Cungu rinovon per dy vite Vllaznia pret futbollistin malazez Cetkovic

Cungu rinovon për dy vite, Vllaznia pret futbollistin malazez Cetkoviç

Trajneri Armando Cungu do të vijojë punën në krye të Vllaznisë edhe në sezonin e ri futbollistik.

13346481_1822120991351789_5411915985389604821_nGjatë pasdites së djeshme, tekniku i skuadrës shkodrane ka pasur një takim me kryetaren e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, ku kanë biseduar rreth vazhdimësisë së skuadrës dhe trajnerit që e mori detyrën në fillim të këtij viti.

Ishte menduar që takimi mes palëve nuk do të zgjaste shumë, por ka shkuar më shumë se 90 minuta. Mësohet se trajneri Cungu dhe kryebashkiakia në radhë të parë kanë folur për kreun e pankinës kuqeblu, ndërsa më pas është diskutuar për planin dhe strategjinë që duhet të ndjekë Vllaznia në merkaton e verës.

Burime pranë takimit bëjnë me dije se është rënë parimisht dakord që Armando Cungu të vijojë punën si trajneri i Vllaznisë. Ndonëse nuk janë bërë publike termat e kontratës së teknikut shkodran, ajo që mund të merret me mend është se kohëzgjatja e kontratës do të jetë për dy vitet e ardhme, por nuk përjashtohet mundësia që të rishikohet pas vitit të parë nga ana e teknikut kuqeblu.

Enigma për teknikun Cungu në krye të skuadrës ka marrë fund dhe drejtuesit e ekipit dhe ato të klubit kanë filluar të mendojnë për të forcuar skuadrën për sezonin e ri. Konfirmimi i klubit - Lajmi është konfirmuar edhe nga faqja zyrtare e klubit shkodran:

"Pasditen e sotme është zhvilluar një takim midis drejtuesve të klubit dhe stafit teknik të skuadrës, që punoi me shumë sukses deri në fund të sezonit që sapo u mbyll. Pas bisedimeve të kryera, është rënë dakord që trajneri Armando Cungu dhe ndihmësit e tij, Aleksandër Mazhar e Avenir Dani, të vijojnë punën për drejtimin e skuadrës edhe në sezonin e ri"..

Marko Cetkoviç - I pari që mund të veshë fanellën e Vllaznisë së sezonit të ri mund të jetë malazezi Marko Cetkoviç.

Mesfushori është një nga lojtarët e parë që është kontaktuar nga drejtuesit e klubit. Madje, drejtuesit e klubit janë në kontakt me këtë lojtar që para disa ditësh.

Nga sa mësohet, edhe gjatë qëndrimit në Podgoricë ku shikuan finalen e kupës së Malit të Zi, dyshja Gjyrezi- Cungu ka pasur një takim edhe me ish-mesfushorin e Laçit, Marko Cetkoviç.

Takim i dytë me futbollistin ka qenë ndryshe nga ai që trajneri Cungu zhvilloi para disa ditëve në Shkodër. Këtë herë është folur për gjëra më konkrete.

Drejtuesit kuqeblu i kanë bërë edhe një ofertë zyrtare mesfushorit malazez, i cili prej dy sezonesh është ndër më të spikaturit e kampionatit shqiptar dhe duket se palët kanë gjetur njëfarë akordi.

Akordi i Vllaznisë me mesfushorin Cetkoviç është shumë pranë dhe kuptohet që ky do të ishte një përforcim i rëndësishëm për shkodranët.

Me afrimin e Cetkoviçit, do t'u hapej rruga edhe të tjerëve që do të vinin te Vllaznia në ditët e ardhshme. Mirëpo, shkodranët duhet të fitojnë duelin me Flamurtarin, që ofron 6 mijë euro në muaj për malazezin.

A.Uruçi


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama