Danimarka rifut sot kontrollin ne kufij

Danimarka rifut sot kontrollin ne kufij
Të premten Parlamenti danez vendosi për rihyrjen në fuqi të kontrollit kufitar në vend, duke vendosur në pikat hyrëse personel shtesë për të kryer këto kontrolle. Kjo masë e re do të nisë sot. Ndërkohë, në Bruksel dhe gjetkë nëpër Europë ka shumë politikanë që mendojnë se vendi është duke dhunuar pikat e marrëveshjes së Shengenit në lidhje me udhëtimin e lirë në Europë

Parlamenti danez të premten refuzoi masën për të kthyer pas planet e rihyrjes në fuqi të kontrolleve kufitare me vendet që janë anëtare të zonës ‘Shengen’, pra për ato vende banorët e të cilave nuk kanë përdorur deri më sot pasaportë për të hyrë në tokën daneze. Me një votë 55 me 50, Parlamenti e refuzoi masën e kërkuar nga opozita, çka do të thotë se tashmë kontrolli do të rivendoset në kufirin danez duke filluar me ditën e sotme. Sigurisht që një vendim i tillë ka nervozuar mjaft fqinjët e Danimarkës, Suedinë dhe Gjermaninë.

 Duke filluar nga dita e sotme do të shtohet në kufi edhe numri i agjentëve që do të merren me kontrollin e pasaportave të udhëtarëve. Fillimisht do të shtohen 50 vetë e më pas deri në fund të vitit numri i tyre do të dyfishohet. Deri në vitin 2014 do të jetë krijuar një rrjet i ri kontrolli në të gjithë vendin. Në Gjermani, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme e kritikoi vendimin në emër të titullarit të ministrisë, duke vënë re se rregullat e Shengenit në lidhje me udhëtimin e lirë nëpër të gjitha vendet që janë pjesë e marrëveshjes duhet që të respektohen nga vendet anëtare dhe nuk duhet të dhunohen si në rastin  Danimarkës.

Marrëveshja e Shengenit në vitin 1985 ra dakord për heqjen e kontrollit të kufijve të brendshëm mes asaj që sot është zona e 25 vendeve anëtare. Neni 23 i Kodit të Kufijve të Shengenit përcakton se kontrollet mund të rivendosen në “rast të një kërcënimi shumë serioz të rendit publik ose të sigurisë kombëtare”, por duket se nuk ka asnjë rast të tillë ekstrem në kufijtë e Danimarkës me Suedinë dhe me Gjermaninë.

Vendi duket se po i shmanget këtyre rregullave, duke vendosur nëpunës shtesë në kufi për të kontrolluar pasaportat e të ardhurve nga vendet e zonës Shengen dhe duke zëvendësuar kështu patrullat që tradicionalisht kanë qëndruar në kufi, por që nuk janë marrë me kontrolle. Gjatë gjashtë muajve të fundit, një numër vendesh europiane, përfshi Italinë dhe Francën kanë kërkuar shtimin e kontrollit ndërkufitar në vijim të një fluksi refugjatësh nga Tunizia dhe Libia, pra nga Afrika e Veriut. Danimarka së fundi u shndërrua në vendin që nisi të mbështesë më shumë kërkesën për ndërmarrjen e masave të tilla, por liderët e këtij vendi që e kanë mbështetur një masë të tillë kanë deklaruar se në thelbin e saj është kufizimi i kriminalitetit ndërkufitar.

Në qershor, ministri danez i Financave tha: ”Kemi vënë re një shtim të krimit ndërkufitar dhe në të përfshihen krimet në fushën e drogës, trafikimin njerëzor dhe pastrimin e parave. Ne duam që ta ndalojmë një gjë të tillë përmes masave të kufirit”. Ndërsa sipas ministrit të Drejtësisë, qëllimi është që t’u vihet kufi kriminelëve që vijnë nga Europa Lindore. Fillimisht njerëzit që do të kalojnë në Danimarkë nga Gjermania apo Suedia nuk do të vënë re ndonjë ndryshim në kufi në mënyrën se si do të kalojnë, për më tepër që Danimarka në këtë stinë ka një fluks shumë të madh turistësh që duan të vijnë për të parë vendin dhe për të kaluar aty pushimet. Megjithatë, zyrtarët e Brukselit kanë bërë të ditur se do të shohin nëse rregullat e reja të vendosura nga Danimarka shkelin apo jo marrëveshjen e Shengenit.

Ministri i Jashtëm gjerman i tha homologut të tij danez në takimin që patën në mesin e qershorit se, ndërmarrja e masave të tilla në kufi mbi të gjitha ishte një mesazh i gabuar që u përcillej njerëzve të cilët duhet që të lidhen më shumë bashkë me njëri-tjetrin dhe jo të ndahen më shumë. Në Luksemburg, ministri i Jashtëm, Jean Asselbirn e dënoi vendimin e Danimarkës, duke e cilësuar “një shkelje të ligjit”. Sipas tij, Shengeni është një nga marrëveshjet më popullore dhe më të dashura të Bashkimit Europian dhe se ai priste që pas kësaj, Komuniteti Europian të bënte atë që i takonte në mbrojtje të parimeve. Ndërkohë, reagimet e para kanë ardhur nga BE-ja, e cila ka bërë të ditur se do ta shohë me kujdes vendimin e Danimarkës. Zëdhënësja e komisioneres Malmstrom  tha të premten pas vendimit të Danimarkës se, do të rishihet vendimi në dritën e përputhshmërisë me marrëveshjen e Shengenit dhe ligjeve të Bashkimit Europian.

Për sa i përket qeverisë së qendrës së djathtë në Danimarkë, ajo ra dakord për një masë të tillë pas presioneve të mëdha që iu bënë në maj nga ana e partisë së populistëve të djathtë, Partisë së Popullit. Qeveria në minoritet mbështetet pikërisht nga kjo parti, votat e së cilës duhen për mbijetesës e koalicionit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama