Qeveria greke nuk i ka dhënë asnjë informacion qeverisë shqiptare “Berisha” në vitin 2013 në lidhje me vendimin e saj për miratimin e projektit për devijimin e lumit Vjosa nga pala greke, projekt ky që parashikon derdhjen e tij në liqenin e Janinës. Është kjo deklarata e ish-zëvendësministrit të Jashtëm, Kreshnik Çollaku, i cili hedh poshtë pretendimet e bëra publike të avokatit të qeverisë greke, i cili pretendon se qeveria shqiptare është lajmëruar për këtë projekt. Në një prononcim dhënë dje për gazetën “Shqip”, Çollaku shpjegon dhe të gjithë rrjedhën e ngjarjeve gjatë dy javëve që kjo situatë u menaxhua nga qeveria e mëparshme lidhur me çështjen e devijimit të lumit Vjosa, deri në dorëzimin e zyrave për shkak të rrotacionit politik.
“Vetëm dy javë kemi pasur kohë fizike për t’u marrë me këtë problem, sepse lamë zyrat. E kam ndjekur debatin tani së fundmi dhe sa i përket historisë, nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar nga qeveria greke për këtë projekt në atë kohë. Absolutisht asnjë njoftim zyrtar. Mbase kjo duhet theksuar, pasi e shikoj që dhe avokati i qeverisë greke në procesin gjyqësor që po mbahet atje, e ka ngritur një pretendim të tillë, por nuk është e vërtetë, pasi s’ka pasur asnjë njoftim të qeverisë greke. Ne na ka ardhur si informacion, duhet të ketë qenë java e mesit e të korrikut të vitit 2013 dhe informacioni na ka ardhur nga rrugë jozyrtare, informale, jo rrugë formale zyrtare, nga mediat në Greqi dhe burime të tjera, se ka një ide për të zhvilluar një projekt të tillë. Bëhet fjalë për mesin e korrikut 2013 dhe menjëherë jemi mbledhur një grup pune në Ministri. U kam kërkuar specialistëve për të parë dhe për të kuptuar se çfarë po ndodh.
I kemi kërkuar ambasadës sonë në Athinë që në rrugë zyrtare të kërkojë informacione nga qeveria greke se çfarë është kjo histori. Pasi nuk arrinim dot të kuptonim situatën, pasi vendimi i qeverisë greke ishte marrë, por ky vendim nuk ishte i zbardhur në faqen zyrtare, dhe ishte gjëja më e pazakontë. Vendimet e tjera që merrte qeveria greke, i shpallte në faqen e saj zyrtare, të plota me tekstet shoqëruese, ndërsa vendimin në fjalë e njoftonte se ishte marrë, por nuk shpallte brendësinë e përmbajtjes së vendimit lidhur me çështjen në fjalë. Pra, e ndjenin se kishte diçka që duhej fshehur. Dy javë mbas kësaj ne lamë zyrat, pasi u ndërrua pushteti dhe erdhën njerëz të tjerë në ato zyra. Kështu që, për sa i përket kohës sonë, ka qenë vetëm dy javë periudha e veprimit zyrtar për këtë çështje dhe janë bërë këto dy veprime që ju thashë më lart. Pas kësaj e mbrapa, çdo informacion duhet ta japin drejtuesit e rinj të Ministrisë së Jashtme”- u shpreh Çollaku. Ndërkaq sa i përket procesit gjyqësor që do të zhvillohet në Athinë muajin e ardhshëm, kreu i Departamentit për Politikën e Jashtme në PD, thekson se pala shqiptare, në mënyrë absolute, nuk duhet dhe nuk mund të pranojë që vendime të tilla të merren në mënyrë të njëanshme, pasi ky projekt do të shkaktojë pasoja katastrofike për vendin tonë.
“Sjelljet mbi ujërat dhe burimet hidrike janë objekt i të drejtave ndërkombëtare, ku edhe Shqipëria edhe Greqia i njohin këto dhe kanë firmosur marrëveshje të tilla. Shqipëria dhe Greqia kanë komisione dypalëshe të ujërave, kështu që në asnjë mënyrë, Shqipëria nuk mund të lejojë që të dhunohen në mënyrë të njëanshme këto të drejta. Me çfarë kam parë nga specialistët dhe me atë çfarë është thënë, devijimi i Vjosës do të sillte pasoja katastrofike mbi ambientin dhe mbi burimet energjetike të Shqipërisë, ndaj nuk mund të tolerohet e gjithë kjo, në mënyrë absolute”- u shpreh Çollaku. Ai akuzon qeverinë shqiptare për mosbërjen e transparencës së bisedimeve të zhvilluara mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke gjatë këtyre dy viteve që socialistët janë në qeverisje. “Ministria apo qeveria duhet të na bëjë publike, se çfarë kanë biseduar në këto dy vjet. S’ka asnjë informacion të tillë dhe është një mungesë e plotë transparence”- tha Çollaku.