në 31 dhjetor 2014 paguan 3582 lekë; Nga 1 janar 2015 do të paguajë 3990 lekë.

Një familje që konsumon 400 kilovat në muaj: Deri në 31 dhjetor 2014 paguan 4392 lekë; Nga 1 janar 2015 do të paguajë 4560 lekë.

Një familje që konsumon 450 kilovat në muaj: Deri në 31 dhjetor 2014 paguan 5202 lekë; Nga 1 janar 2015 do të paguajë 5130 lekë.

Një familje që konsumon 500 kilovat në muaj: Deri në 31 dhjetor 2014 paguan 6012 lekë; Nga 1 janar 2015 do të paguajë 5700 lekë.

 Një familje që konsumon 600 kilovat në muaj: Deri në 31 dhjetor 2014 paguan 7632 lekë; Nga 1 janar 2015 do të paguajë 6840 lekë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama