Crystal ana e bukur e shendetit

Crystal, ana e bukur e shendetit
Crystal Renn ka një fytyrë perfekte, por forma trupore larg perfektes: 96-76-106. Megjithatë, sot ajo është një nga top-modelet më të paguara dhe më të kërkuara në Francë, djepin e modës. Kjo është historia me fund të lumtur e një vajze shumë të bukur dhe me forma të rrumbullakosura. Është rrëfimi i një vajze të brishtë dhe plot dëshirë për të jetuar, që ëndërronte me gjithë shpirt të bëhej modele, pavarësisht disa kilogramëve më shumë dhe formave trupore jo perfekte. E asaj, që pasi kishte kaluar me qindra vuajtje, arriti të bënte realitet ëndrrën e saj: sot ajo është një nga modelet më të paguara në Francë, më e kërkuar nga kopertinat e revistave të specializuara, më të kënaqura për të treguar atë që një ushqyerje e shëndetshme dhe pa kufizime sjell në të gjitha pjesët e trupit tonë.

Kjo është historia e Crystal Renn, një bukuroshe e datëlindjes 1987, e lindur në Majami, por që në Francë pëlqehet më shumë se linjat dhe format e Kate Moss-it. Nuk është se Crystal peshon 100 kilogramë dhe duket si versioni i një mundëseje në pasarela, por megjithatë format e saj trupore nuk mund të krahasohen me ato të Gisele Bundchen, Kate Mos apo Gema Ward. Në gjuhën e shifrave të modës, ajo ka në gjoks 96 centimetra, belin 76 dhe vithet 106. Nuk është një shaka e natyrës, por një “plus-size” e kërkuar nga stilistë të kalibrit të tillë si Jean Paul Gaultier dhe Dolce&Gabbana, edhe për fytyrën e saj perfekte: brune me vetullat e gjata, sytë gështenjë dhe fytyrën me një lëkurë të pastër.

Duke zbritur më poshtë, kofshët nuk janë 100 për qind të tonifikuara dhe celuliti i shpërndarë në mënyrë homogjene dallohet qartë. Duket e pakuptimtë kjo për botën e modës, kur dihej fare mirë se deri dje askush nuk mund të ngjitej në pasarelë pa pasur format e duhura dhe një peshë trupore që shpesh të ngjallte frikën. Modelet e preferuara ishin ato që vdisnin për të ngrënë, që ushqeheshin vetëm me ndonjë mollë dhe ndonjë fletë sallatë në ditë. Por, Crystal duket vërtet larg këtyre “torturave”. Megjithatë, asnjë histori nuk mund të ketë fund të bukur pa pasur një të kaluar të dhimbshme dhe plot vuajtje.
Zbulimi

Në moshën 14-vjeçare ajo zbulohet nga një agjenci modelesh që dëshiron ta prezantojë në botën e modës, por me kusht që të humbte të paktën 20 kilogramë. Vajza e shkretë që nuk e  konceptonte dot jetën larg pasarelave, hyri në ferrin e kequshqyerjes dhe të stresit pa kufi. Me dëshirën e jashtëzakonshme për t’u shfaqur në faqet e “Vogue”, vogëlushja Crystal hoqi dorë nga ushqimet: nuk hante më sheqerna, karbohidrate dhe yndyra, për të vetëm pije të lehta dhe sallata, përveç shumë orëve në palestër. Pesha e saj nisi të bjerë e bashkë me të edhe ekuilibri mendor. Crystal hyri në rrugën e anoreksisë. Nuk është e lumtur, familja është e shqetësuar, vajza ka arritur të ketë sukses në fushën e modës, por çmimi që duhet të paguajë është shumë i lartë. Pastaj vendos të braktisë modën, të kurohet dhe të kthehet në shëndetin që i përket. Pas rehabilitimit, puna nuk iu ndal, madje kishte më shumë sukses: u kthye në muzën e fotografit Steven Meisel, përfundon në faqet e “Vogue US”, Itali, Gjermani, Francë, në “Elle” në Kanada e Itali, “Vanity Fair” dhe “Harper’s Bazaar” e “Another Magazine”, duke u bërë imazhi i firmës “Mango”, duke u bashkuar në fushatën publicitare të motrave Monica e Penelope Cruz. Tani, Crystal është shumë e lumtur, përveçse e kërkuar. Në faqet e “Cosmopolitan” tregon se është krenare për trupin e saj dhe tregon se është e lumtur dhe e shëndetshme. Tani bukuroshja 24-vjeçare bën fushatë kundër anoreksisë dhe lajmëron koleget e saj dhe ato që synojnë t’i bashkohen fushës së modës se, nuk është nevoja për të vdekur që të dukesh bukur për të tjerët. Në vitin 2006 zgjodhi sallonin mediatik të Oprah Winfrey për të treguar eksperiencën e saj për të gjitha ato që janë akoma të pavendosura mes jetës dhe profesionit. Në vitin 2007 martohet me të dashurin e saj në një ceremoni të thjeshtë në Manhatan, ndërsa ceremonia fiksohet në celuloid nga fotografi Brian Boulos. Jo më kot të vjen të pyesësh se përse askush para saj nuk e kishte bërë diçka të tillë?

Për shembull, mes ikonave të bukurisë me format e rrumbullakosura qëndron edhe Beyonce, një kantautore, aktore dhe stiliste, e konsideruar një nga gratë më të dëshiruara të planetit dhe modele për “L’Oreal” dhe ‘Nintendo”. Mbi pasarela janë Tocaa Jonmes, Mia Tyler, motra e Liv, por mbi të gjithë Sophie Dahl, që i skandalizoi të gjithë kur u shfaq nudo në publicitetin e parfumit të Yves Saint Laurent. Por nëse format e tyre trupore ndryshojnë sipas kërkesave të modës, amerikania Renn tregon se, “një imazh i tillë e ka bërë të lumtur, sepse ajo është e ndërgjegjshme që është një përjashtim në botën e modës”. Ajo nuk dëshiron të konsiderohet një nga manekinet e “shëndosha” më të kërkuara të momentit, por një top-modele me plot kuptimin e fjalës, që i ka “imponuar” format e saj trupore botës së modës dhe revistave prestigjioze, të cilat deri më sot ishin të fiksuara pas masës 36 dhe modeleve anoreksike ku gjithçka fillon me një batutë: “Dua të mbaj dietë”, më pas gjërat marrin pak e nga pak drejtimin e gabuar. Fatkeqësisht, anoreksia është një sëmundje mendore, e cila ka të bëjë me imazhin që femra ka për vetveten dhe idealin që i imponohet nga mediat. Pra, sado të dobëta të jenë, ato mendojnë se janë mbi peshë. Aty ku të tjerët shohin kocka, personi vetë sheh dhjam e celulit. Më të prekura janë vajzat në moshën e adoleshencës, por edhe ato më të rritura, 20-25.

“Në këtë kohë krize duhet të shohësh njerëz bujarë dhe optimistë që kanë dëshirë të jetojnë. Ka plot anoreksike të trishtuara. Sot duhen femra që pëlqejnë trupin e tyre dhe të mos bëhen të burgosurat e industrisë së modës”, - shkruhet në revistën “Elle”. Me të vërtetë që këto janë fjalë të shenjta dhe duhen dëgjuar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama