Nuk do të ketë aktorë të përhershëm në Teatrin Kombëtar dhe puna e gjithsecilit do të jetë në monitorim të plotë nga ana e drejtorit të ri, Hervin Çuli. Kreu i ri i Teatrit Kombëtar u prezantua për aktorët, regjisorët dhe të gjithë punonjësit e institucionit nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Ky ishte takimi i parë i tij me punonjësit e institucionit që ai drejton ku përveç stafit të Teatrit Kombëtar, në këtë takim ishte e pranishme edhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro së bashku me ish-drejtorin e teatrit, Kristaq Skrami.
Ish-drejtori i këtij institucioni Kristaq Skrami, me një shtrëngim duarsh i ka uruar suksese në realizimin e platformës ambicioze dhe në të njëjtën kohë i ka dorëzuar “timonin” e kreut të Teatrit, regjisorit Çuli. Ky i fundit në një fjalim të shkurtër është shprehur:
“Unë sigurisht që nuk jam perfekt, por e dua shumë skenën dhe nuk jam këtu që të dëmtoj njeri. Jam këtu, që të ndërtoj. Shpresoj që ato që unë ëndërroj dhe kam si synime t’i realizojmë të gjithë bashkë” u shpreh Çuli.
Ai është shprehur se e vetmja “njollë” me të cilën do të merret më shumë do të jetë ajo karshi njerëzve , të cilët nuk i përgjigjen institucionit përkatës me punë.
Regjisori e ka shpalosur edhe në platformën e tij idenë kundër emërimeve të përhershme të aktorëve në Teatrin Kombëtar, të cilët vazhdojnë të paguhen edhe pse kanë vite të tëra që nuk ngjiten në skenë.
Ai gjithashtu është shprehur se TK-ja nën drejtimin e tij do të jetë një institucion me kontrata pune 1-vjeçare. Kjo është një ndër pikat kyçe të platformës së tij.
Aktorët do të rekrutohen nga regjisorët dhe do të miratohen nga vetë drejtuesi i TK-së së bashku me bordin artistik.
Çuli ka vijuar më tej me shpalosjen e platformës së tij për aktorët, regjisorët dhe të gjithë punonjësit e institucionit. Kriteret që duhet të plotësojnë aktorët në mënyrë që të rekrutohen si pjesë e stafit ishin disa, por ndër më kryesoret ishte karriera e spikatur artistike dhe audicioni.
Deri në këto momente teatri rekrutonte aktorët me moshë mbi 55 vjeç me një kontratë pa afat ose të papërcaktuar. Sipas platformës së tij për reformimin e Teatrit Kombëtar, çdo vit do të ftohet një regjisor i huaj i kategorisë së parë dhe çdo vit do të ketë një regjisor të ri.
Sipas drejtorit të ri ndryshimi duhet të fillojë nga kushtet më minimale për aktorët, siç është sistemi i ngrohjes e deri tek sistemi i kontratave për artistët e TK-së. Kjo është domethënia e platformës së Çulit e titulluar “Një reformë rrënjësore në Teatrin Kombëtar”.
Regjisori Hervin Çuli u propozua nga Ministria e Kulturës për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar, ku mes 13 konkurrentësh u zgjodh ai dhe më pas u miratua me vendim të Këshillit të Ministrave.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, me propozimin e ministres së Kulturës, Këshilli i Ministrave vendosi që Kristaq Skrami, drejtor i Teatrit Kombëtar të lirohet nga kjo detyrë dhe në vendin e tij emërohet Hervin Çuli. Ky vendim hyri në fuqi menjëherë, duke u zbardhur nga Këshilli i Ministrave në datë 22 janar 2014.
Karriera
Hervin Çuli është regjisor i disa veprave, dhe jo vetëm në skenën e Teatrin Kombëtar ku disa prej tyre janë: “Ne të gjithë këndojmë Margaritën”, “Kopraci”, Xhaxha Vanja”, E zonja e bujtinës”, “Hijet e natës”, “Arlekini, shërbëtori i dy zonjave”, “Magjia e madhe”.
Shfaqjet e tij janë ngjitur në skena si, Teatri i Metropolit, “Aleksandër Moisiu” në Durrës, “Andon Zako Çajupi” në Korçë e të tjerë. Çuli ka qënë pjesë e strukturës së TK-së, deri në vitin 2007. Sipas Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, u zgjodh platforma e Çulit pasi ishte shumë e detajuar, konkrete dhe shumë afër realitetit. Reforma në TK sipas, Kumbaros nuk do të mjaftohet vetëm me zëvendësimin e drejtorit, por edhe me ndryshimet e ligjit për artin dhe kulturën dhe zbatimin e tij.