Prologun e guidës, profesorët ia besuan ambasadorit të Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobbio dhe njohjes të tij mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Montobbio, i ftuar në prezantimin e djeshëm në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, tregoi se ç'mendonte dikur dhe tani për këtë udhërrëfyes të cilin e quajti një të shtyrë që hap dy dyer. Një për "ata që flasin, mendojnë, ndiejnë, dashurojnë dhe ëndërrojnë në spanjisht" dhe tjera është "dera e një bote të mbyllur".
"Një botë në të cilën përtej dhe përmbi miliona bunkerëve dhe gjurmëve të tjera të së kaluarës staliniste, del në pah dhe rrjedh me shumë forcë një shoqëri tërësisht mesdhetare, vitale, mikpritëse. Jeton jetën në rrugë, shijon një kuzhinë shumë të mirë, shfrytëzon dhe gëzon jetën, dhe kërkon ta ndajë atë me të huajin, me mikun", u shpreh Montobbio.
Siç kuptohet, edhe nga ky raport emocional i ambasadorit, vepra saç e fton vizitorin hispanik drejt një vendi të magjishëm, aq e formulon këtë ftesë me disa elemente kyç të steriotipeve për Shqipërinë, në vazhdën e jo pak reportazheve, portreteve të të huajve për këtë vend ku vënë në dukje: Shqipërinë dikur të izoluar, bunkerët e saj (që tani qenkëshin bërë miliona), ku njerëzit e tri feve jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin, janë bujarë, mikpritës dhe ku i huaji shpejt bëhet një mik i mirë.
Edhe pse numri i bunkerëve nuk e arrin milionin, të huajve u pëlqen të luajnë me shifrat, e shpesh t'i zmadhojnë ato. Ndoshta është më tërheqëse për vizitorin natyra ekzotike përrallore nga njëra anë dhe errësira e gjatë dhe gjurmët ende të dukshme të regjimit komunist. Informacioni i nevojshëm për klimën, florën, faunën, demografinë, ekonominë, etninë, simbolet kombëtare, vijon me të dhënat historike, ngjarjet me rëndësi nëpër të cilat ka kaluar ky vend, njerëzit që kanë bërë histori po edhe të huaj, Lordi Bajron dhe Edit Durham që kanë shkruar për gjithë këto atëherë kur Shqipëria nuk njihej si shtet më vete.
Letërsia dhe artet vijnë në fund.
Pas këtij prezantimi tangent, vijon një tjetër më i detajuar, sipas një rendi alfabetik që përshkruan të gjitha qytetet e Shqipërisë me historinë dhe heronjtë e tyre, zakonet dhe veçantitë. Nuk mungojnë të dhënat me rëndësi për një turist, vendet ku mund të rehatohet dhe gjellëbërja që i shërbehet.
Në kapitullin "Gastronomia", shihet fotoja e një dyqani tipik shqiptar me emrin "Hallall", ku blihet gjithçka, mishi, buka, birra, frutat, kartat telefonike dhe kinkaleritë. Vijon fotografimi i paradokseve: kioska që shërben si rrojtore, biçikleta e parkuar mes rrugës, apo fytyra e trishtuar e një ndërtimi parafabrikat i viteve të komunizmit në kryeqytet. Në një ambient si ai i djeshmi, ku u prezantua guida, për këto gjëra heshtet. Duket sikur të huajit i duhen vetëm malet e thepisura të Thethit dhe uji i kulluar i Jonit.
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj përmendi dje mediat e huaja si "Corriere Della Sera", "The Guardian", "Usa Today", "National Geographic" që kanë shkruar artikujt për Shqipërinë turistike, dhe nuk bëri ndonjë koment mbi prezantimet e tyre apo përshtypjet e të huajve mbi Shqipërinë, se çfarë ka ndryshuar në mënyrën si prezantohet ky imazh. Ministri theksoi se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Shqipërinë e kanë vizituar 1 milion turistë dhe që deri në fund të vitit, numri i turistëve do t'i kalojë të 3.5 milionët.
"Turizmi sot është pjesë e rëndësishme e axhendës dhe investimit të kryeministrit të vendit, zoti Berisha, i cili ka parë tek turizmi potenciale të shumta për zhvillimin ekonomik të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë", u shpreh ministri. Ministri lajmëroi edhe përfundimin e "draft-strategjisë së marketimit të kulturës e cila synon të promovojë dhe të prezantojë kulturën shqiptare me instrumentet bashkëkohorë të marketingut kulturor". Nuk u tha asgjë më shumë se ku fokusohet kjo strategji dhe çfarë mjetesh janë menduar kësaj here për ta bërë Shqipërinë të bukur për syrin e turistëve.