Corriere della Sera Ja ku shkuan parate e pista te Becchetti-t

'Corriere della Sera': Ja ku shkuan parate e pista te Becchetti-t

Urdhër-arresti i lëshuar nga Prokuroria shqiptare për sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, bëri bujë edhe në mediat italiane. Prestigjiozja italiane “Corriere della Sera” e ka vendosur atë lajm kryesor me titullin: “Mandat arresti për krijuesin e Agon, Becchetti-n”.

Corriere e vë theksin tek akuza, që Prokuroria shqiptare ka ngritur për sipërmarrësin nga Roma, pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh. Prestigjiozja italiane shkruan se nën sekuestro është vënë paketa e aksioneve të Becchetti-t në pesë shoqëri të regjistruara në Shqipëri. Ndër to ai zotëron 60% të Agon Set, ku përfshihen Agon Channel e Agon Italia, dy televizione që dyshohet se janë ngritur me paratë e pista që qarkulloheshin nga Becchetti.

E përditshmja italiane thotë se Becchetti ka shfrytëzuar aktivitetin e tij në sektorin e energjisë, veçanërisht projektin për ndërtimin e një prej hidrocentraleve më të mëdha në vend, atë të Kalivaçit për të përfituar miliona euro.

Projekti, sipas “Corriere della Sera”, zë fill që në vitin 1997. Në të janë investuar mbi 160 milionë dollarë dhe ndër investitorët, ishte edhe gjiganti italian i energjisë ‘Enel’, që u tërhoq nga projekti duke nisur një betejë ligjore me Becchetti-n.

“Paratë që duhej t’i përdorte për këto projekte, përfunduan në llogaritë e tij bankare ose u investuan në biznese të tjera në Shqipëri, siç është rasti i dy televizioneve ‘Agon Channel’ e ‘Agon Italia’, të financuara me para të pista”, shkruan “Corriere”.

Mediat e ngritura nga Becchetti kanë tërhequr figura të njohura të ekranit në të dy vendet. Mes tyre përmendet edhe rasti i ish-drejtorit të Radio Rai Unos, Antionio Caprarica, i cili hoqi dorë nga kontrata në dhjetor të vitit të kaluar. Caprarica u ankua në atë kohë se në ‘Agon Italia’ punohej shumë dhe në kushte të padenja. Ai rrëfeu se të punësuarit, punonin deri në kontenierë, që ishin përshtatur për zyra.

Pjesë nga artikulli i “Corriere della Sera”:

Prokuroria shqiptare ka nxjerrë të hënën një urdhër arresti për sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, pronar i Agon Channel, televizioni i parë i delokalizuar ‘Made in Albania’, që transmetohet në Itali në kanalin 33 të dixhitalit tokësor. Sipërmarrësi nga Roma akuzohet për pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh. E njëjta akuzë rëndon edhe mbi mamanë e tij, Liliana Condomitti, bashkëpunëtorin e tij Mauro de Renzis, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër arresti dhe Erjona Troplinit, një bashkëpunëtore shqiptare, që ka rënë në pranga. Është arrestuar edhe punonjësja e një banke në Tiranë, që ka ndihmuar në “transaksionet e dyshimta” të Becchetti-t.

Becchetti është nipi i Manlio Cerroni, njeriu i cili për tridhjetë vjet ka administruar vendgrumbullimin më të madh të plehrave në Itali, atë të Malagrotës, në Romë, dhe që sot është i pandehur në gjyqin për administrimin e plehrave në rajonin e Lacios.

Në televizionin e tij kanë gjetur hapësirë disa fytyra të njohura të panoramës italiane si Pupo, Simona Ventura, Sabrina Ferilli, Luisella Costamagna dhe Roberto D’Agostino, Monica Setta apo Antonio Caprarica. Pikërisht ish-drejtori i Radio Rai Uno kishte hequr dorë nga kontrata e tij në dhjetor, duke shkaktuar një polemikë të ndezur me botuesin Becchetti.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama