Është ngjitur për herë të dytë në skenën e teatrit të Gjirokastrës "Zihni Sako", komedia "Nuk paguaj, nuk paguaj" e komediografit italian, nobelistit Dario Fo. Nën drejtimin e regjisorit Pirro Qiqi, shfaqja është interpretuar prej aktorëve Liljana Ristani (Kumbaro), Klemend Konomi, Irena e Andon Pilo, vetë regjisori Pirro Qiqi, Vasillaq Çuklla, Teli Stefani, Drini Hila, Rrapo Kapurani, Viktor Çaro etj. Komedia e Dario Fosë, theu heshtjen e gjatë që kishte zaptuar këtë teatër prej disa kohësh. Vepra e Dario Fo me temë shoqërore dhe familjare u ngjit për tri ditë rresht në skenën e Teatrit të Gjirokastrës, shoqëruar me mjaft duartrokitje prej spektatorëve, të cilët pas një kohe të gjatë mungese shijuan shfaqjen e trupës vendase. Vepra e cila për herë të parë është ngjitur në skenë në vitin 1992 prej të njëjtit regjisor, kësaj here ka ardhur me një vizion e imazh të ri, me skenografi të re, me skenar të përpunuar, duke synuar që ajo të vijë sa më aktuale. Loja e aktorëve me humorin e hollë të pjesës së nobelistit italian solli një dëshmi të fuqisë dhe energjisë së fshehur artistike brenda gjirit të kësaj trupe. "Morali i komedisë është i qartë, ku një kryefamiljar deri në një moment njeri i ndershëm dhe i pangatërruar që dëshiron të jetojë me djersën e vet, duke respektuar ligjin, nuk arrin t‘i mbijetojë dot situatës kaotike dhe tundimit duke u bërë pjesë e fushatës së vjedhjeve masive që ka mbizotëruar në vend, për shkak të krizës ekonomike", është shprehur regjisori i shfaqjes. Për aktorin veteran, Teli Stefani, "Nuk paguaj, nuk paguaj" jo vetëm që thyen heshtjen shumëvjeçare të teatrit gjirokastrit, por rikthen besimin e spektatorit te vlerat e saj.
E.Serjani : Gazeta Shqip