Dardha fshati ku traditat investohen per turizmin

Dardha, fshati ku traditat investohen per turizmin

Një festë fetare dhe përkujtimi i krijimit të Shoqatës së Fshatit, bën që Dardha çdo vit në datën 16 gusht të mbledhë më shumë vizitorë se zakonisht. Janë vetë banorët e këtij fshati malor, të afërt nga Korça e të largët me banim në Tiranë apo edhe jashtë vendit, ata që nuk mungojnë në festën e përvitshme që është bërë traditë, që me krijimin e shoqërisë “Shpresa” nga të emigruarit në SHBA në vitet ‘30. Festa e Shën Mërisë dhe ajo e krijimit të shoqërisë dardhare në mesin e muajit gusht e shndërrojnë Dardhën në fshatin më të gjallë e më të populluar në këtë mbarim stine vere. Kremtimi i këtyre festave është një traditë më vete, por Dardha ruan edhe shumë tradita të tjera të kulturës së saj, mikpritjes, gatimeve të lakrorit me dy petë apo rakisë së kumbullës së egër.

 

T’u shtosh këtyre edhe klimën e mrekullueshme malore të fshatit që ndodhet 1344 metra mbi nivelin e detit, vështirë se gjen një vizitor që nuk është joshur për të shkuar në Dardhë, nga ku del prej atje vetëm me mendimin për ta shijuar sërish. Shkrimtari i njohur, Teodor Laço, me vendlindje por edhe me një vendbanim të paqmë për pushimet e tij në këtë fshat, e quan Dardhën një margaritar. Si ai, edhe dardharët e tjerë duken disi fanatikë në mbrojtje të vlerave të fshatit të tyre tashmë të njohur gjerësisht për turizmin e tij, por kjo nuk është tjetër veçse dashuria që ata trashëgojnë për Dardhën, duke synuar që traditat e tyre jo vetëm t’i ruajnë, por edhe t’i investojnë më shumë për zhvillimin e saj. Niko Nalli, një prej dardharëve më aktivë në përpjekjet për mirëqenien e fshatit, është duke organizuar takimin e përvitshëm të festës së Shën Mërisë dhe të krijimit të shoqërisë “Shpresa”.

 

Është kujdesur që të marrin ftesë personalitete të ndryshme të jetës politike dhe shoqërore, një pjesë e të cilëve tashmë kanë banesat e tyre tip vilash në këtë fshat, dhe të tjerë persona VIP që nuk mungojnë sidomos fundjavave për të vizituar fshatin turistik malor, kanë se ku të akomodohen. Një nga hotelet më të mira në Dardhë i ka marrë të gjitha masat për të mos lënë me asnjë qejf mbetje edhe turistët më të rëndësishëm, si ambasadorët apo pushues të huaj që vijnë hera-herës këtu. Të tjera lokale apo edhe shtëpi private anekënd fshatit mirëpresin vizitorët e shumtë që provojnë këtu shijen e gatimeve tipike të zonës, rakinë e kumbullës së egër të zier dy herë, teksa mushkëritë u mbushen plot me ajër të pastër pylli. Niko Balli ka merak që edhe në festën e këtij viti, të shpalosen kostumet e rralla të Dardhës, ndonëse aktiviteti këtë herë nuk do të zhvillohet në atë që e quajnë “Sheshi i valleve”, por në qendër të fshatit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama