Dashuri dhe show

Dashuri dhe show

Është formula që ofrojnë Shqipëria dhe Maqedonia në Festivalin Evropian të Këngës që mbahet më 20-24 maj në Beograd. Nuk është për t'u habitur, siç e tregojnë titujt "Zemrën e lamë peng" për këngën shqiptare dhe "Në emër të dashurisë" për maqedonët ku edhe aty ka elementë shqiptarë, që dashuria të jetë kryetema e këngëve ballkanike, si tekste të shkruara nga e njëjta dorë. "Dashuria definitivisht" do të thoshte dje me ato pak fjalë shqip që di Tamara, këngëtarja maqedonase e ndodhur në Tiranë për promovimin e këngës së bashku me partnerin shqiptar Adrian Gaxha. Kënga e kompozuar nga raperi Rade Vërçakovski, me tekst – në versionin shqip – të Avni Qahirit, do të këndohet në shtatë gjuhë ku do të dominojë anglishtja. Një varg i këngës që thotë "Indiferenca tek unë asnjëherë nuk ka pasur vlerë" u interpretua nga Tamara aty për aty, para gazetarëve. Vajza 23-vjeçare që cilësohet një nga vokalet më të mirë sot në Maqedoni e që në Serbi është bërë e njohur me këngën "Sex", seç të kujtonte këngëtaret e bandave muzikore shumë në modë sot ku më e rëndësishme se të kënduarit është të shfaqurit.

Pë këtë pikë na u bë e ditur dje nga menaxheri i grupit që përfaqëson Maqedoninë në Eurosong, Emin Gaxha (i ati i këngëtarit shqiptar Adrian Gaxha) se plot 26 mijë euro janë hedhur për videoklipin e këngës "Në emër të dashurisë". Është investim krejt privat në ndryshim nga rasti shqiptar për të cilin është TVSH, një institucion shtetëror, që po paguan afro 20 mijë euro.

Emini është aq entuziast tek thotë se për të shkëlqyer interpretimin e të birit në Beograd kishte marrë posaçërisht nga gjermania "koreografin e Tina Turnerit", Cloud de Souza. Detyrat janë ndarë. Në ato tre minuta Adriani ka për të kërcyer dhe për të bërë shoë siç e ka zakon dhe Tamara bashkë me Vërçak do të këndojnë.

TVSH që ka organizuar ditë të bukura në Tiranë për të rinjtë nga Shkupi, u ndje krenare dje tek deklaronte që "vogëlushja" e tyre, Olta Boka, duket aq në formë pas turit promocional në Turqi ku sipas Rozeta Ferit është pritur si s'ka më mirë. Në ditët që kanë mbetur Boka do të jetë në Bosnje dhe Mal të Zi. E gjithë kjo bëhet për ta njohur më mirë tjetrin para se të zbresë mes 43 pjesëmarrësve në skenën e Beogradit. Olta, nuk e fsheh as në këtë intervistë, ishte mbi të gjitha e sigurtë se vetëm tek vetja duhet të mbështetet atë natë.

Të kanë filluar emocionet?

Po, po, janë emocione të mira, shpresoj që t'ia dalim atje.

Ke shenja supersticioni?

Jo, nuk jam supersticioze. Besoj në këngën time, në veten time, besoj në aftësitë e mia. Po punoj për të dhënë maksimumin.

Ka kënga një moment delikat?

E gjithë kënga është delikate. Duke qenë se është kënga që më ka dhënë një trofe tepër të rëndësishëm, duke qenë se jam në fillimin e karrierës dhe është tepër e ndjerë nga ana ime, të paktën unë e ndjej shumë, e veçoj të gjithën.

Fakti që Laço edhe Hila janë po ata autorë që e rrëzuan Shqipërinë nga klasifikimi imirë, do me thënë gjë për ty?

Kënga është ndërtuar pas eksperiencave të mëparshme, në të dy eurovizionet, për të dhënë një këngë ndryshe nga herët e tjera. Kështu që kjo më jep mbështetje.

Më jep një opinion të sinqertë për përfaqësimin deri tani të Shqipërisë në Festivalin Evropian, çfarë nuk do doje të përsëritej.

Unë nuk kam kompetenca për të folur për këtë sepse nuk jam ndonjë profesioniste për të dhënë mendimin tim për sa i përket performancave. Gjithsesi, janë disa faktorë që ndikojnë. Duhet thënë se unë jam e para që po bëj promovimin e këngës të paktën në 3-4 shtete evropiane, fqinje me ne. Kështu që, në njëfarë mënyre, edhe promocioni është shtysë dhe çdo këngëtar është nisur për të dhënë maksimumin e tij atje. Do të veçoja Anjeza Shahinin, ishte më dinamikja, ishte përfaqësimi që na ngjiti në pozicione.

Nga dëgjues të huaj, ka mes të tjerash komente për këngën dhe interpretimin tënd si një imitim jo i bukur i Celine Dionit.

Është normale që një artist të përflitet edhe në komente të mira dhe në komente negative. Madje po të mos ishin këto komente negative do pyesja çfarë po ndodh. Arti është subjektiv dhe nuk mund ta përgjithësosh si të mirë apo të keq, sepse secili ka mendimin e vet. Asnjëherë nuk jemi nisur për të bërë kopjen e ndonjë kënge. Kënga është krijuar për Oltën duke njohur timbrin, muzikalitetin, është bërë enkas për mua, pa pasur parasysh kopjimin e ndonjë artisteje të madhe apo versionin e këngës së ndonjë artisti të madh.

Ajo çfarë unë bëj nuk i ngjan asnjë modeli. Kur një këngëtar e ndjen këngën çdo gjë është instinktive, çdo gjë përputhet me atë çfarë ti ndjen në atë moment. Gjithçka është aty, nuk përpiqem as të krijoj dhe as të huazoj modele, për vetë faktin se është më origjinale kur ndjek zemrën time.

Ti je në frontin e atyre që besojnë se kënga shkruhet për të qenë e bukur për veshin apo tek e ata që e duan të bukur për sytë?

Për të pasur një prezantim të mirë duhen parë të gjithë komponentët, performanca, zëri. Ka raste që kënga edhe dëgjohet. Ka shumë diva që do t'i identifikoja vetëm duke i dëgjuar si Withney Whiston, Celine Dion, Mariah Carey apo divë italianë si Zucchero apo Gianni Morandi. Pra, këngëtarë që i rezistojnë kohës.

Dukesh shumë më e sigurtë se nga ai moment kritik ku të vuri festivali i RTSH-së, edhe pse dole fituese. Sulmet të kanë kalitur?

Në momentin e parë që dola u përballa me sfida që nuk i kisha imagjinuar ndonjëherë që ndoshta më bënë më të sigurtë. E gjithë ajo që ndodhi më duket tepër normale. Unë nuk kisha çuar nëpër mend asnjë skenar që të isha e përgatitur se si do të silleshin njerëzit pasi të merrja çmimin e parë. Nëse njerëzit u sollën ndryshe nuk më habiti kjo gjë. Është normale, ndoshta kështu duhej të ndodhte. Nuk ishin vetëm sulmet, kisha edhe përkrahje. Them se të gjithë këngëtarët në fillimet e tyre i shoqërojnë të dyja pavarësisht se njëra anë është më e dukshme se tjetra. Unë kisha sulmet më të dukshme.

Familja jote ku do të jetë atë ditë të prezantimit në Beograd?

Fatkeqësisht dhe fatmirësisht, babi do të jetë me mua, edhe pse unë doja që të ishte e gjithë familja. Ndoshta në momentet e fundit do të rregullohet që ata të vijnë.

Ke nevojë të të urojmë për fat?

Çdo njeri do donte ta uronin për fat. Ne të paktën kemi shumë nevojë në këto momente.

Ne kush?

Gjithë Shqipëria. Jemi në një terren të vështirë, sadoqë mund të ndihemi të sigurtë. Gjithsesi ky terren i vështirë është krijuar nga politika. Normalisht politika nuk duhet të implikohet me artin, po që nuk janë ashtu siç duhet gjërat.

Sa për videoklipin, nuk të duket se i vihet shumë theksi moshës tënde të re, gjë që duket në disa elementë. Është parë me më shumë naivitet se ç'duhet?

Faktikisht ashtu jam, sepse jam 16 vjeç. Qëllimi jonë ky ishte, thjesht të përcillnim pafajësinë time, një vajzë 16-vjeçare dhe jo një vajzë 25-vjeçare që mund të jetë më e vogël dhe të duket më e madhe. Veshjet i ka realizuar Mirela Nurçe. Unë nuk shoh asgjë të keqe tek fakti që tregoj moshën time në videoklip. Kjo nuk më duket e keqe sepse është e vërtetë. Dëgjoj komente të ndryshme: një vajzë 16-vjeçare, uau si duket, nuk është aq sa duket. Duket më e madhe. Unë nuk e kam ndjerë veten më të vogël nga sa isha. E kam ndjerë veten aq sa jam.

Elsa Demo  Nga Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama