Skënderbeu nuk e ka çuar ende dosjen e ankimimit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, duke humbur kështu mjaft kohë të vlefshme për të marrë një vendim nga kjo gjykatë.
Një gjë e tillë është bërë me dije nga KAS përmes një e-maili informues që theksonte se nuk ka asnjë çështje të hapur në llogari të klubit kampion në fuqi.
Në një situatë të tillë, "Panorama Sport" ka kontaktuar me drejtuesit e klubit të Skënderbeut, të cilët në konfidencë bëjnë me dije se dosja nuk ka mbërritur ende në zyrat e institucionit përkatës në Lozanë, duke konfirmuar kështu lajmin e një dite më parë.
Ndërkaq të njëjtat burime bëjnë me dije për gazetën se shkaku i kësaj vonese ka qenë pikërisht fakti se dosja që do të depozitohet në KAS ka qenë shumë voluminoze.
Për rrjedhojë, duke pasur parasysh që faktet kundërshtuese do të jenë të shumta, edhe juristët e çështjes kanë kërkuar më shumë kohë për të studiuar të gjitha të dhënat e mundshme që do të përfshijnë në këtë kërkesëapel.
Dosja - Të njëjtat burime kanë bërë me dije se përfaqësuesit ligjorë të Skënderbeut kanë përfunduar me sukses hartimin e dosjes dhe brenda kësaj jave do ta nisin atë në zyrat e KAS në Lozanë, për të kërkuar rigjykimin e vendimit të dhënë nga UEFA që ka dënuar kampionët e Shqipërisë me një vit jashtë Europe.
Duke parë këtë vonesë në përpilimin e dosjes, edhe Komisioni i Arbitrazhit Sportiv nuk mund të mblidhet dot në një kohë rekord, pasi i duhen mjaft ditë për të gjykuar faktet.
Në këtë mënyrë korçarët këtë vit mund të mos luajnë në ndeshjet e Europës, pasi vendimi i KAS mund të mos merret para datës 27 qershor, por disa ditë më vonë.
Por pavarësisht kësaj, drejtuesit e Skënderbeut shpresojnë për një vendim pozitiv në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, për të përfituar më vonë një shpërblim të majmë financiar.
Ll. Saro