DASH Korrupsioni problemi me i mprehte qeveria lufte sporadike

DASH: Korrupsioni, problemi me i mprehte, qeveria lufte sporadike

Përpjekjet e qeverisë për të ndjekur penalisht zyrtarë të cilët kanë kryer abuzime kanë qenë sporadike dhe jokonsekuente

BE - Korrupsioni është evidentuar si problemi më i madh në vend dhe nga ana e përfaqësuesve të Bashkimit Europian, të cilët kanë kërkuar në mënyrë specifike luftën ndaj tij.

Drejtësia - Sistemi i drejtësisë shihet si më vulnerabli në vend për korrupsionin që mbizotëron në të, si dhe mungesës së forcës për të hetuar zyrtarët e lartë.

Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e tij të përvitshëm për sa u përket të drejtave të njeriut në botë, shikon si problemin më të mprehtë në Shqipëri korrupsionin. Në raportin me 26 faqe, korrupsioni në qeveri dhe kryesisht në sistemin e drejtësisë, shihet si problemi më i mprehtë për Shqipërinë e vitit 2013. “Gjatë këtij viti, problemet më të mprehta për sa u përket të drejtave të njeriut janë korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe në mënyrë të veçantë brenda sistemit të drejtësisë.

 

Zvarritja e axhendës së reformave, në mënyrë të veçantë në luftën kundër korrupsionit, ka ardhur dhe nga fakti se partitë politike kanë qenë të fokusuara në zgjedhjet parlamentare të qershorit”, thuhet në raportin i cili u publikua nga DASH dje. Në këtë raport, një gjuhë e ashpër përdoret dhe për sa i përket asaj që konsiderohet si shmangie e hetimeve nga ana e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë në vend. Mosndëshkueshmëria konsiderohet si një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet vendi. “Mosndëshkueshmëria mbetet një problem. Përpjekjet e qeverisë për të ndjekur penalisht zyrtarë, të cilët kanë kryer abuzime, kanë qenë sporadike dhe jokonsekuente. Zyrtarët e qeverisë dhe politikanët, ashtu si dhe gjyqtarët, ose ata që kanë interesa të fuqishme biznesi, shpesh janë të aftë ta shmangin hetimin. Disa zyrtarë më të ulët në pozitë janë dënuar për abuzime.

Disa zyrtarë të qeverisë, të cilët kanë qenë haptazi të implikuar në rastet e abuzimeve, u hoqën dhe ju dhanë poste të tjera qeveritare, pa asnjë ndëshkim”, thuhet në raport. Por përveç çështjes së korrupsionit shihet ende si problematike dhe sjellja e Policisë së Shtetit dhe metodat që përdoren gjatë procedurave të hetimit nga organet e posaçme në këtë fushë. Shqipërisë i jepen kritika dhe për sa u përket problemeve me diskriminimin e grave. Sipas raportit, situata vijon të mbetet problematike me fëmijët romë të cilët gjenden rrugëve. “Fëmijët e rrugës dhe ata të shpërngulurit, mbeten një problem, kryesisht për sa i përket komunitetit rom. Margjinalizimi dhe abuzimi që u bëhet komuniteteve romë dhe egjiptianë mbetet një problem serioz. Diskriminimi mbi baza seksuale dhe çështjet e identitetit gjinor vijojnë të jenë problematike. Po kështu, vijojnë të raportohen raste të trafikimit të qenieve humane”, theksohet në raport.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama