Cungu Nuk do te drejtoj Vllazni qe mbetet me shprese te Zoti

Cungu: Nuk do të drejtoj Vllazni që mbetet me shpresë te Zoti

Për teknikun Cungu, lëvizjet do të jenë të vogla në ekip dhe po ashtu do të jenë shumë të matura. Shumë prej lojtarëve u kanë përfunduar kontratat me këtë klub dhe natyrshëm tani, pas një analize të sezonit, pritet që të merret edhe një vendim mbi të ardhmen. cunguVetë tekniku Cungu ende nuk duket se ka përcaktuar emrat që ka ndër mend që të mbajë për sezonin e ri, por ai është shprehur se nuk kërkon që të lëvizë shumë nga lojtarët që ka në dispozicion. "Unë nuk jam shumë partizan i ndryshimeve të mëdha në ekipe, pasi krijohen shumë disekuilibra, aq më tepër ndryshimet e mëdha kërkojnë kohën e vet dhe normalisht që koha mund të shkojë edhe shumë e gjatë për t'u përshtatur. Por, ju e shikoni edhe vetë besoj.

Vllaznia ka nevojë për ndërhyrje. Për disa persona, kjo është një gjë që do të diskutohet. Do të varet edhe nga buxheti dhe, në bazë të tij, normalisht edhe të afrimit të sportistëve do të merret edhe objektivi. Por thashë edhe më përpara, nuk mund të marr më përsipër një Vllazni, e cila mbetet me shpresën që me ndihmë të Zotit të shpëtojë në fund të sezonit.

Por, duke iu referuar asaj që kam thënë në fillim të punës sime me skuadrën që duhet të duroni. Kam thënë kështu sepse e kam ditur se si është situata. Por, duke pasur parasysh edhe vështirësitë e futbollit shqiptar, kam thënë që duhet durim, duhet qetësi, sepse mund të zgjasë shumë kjo dhimbje apo kjo agoni për mbijetesën. Ky besoj të ishte sezoni i fundit i kësaj agonie", ka thënë tekniku Cungu.

Programi

Vllaznia pritet që të mos ndalë punën deri në fund të këtij muaji. Sipas teknikut, një gjë e tillë është në të mirën e lojtarëve dhe ekipit. Zbatimi i kontratave ia lejon atij që të gjithë lojtarët të jenë pjesë e këtyre stërvitjeve.

"Skuadra do të vazhdojë stërvitjet natyrshëm, pasi jemi brenda një kontrate dhe ka disa ditë për t'u përmbushur kjo kontratë. Dhe, njëkohësisht, mandej në këto ditë presim të ulemi e të diskutojmë se çfarë duam të bëjmë për vazhdimësinë. Pastaj normalisht nëse do të biem dakord, patjetër që do të ketë një periudhë pauze të vogël. Por pauza për t'u thënë se mund të jetë për pjesën e sportistëve, sepse për stafin drejtues nuk ka për të qenë. Sepse tani në këtë periudhë është puna më e madhe për ne dhe në vijim për të fokusuar në vazhdimësi për përgatitjen e sezonit tjetër", ka deklaruar tekniku i Vllaznisë, Armando Cungu.

Përgatiti: Admir Uruçi


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama