Crown Agent Blushi kunder qeverise Absurde qe te mos paguaje taksa

'Crown Agent', Blushi kunder qeverise: Absurde qe te mos paguaje taksa

Brenda mazhorancës së re ka zëra kritikë për vendimet e para të qeverisë “Rama”. Deputeti socialist Ben Blushi ka kritikuar sot publikisht marrëveshjen e qeverisë me agjencinë “Crown Agent”. Ai e ka cilësuar si absurd vendimin që agjencia “Crown Agent” të mos paguajë taksa. Përgjigjen zotit Blushi ia ka kthyer zv.ministri Ervin Mete sipas të cilit po ndiqet një praktikë standarde për një asistencë evropiane. Komentet e Blushit u bënë sot në mbledhjen e Komisionit të Integrimit, I cili miratoi vetëm me votat e shumicës projektligjin për asistencën e shërbimit doganor me kompaninë “Crown Agent”.  Mbledhja e komisionit u shoqërua me debate mes mazhorancës dhe opozitës ku kjo e fundit është shprehur kundër miratimit të kontratës me “Crown Agent” për doganat.

Deputeti i PD, Genc Ruli ka theksuar se kontrata me “Crown Agent” është më e dobëta e realizuar nga shteti shqiptar. “Kontrata nuk ka parashikuar asnjë penalitet për ‘Croën Agent’, nëse ajo nuk përmbush kërkesat. Nuk është respektuar transparenca dhe rregullat ligjore për kontratën. Kompania “Croën Agent” në rajon ka dështuar, kontrata nuk duhet të miratohet”, ka theksuar Ruli.

Deputeti i PS-së Taulant Balla theksoi se kontrata do të sjellë 90 milionë euro më shumë në dogana që në vitin e parë.  Ai theksoi se do të kërkojë një audit edhe për fondet e Bashkimit Evropian, por kjo sipas deputetit Genc Ruli nuk mund të bëhet pasi këto fonde nuk i menaxhon Shqipëria pasi ajo nuk e ka marrë ende statusin.  Ndërsa zv.ministri i Financave, Ervin Mete ka theksuar se kontrata nuk cënon asnjë ligj dhe ajo do të lidhet duke e respektuar ligjin. “Kompania “Crown Agent” punon në shumë vende, ne kemi kërkuar vetëm asistencë. Synojmë të përmirësojmë praktikat e punës, ndaj kërkojmë autorizimin tuaj për miratimin e marrëveshjes. Kontrata do lidhet sipas ligjit, por duke qenë në emergjencë, respektimi i ligjit të prokurimeve do të na vononte. Kontrata nuk cënon asnjë ligj, “Crown Agent” ka realizuar një sërë projektesh të tilla në rajon, kanë dhënë efekt. Do rriten të ardhurat nga 10.1 % e GDP në 11 % të saj” është shprehur Mete.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama