Përtej deklaratave të Tiranës zyrtare se vizita e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në Serbi shënon një hap të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, krerët e Beogradit theksojnë se kjo vizitë i shërbeu përkeqësimit të këtyre marrëdhënieve. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, duke folur në një emision mëngjesi për televizionin vendas RTS u shpreh dje se vizita e Kryeministrit shqiptar nuk e arriti objektivin e saj për normalizimin e marrëdhënieve, përkundrazi i përkeqësoi ato. “Vizita e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në Beograd nuk e arriti objektivin e saj. Serbia dhe Shqipëria janë në një marrëdhënie më të përkeqësuar se më parë”, u shpreh Daçiç.
Kreu i diplomacisë serbe gjatë intervistës së tij theksoi se kjo situatë ndodhi, sepse Kryeministri Rama ishte i fokusuar në politikat e tij të brendshme, duke kapërcyer interesat e gjera. “Vizita ishte e organizuar nga të gjitha palët dhe ishte një përgjigje ndaj bashkësisë ndërkombëtare, pasi kjo u vendos në konferencën e Berlinit nën kujdesin e Kancelares Angela Merkel. Por pavarësisht kësaj, kjo vizitë nuk e arriti qëllimin që kishte në vetvete, normalizimin e marrëdhënieve mes vendeve pas kaq dekadash”, tha ai. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm serb do të pranonte se vizita pati edhe anën pozitive. “Unë shpresoj se hapat e ardhshëm do të jenë shumë më konstruktivë, edhe pse mendoj se vizita kishte një anë të mirë, pasi nënshkruam një sërë marrëveshjesh.
Edhe Kryeministri Aleksandër Vuçiç shprehu dëshirën për të vizituar Shqipërinë, pra dyert nuk janë mbyllur”, nënvizoi Daçiç. Sigurisht për ministrin e Jashtëm të Serbisë, Kryeministri Rama gaboi që i kërkoi Serbisë njohjen e Kosovës, pasi sipas tij, kjo çështje përbën një provokim të madh në Serbi. Por gjithashtu edhe statusi i pakicave në jug të Serbisë, sipas tij, nuk është çështje që i takon Ramës, “pasi ai nuk është Kryeministër i Kosovës”. Më tej, zëvendëskryeministri Daçiç komentoi edhe takimin me ambasadorët e akredituar në Beograd menjëherë pas vizitës së Ramës, për të cilët tha se e kanë vlerësuar vizitën. Daçiç, në fund, u shpreh se Shqipëria dhe Serbia duhet të vijojnë kontaktet dhe komunikimin, pavarësisht imazhit të keq që u përcoll në rajon me fjalimin e Ramës. Ai tha se shumë shpejt do të takohet me ministrin e Jashtëm, Bushati, në Bruksel. “As Hillary Clinton kur ishte në Beograd nuk na kërkoi të njohim Kosovën”, tha Daçiç, duke iu referuar fjalimit të Kryeministrit Rama në pallatin “Serbia”, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij serb.
Qëndrimi
“Vizita e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në Beograd nuk e arriti objektivin e saj. Serbia dhe Shqipëria janë në një marrëdhënie më të përkeqësuar se më parë”
Marrëveshjet
“Unë shpresoj se hapat e ardhshëm do të jenë shumë më konstruktivë, edhe pse mendoj se vizita kishte një anë të mirë, pasi nënshkruam një sërë marrëveshjesh”