Cungu e akuzoi se i kerkoi leke ja si i pergjigjet Hafizi

Cungu e akuzoi se i kërkoi lekë, ja si i përgjigjet Hafizi

Astrit Hafizi është ndier i zhgënjyer dhe i fyer nga akuzat e Armando Cungut dy ditë më parë. Ish-trajneri i shquar i përfaqësueses kuqezi, ka mohuar akuzat e shkodranit tjetër dhe e ka cilësuar atë një delirant shpifës.

astrit hafizi

Në një intervistë për "Panorama Sport", Hafizi, me nota të theksuara revolte, i kundërpërgjigjet Cungut duke i thënë se ka prekur fundin me delirin e tij të madhështisë. "Kam 30 vite karrierë dhe nuk mund të më hedhë baltë një njeri i ulët si Cungu. Nuk mundet që askush të më cenojë punën dhe imazhin tim, vetëm sepse vuan nga komplekse dhe paranoja.

Cungu nuk ka qenë kurrë pjesë e planeve të mia në Kombëtare. Jo se kisha gjë me të, por thjesht sepse ishte nën nivelin e pjesës tjetër. Ai duhet ta dijë mirë se çfarë skuadre dhe çfarë lojtarësh kisha unë asokohe", thotë Hafizi për "Panorama Sport".

Profesor, Cungu ka deklaruar se në vitin 1998 i kanë kërkuar para për të luajtur në Kombëtare. Ndërkohë që në atë periudhë ju keni qenë trajner i skuadrës kuqezi...

Po, e kam lexuar deklaratën e tij dhe të them të drejtën u ndjeva keq. Një shpifje shumë e ulët. Fillimisht mendova të mos bëja replikë, duke mos e ulur veten në nivelin e tij, por në Shqipëri ndodh shpesh që po heshte duket sikur pranon fajin, edhe pse nuk ke bërë asnjë të tillë. Për këtë arsye po i jap një përgjigje këtij njeriu të paskrupullt.

Profesor, a është e vërtetë që ju i keni kërkuar para Cungut?

Kurrë! As atij dhe as ndonjë tjetri. Janë shpifje të ulëta dhe të palogjikshme të një njeriu që ka paranoja dhe nuk është rehat as me veten e tij. Të marrësh para, të bësh pakt me ryshfetin është ves dhe dikush që e ka këtë ves e bën shpesh. Unë, fatmirësisht nuk e kam pasur kurrë një ves të tillë. Nëse do ta kisha pasur, sigurisht që dikush do kish dalë e do kish thënë diçka para Cungut. Por shikoni se çfarë ndodh: del një njeri e më akuzon pas 20 vitesh... Por nuk ka faj, ky është një njeri që vazhdimisht hedh baltë mbi punën e të tjerëve.

cungu-768x513

Ku doni të dilni?

Nuk është hera e parë që Cungu hedh baltë mbi dikë. Ishte te Kukësi dhe me ndihmën e Starovës pati një vit të suksesshëm. E çfarë ndodhi kur u largua që atje? Thjesht nuk la gjë pa thënë për një njeri si Starova, që aftësitë menaxhuese dhe punën ia njohin të gjithë. Ndërsa dy javë më parë doli dhe akuzoi sërish për njerëz me kollare në Shkodër që i ndërhyjnë në punët e tij. Është thjesht sa i paqëndrueshëm, po aq edhe i pabesueshëm. Ja pra, ky është personi që del e bën moral dhe hedh baltë mbi të tjerët.

A keni pasur ndonjëherë kontakte me Cungun gjatë atyre viteve?

Unë mbaj mend që Cungun e kemi marrë nga Kopliku ku luante dhe e sollëm te Vllaznia. Asgjë më shumë.

Po në Kombëtare a e keni thirrur ndonjëherë?

Asnjëherë. Nuk ka qenë ndonjëherë në planet e mia në Kombëtare. Nuk kisha asgjë personale, thjesht duhet të keni parasysh grupin që kisha në dispozicion. Cungu ka qenë dhe është i ndërgjegjshëm se nuk ishte nën nivelin e tyre. Në Kombëtare, asokohe, janë thirrur disa herë Grima, Lici dhe Kotrri dhe mund të pyesni ata se mbi ç'kritere thërriteshin. Pastaj, Cungu flet për ndeshje të vitit 1998, por me Gjermaninë kemi luajtur në vitin 1997...

Dakord, por ai thotë se ka qenë edhe Hysen Dedja në mes, pra, ai ia ka komunikuar lajmin për interesimin tuaj?

E lexova edhe këtë pjesë. Sajesa me bisht! Nuk e kam pasur asnjëherë në plan po ju them. Ah, dakord, po të bëhej fjalë për ndonjë futbollist vërtet cilësor si Vioresin Sinani, dakord, mund t'ju them se mund të kisha interes, por jo për Cungun.

A e keni idenë se përse i bën këto akuza trajneri aktual i Vllaznisë?

Nuk kam as idenë më të vogël. Por natyrisht që ai ka probleme me karakterin e tij. Një njeri që kërkon gjithnjë të jetë në qendër të vëmendjes. Një njeri që akuzon skuadrën e tij dhe lojtarët e tij... Një njeri që kërkon të fitojë pak madhështi edhe duke u sjellë në këtë farë feje. Por me mua nuk i shkon. Është turp i madh që hedh baltë mbi njerëzit në këtë mënyrë. Nuk i shkon kurrsesi një njeriu që të ngrihet një ditë të bukur dhe të trillojë gjëra të 20 viteve më parë. Nëse kërkon skupe dhe kërkon të fitojë vëmendje, këtë duhet ta bëjë me punë dhe jo duke nxjerrë marrëzira nga goja. Është turp! Më vjen keq edhe që përmend nënën e tij. Thjesht duhet të mbledhë veten dhe ta lërë nënën të prehet në paqe atje ku është. Nuk i shkojnë kësi gjërash.

Armand Halili



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama