Që zgjidhja e konflikteve ballkanike nuk mbetet çështje vetëm ballkanike, është diçka me të cilën jemi mësuar. Madje dhe kur vjen puna te një lëndë universitare mbi këtë temë dhe harmoninë sociale në rajonin tonë, është një universitet amerikan, “Columbia University”, që e ka të përfshirë në kurrikulat e tij. Por me gjithë interesin e përgjithshëm, zgjidhja e konflikteve të Ballkanit është një çështje që i përket së pari vetë ballkanasve. Për këtë qëllim Instituti për të Drejtat e Njeriut i Universitetit të Columbia-s, në bashkëpunim me Institutin “Maks van der Shtul” të Universitetit të Europës Juglindore në Tetovë, organizuan në datat 25-28 mars 2013 trajnimin me akademikë nga trojet shqiptare në rajon, me temë “Zgjidhja e konflikteve dhe harmonia sociale në Ballkanin Perëndimor”.
Synimi i këtij trajnimi ishte përgatitja e stafit akademik me teoritë dhe praktikat e duhura për zgjidhjen e konflikteve dhe krijimin e një harmonie sociale midis etniteteve të ndryshme. Trajnimi u mbajt në kampusin e Universitetit të Europës Juglindore në Tetovë dhe në të morën pjesë mësimdhënës dhe lektorë nga trojet shqiptare: Tirana, Prishtina, Tetova, Shkodra dhe Shkupi. Përfaqësuesit e “Columbia University” kanë vendosur ta transferojnë lëndën e tyre semestrale “Zgjidhja e konflikteve dhe harmonia sociale në Ballkanin Perëndimor” pikërisht në universitetet e vendeve për të cilat ajo flet: ato të Ballkanit Perëndimor.
Vendosja e një lënde të tillë në kurrikulat universitare është një nga ato masa që do nxiste çeljen e mundësive të reja në të mirë të harmonisë sociale në rajon, prandaj dhe ajo ishte objektivi i parë i këtij trajnimi. Përmirësimi i kurrikulës në arsimin e lartë, pra përfshirja e lëndës “Zgjidhje konfliktesh dhe harmonia sociale” në kurrikulat universitare shqiptare kërkon edhe përgatitje të stafit, prandaj gjatë takimit në Tetovë u shpall i domosdoshëm trajnimi i stafit akademik, në mënyrë që ata më pas të jenë të aftë dhe me njohuritë e duhura për të trajnuar të tjerët mbi këtë fushë. Përfaqësuesit e rajonit thanë fjalën e tyre sesi programi i kësaj lënde të Columbia University mund të përmirësohet e si kjo lëndë mund të përshtatet me kurrikulat e universiteteve të tyre, duke pasur me vete perspektivën e Ballkanit në sytë e akademikëve nga Ballkani që jetojnë çdo ditë sfidat e një rajoni në kërkim të harmonisë sociale. Metodologjia dhe praktikat efikase, të cilat ndihmojnë në krijimin e një klime të paqtë dhe të sigurt ndërmjet komuniteteve të ndryshme, janë kushtet që do e bënin të mundur vlefshmërinë e këtij projekti.
Në trajnimin për kurrikulat dhe programet akademike në lidhje me zgjidhjen e konflikteve dhe harmoninë sociale morën pjesë dhe kërkuesit e rinj të Universitetit Europian të Tiranës dhe Qendrës UET.
“Trajnimi ishte shumë i vlefshëm jo vetëm për zgjerimin e njohurive tona rreth kurrikulave akademike për zgjidhjen e konflikteve dhe harmoninë sociale, por mbi të gjitha edhe për vendosjen e urave lidhëse dhe bashkëpunuese me kolegë e organizatat e tjera të rajonit.”- u shpreh Vilma Spahiu, doktorante në UET dhe pjesëmarrëse në trajnim. Në të njëjtën linjë, Fatri Morina, doktorant në UET në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe pjesëmarrës në trajnim, vlerëson shumë rolin e trajnimit për promovimin e diversitetit dhe harmonisë sociale në rajon si dhe rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit mes institucioneve kërkimore dhe akademike me qëllim kontributin e zhdukjes së konflikteve.
Ballkani, për arsye të shumta historike, ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë, një rajon dinamik dhe me shumë çështje konfliktuale, të cilat duhen zgjidhur. Bartja e kësaj kurrikule, pra implementimi i saj në kurrikulat e universiteteve shqiptare, sipas pjesëmarrësve, do të ndikojë pozitivisht në zgjidhjen paqësore të konflikteve, në rritjen e besimit të ndërsjellë, në krijimin e klimës së mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit, si dhe në vendosjen e një harmonie sociale ndërmjet komuniteteve të ndryshme.