Trajneri Armando Cungu, në prononcimin e dhënë për emisionin "Pasi i Fundit" në RTSH, pohoi se ka mbetur i zhgënjyer nga ekipi në ndeshjen me Teutën, megjithatë ai largon presionin nga shkodranët para ndeshjes me Partizanin.Sipas tij, në 7 ndeshjet e mbetura Vllaznia duhet të bëjë detyrat e shtëpisë për të siguruar mbijetesën.
"Për çudi ndaj Teutës u shfaq e njëjta Vllazni që e kemi parë para disa muajve, gjë e cila nuk më ka pëlqyer dhe më ka lënë një shije shumë të hidhur. Interesi dhe dëshira ime ishte që të shfaqnim futboll, ashtu siç kemi bërë në çdo ndeshje, pastaj rezultati disa herë nuk është në dorën tonë, pjesë e shumë faktorëve dhe episodeve. Ajo që më dogji më shumë ishte paraqitja e dobët e ekipit, ose më saktë mosdëshira për të fituar një ndeshje futbolli, ose vetëkënaqësia. Kemi bërë një mbledhje me drejtuesit e klubit, normalisht tonet nuk ishin të lehta.
Sigurisht për t'i kujtuar dhe për t'u ndryshuar mendimin lojtarëve se në profesionalizëm nuk ka tolerime dhe vetëkënaqësi. Jemi 5 pikë para Bylisit dhe 4 para Flamurtarit. Nuk kemi arsye që të rëndohemi psikologjikisht, pasi kemi edhe 7 ndeshje për të luajtur, tre në fushën tonë me rivalë direkt për mbijetesë. E rëndësishme për mua është që në radhë të parë të bëjmë detyrat e shtëpisë, gjë të cilën e kërkova edhe ndaj Teutës dhe jashtë fushës sonë nuk do të shkonim si turistë, por që të merrnim maksimumin nëse është e mundur. Në fund të fundit edhe një pikë vlen shumë për ne", pohoi Cungu.
Partizani
"Para ndeshjes me Partizanin ndodhemi në një pozitë të vështirë, pasi kontingjenti është shumë i vakët. Kemi tre lojtarë të pezulluar dhe dy të tjerë me probleme fizike. Këto mungesa do të thonë shumë, sidomos për Vllazninë, e cila ka një organikë jo të duhur për të përballuar një kampionat. Partizani në njëfarë mënyrë është nën presion të madh, pasi kërkon me çdo kusht që t'i afrohet Skënderbeut.
Në këto kushte tensioni dhe presioni është i pranishëm. Pashë ndeshjen e fundit me Flamurtarin dhe presioni ishte i dukshëm, jo vetëm tek ekipi, por edhe te trajneri. Duhet të dimë që ta shfrytë- zojmë këtë moment të kundërshtarit. Pra, presioni është më i madh tek ata dhe ne do të vijmë në kryeqytet për të luajtur lirshëm", përfundoi trajneri i Vllaznisë.
Përgatiti: A.Uruçi