Crregullimet e karakterit autik sekreti i progresit te njerezimit

Crregullimet e karakterit autik, sekreti i progresit te njerezimit
Për mijëra vite me radhë, paraardhësit tanë kanë ndërtuar të njëjtat vegla me gurë e dru. Por rreth dhjetë mijë vjet më parë u shënua në një farë mënyre një revolucion teknologjik. Instrumentet u bënë më të sakta, ndërtoheshin më me kujdes. Filluan të shfaqeshin harqet, shigjetat e kurthet që bënin të mundur gjuajtjen e kafshëve më të rrezikshme. Kjo kthesë e menjëhershme e evolucionit është shpjeguar nga studiuesja britanike Penny Spikins, profesore në Departamentin e Arkeologjisë në Universitetin e Nju Jorkut. Sipas studimit të publikuar në New Scientist, ky zhvillim mund të ketë ardhur si pasojë e kontributit inovativ që kanë dhënë individët e prekur nga çrregullime të spektrit autik.

Dihet që këta individë janë shumë sistematikë dhe përqendrohen tërësisht në punën që bëjnë, kështu që mund të kenë qenë ata autorë të përmirësimit të mjeteve të punës. Pikërisht të kësaj periudhe janë edhe dëshmitë e para të krijimtarisë artistike si varëse dhe dekorime të bëra prej kockash apo instrumente të thjeshta muzikore. Pak më vonë, paraardhësit tanë nisën të vizatonin figurat e para në muret e shpellave, vizatime jashtëzakonisht të ngjashme me ato që bëjnë sot të prekurit nga autizmi.

Paralelisht nisën të zhvillohen edhe praktikat spiritualiste, besimet e magjitë. U përhapën magjistarët me gjendjet e tyre të transit e halucinacionet. Në ditët e sotme, këta persona mbase do të ishin diagnostikuar me skizofreni, por në atë kohë ata luajtën një rol mbase thelbësor në krijimin e komuniteteve dhe agregateve të para të civilizimit.

Impulsi kreativ

Sipas studimit, individët bartës të çrregullimeve psikike që i përkasin sferës së autizmit e skizofrenisë (sëmundje që pjesërisht transmetohen nëpërmjet gjeneve) i dhanë impuls vendimtar zhvillimin social e teknologjik të njerëzimit.

“Në një moment të caktuar, paraardhësit tanë filluan të zhvillojnë emocione komplekse si dhembshuria, mirënjohja dhe admirimi. Ky pasurim shpirtëror u bë një nga urat themelore që u lejoi qenieve njerëzore të dilnin mbi humanoidët e tjerë si njeriu i Neandertalit, Homo Erectus apo Homo Floresiensis. Paradoksalisht, elementi fitues ishte pikërisht prezenca dhe mbizotërimi i këtyre gjeneve, të cilat ne sot i lidhim me çrregullimet mendore.

Gjenitë

Sipas kësaj teorie, elementi që shtyu përpara njerëzimin ishin pikërisht këto çrregullime jo fort të rënda. “Në vitet e fundit është rritur vëmendja ndaj këtyre çrregullimeve të karakterit autik si sindroma e Aspergerit. Personat e prekur prej saj, pavarësisht se kanë vështirësi në marrëdhëniet me të tjerët, janë të aftë të përdorin të folurën dhe të realizojnë një bashkëveprim shoqëror funksional. Por ata mendojnë ndryshe nga ne dhe kjo bën që në disa raste të shënojnë kthesa të jashtëzakonshme në shkencë dhe art.

Historia e njerëzimit njeh shumë individë të tillë si Çarls Darvin, Isak Njuton, Luis Karol, Vincent van Gog e mbi të gjithë Albert Ajnshtajn. Ajnshtajni konsiderohej shpesh si i paaftë për të përjetuar disa lloj emocionesh, kishte marrëdhënie ta vështira familjare (nuk komunikonte me të birin, i cili më vonë u shtrua në një spital psikiatrik).

Por ai arriti të mendonte të pamendueshmen, hodhi themelet e fizikës duke përdorur si mjet pune ekskluziv mendjen e tij. “Imagjinata është më e rëndësishme se dija”, thoshte ai. Dhe me këtë imagjinatë kreative, përmes eksperimenteve, ai arriti që në 1905 të formulonte ide dhe modele revolucionare si teoria e relativitetit në kohë e hapësirë, që për dekada të tëra mbetën të pakuptueshme për shumicën e bashkëkohësve të tij.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama