Kampionati do të startojë më 7 shtator, mirëpo bardheblutë janë prej ditësh me ritëm të plotë përgatitjesh. Tirana po zhvillon seanca të rregullta stërvitore dhe me ngarkesë të konsiderueshme, duke i paraprirë fazës përgatitore që do të zhvillojë në Serbi. Çdo ditë ka lojtarë që janë në provë, ndërkohë që ditën e djeshme është bashkuar në stërvitje edhe Dorian Kërçiku.
Mbrojtësi
Bëhet e ditur se është arritur një akord mes tij dhe drejtuesve, e Kërçiku i është bashkuar skuadrës në dy seancat stërvitore të ditës. Pas një takimi me drejtuesit e lartë të klubit, futbollisti ka arritur dakordësinë e plotë për vazhdimësinë e tij me kryeqytetasit dhe nga dita e djeshme, është një futbollist i shtuar nga kontingjenti i titullarëve të vjetshëm për trajnerin Daja.
Trajneri
Që në fillim kur ka mbërritur në stërvitje, trajneri Daja ka shtyrë seancën stërvitore me dhjetë minuta, si për t'u dhënë kohë lojtarëve që të bisedojnë dhe të rinjve që të mund të ambientohen me futbollistët e tjerë. Më tej, pas një fjalimi të shkurtër për të shpjeguar seancën stërvitore, trajneri dhe ndihmësit e tij Egbo e Gvozdenoviç kanë startuar me udhëzimet specifike që lojtarët të bënin nxehmjen.
Pas ushtrimeve të para me karakter atletik, ka ardhur radha e ushtrimeve me topin. Lojtarët e kanë marrë si me të lehtë një ushtrim dhe trajneri është dashur të vendosë autoritet. Pasi i ra bilbilit për t'u tërhequr vëmendjen, iu drejtua lojtarëve: "Me këtë ritëm luaj edhe unë futboll. Dua shpejtësi si të ishit në kushte gare". Në rreth 75-80 minuta stërvitje, bardheblutë kanë zhvilluar një larmishmëri ushtrimesh dhe përgatitjesh.
Në një moment që ai iu afrua tribunës, pak tifozë të pranishëm e kanë pyetur: "A do të kemi skuadër cilësore këtë sezon"? Trajneri, me shumë respekt dhe duke imponuar optimizëm, është përgjigjur: "Avash-avash. Po punojmë vazhdimisht".
OLSI TUJANI