Trajneri Armando Cungu gjatë rrëfim it në televizionin "Rozafa" është treguar i hapur, i drejtpërdrejtë dhe ka folur për gjithçka që ka pasur lidhje gjatë drejtimit pesëmujor në radhët e Vllaznisë. Ai ka komentuar pozicionin që arriti ekipi gjatë sezonit, ndërhyrjet dhe kërcënimet e ndryshme që ka marrë, por ka folur edhe për merkaton dhe dilemat e tij për të ardhmen. Cungu ka qenë i drejtpërdrejtë, duke u dhënë njëkohë- sisht përgjigje edhe të gjitha pyetjeve. Ai ka treguar edhe lojtarët e parë me të cilët ka filluar kontaktet. Megjithatë, ajo që ka theksuar, pavarësisht dëshirës dhe kërkesës së drejtuesve të klubit dhe tifozërisë shkodrane, të cilët kanë kërkuar me insistim të vazhdojë të jetë në krye të Vllaznisë, do të shikojë qëndrimin e tij. Ai ka bërë të ditur se gjërat nuk janë në dorën e tij.
Profesor, keni mbyllur një sezon jo të lehtë?
Ka qenë një nga periudhat më stresuese të miat si trajner. Realisht në këto pesë vite të vështira të Vllaznisë që drejtohet nga bashkia, sezoni që sapo u mbyll dhe ai para dy vitesh kanë qenë më të vështirët për të. Kemi kaluar shumë peripeci dhe po ashtu kemi qenë deri në javët e fundit në pikëpyetje për të rënë apo jo nga kategoria.
Përveç problematikave të përballjeve me kundërshtarët, keni pasur problematika të tjera?
Te Vllaznia, gjatë kësaj periudhe që unë drejtoj, nuk ka luajtur asnjë futbollist që s'e ka merituar. E vërtetë është se ka pasur shumë ndërhyrje, por nuk kam hapur rrugë. Mund të them se kam pasur edhe kërcënime nga njerëz të ndryshëm, përfshi këtu edhe politikanë, apo profesorë me kollare të bukura, që vetëm profesorë nuk mund të jenë. Pavarësisht këtyre presioneve e kërcënimeve, unë kam vazhduar të bëj punën time me shumë ndershmëri, ashtu si më kanë mësuar prindërit, si dhe siç kam bërë vetë kur kam qenë futbollist. Edhe si trajner do të bëj të njëjtën gjë. Përpos kërcënimeve, unë kam qenë sërish në krye të detyrës, kam qenë çdo ditë në rrugë, sepse nuk i kam borxh askujt.
Sa i kënaqur keni qenë me lojtarët tuaj pas këtij sezoni?
Mund të them se kam mbetur shumë i kënaqur nga të gjithë dhe për këtë i kam falënderuar. Kam mbetur i kënaqur nga të rinjtë, si dhe nga të gjithë titullarët, por jam surprizuar për mirë nga Vrapi, që ka treguar profesionalizëm në fushë e jashtë saj. Po ashtu i kënaqur me hope edhe nga Cicmil. Pa dyshim Shtubina e Marku, që i ka përfunduar kontrata, janë lojtarë të domosdoshëm për skuadrën. Pa përjashtuar këtu edhe të rinjtë, si Pjeshka dhe Kalaja. Nuk i analizova që të gjithë, po duhet të them se jam i kënaqur prej të gjithëve.
Ende nuk ka filluar puna për sezonin e ri...
Është e vërtetë. Ajo duhej të kishte filluar më përpara. Jemi vonë, duhet të kapim sa më shpejt kohën e humbur. Me apo pa Cungun, duhet që drejtuesit të lëvizin shumë më shpejt.
A i keni menduar emrat e lojtarëve që do t'i nevojiten Vllaznisë së re?
Në radhë të parë, duhet të mbajmë grupin ekzistues dhe pavarësisht kostos, na duhen 4 ose 5 lojtarë cilësorë. Mund të zbuloj vetëm një nga emrat e lojtarëve që unë dëshiroj të kem te Vllaznia, me të cilin jam takuar pasditen e së hënës në ambientet e Turizmit në Shkodër.
Kush është ai?
Ai është mesfushori i Laçit, Cetkoviç, i cili aktualisht ka 4 oferta, por ka shfaqur dëshirën të punojë me mua dhe të vijë te Vllaznia, nisur edhe nga raportet shumë të mira që kam pasur gjatë kohës që kam punuar me atë. Nuk dua të flas për vlerat e tij si futbollist, sepse i njeh gjithë Shqipëria. Ajo që më vjen keq është se unë u takova me të, por nuk arrita të mbyll asgjë, sepse akoma nuk e di se çfarë do të bëj vetë. Prandaj kam thënë se te Vllaznia janë të vonuar. Lojtarë të tillë pastaj do të jetë shumë e vështirë për t'i gjetur. Në këtë mënyrë, drejtuesit e klubit, nëse duan të bëjnë diçka të mirë, të lëvizin sa më shpejt, sepse nesër do të jetë vonë. Vllaznisë nuk i vjen shpesh mundësia për të marrë lojtarë si Cetkoviç.
Keni pasur një darkë, si rrallëherë pas përfundimit të një sezoni, çfarë është diskutuar?
Për këtë duhen falënderuar drejtuesit që morën së bashku një iniciativë të tillë. Por të vjen keq që në atë darkë nuk u diskutua asgjë. Lojtarët që u mbaroi kontrata prisnin që të merrnin një sinjal nga drejtuesit. Shpresojmë që të ndodhë një gjë e tillë sa më shpejt.
Vllaznia është përfshirë në listën e ndeshjeve, në të cilën thuhet se po hetohet Skënderbeu për trukim...
Vllaznia është ekipi më i pastër në kampionat. Këtë e them pa asnjë mëdyshje. Unë me të vërtetë Mirel Josën e kam mik shtëpie, por kjo nuk do të përzihet kurrë me sportin. Në ndeshje ne jemi kundërshtarë. E them me gojën plotë se Vllaznia është ekipi më i pastër i kampionatit. Jam mik me trajnerin e Skënderbeut, por kjo s'ka lidhje me ndeshjet.
Së fundi, do të jeni pjesë e Vllaznisë apo jo?
Kam nisur bisedimet me ekipe të tjera. Një gjë të tillë nuk e mohoj. Me ekipet më elitare të Superiores, por edhe të tjera. Kam një takim këto ditë në Tiranë me drejtues të këtyre ekipeve, por edhe me ekipe jashtë Superiores. E kam thënë, do të shikoj mirë për të vendosur. Dëshirën e kam të vazhdoj te Vllaznia, por kjo nuk varet nga unë. E kam theksuar se kërkoj një skuadër që të mos e diskutojë mbijetesën dhe kush e mendon Europën, le të vijnë e ta marrin që tani.
ADMIR URUÇI