Blogu për Eurovision Song Contest në Gjermani, e ka përzgjedhur këngën e Dafinës “Lampedusa” në mesin e tri këngëve të preferuara që ia vlen të dëgjohen në mesin e 800 këngëve konkurruese për festivalin evropian të këngës. Kompozitori dhe orkestruesi i kësaj kënge Florent Boshnjaku, për mediat e Kosovës, e ka vlerësuar shumë talentin e Dafina Kastratit.
Ai është shprehur i lumtur dhe i inkurajuar që një vajzë e re shqiptare ka hyrë në “radarin” e dëgjuesve dhe kritikës në Gjermani. “Një vajzë e re, mjaft e talentuar po ngjitet suksesshëm në karrierën e saj muzikore. Kjo është Dafina Kastrati, e cila ka lindur dhe jeton në Gjermani.
Shqiptarja me prejardhje nga Kosova, së fundi ka realizuar një këngë, me të cilën synon ta përfaqësojë shtetin gjerman në Festivalin Evropian të Këngës, në Eurovizion”.
Kënga e saj titullohet “Lapedusa” dhe i përket zhanrit baladë. Teksti i këngës, me përmbajtje politike, është shkruar nga vetë këngëtarja bazuar në ishullin më të madh me të njëjtin emër në Detin Mesdhe ku përfundojnë shumë refugjatë nga Afrika që mësyjnë Evropën për një jetë më të mirë.