Dashuri sipas shqiptareve

Dashuri sipas shqiptarëve
Dashurojnë me pasion, po me kaq pasion vrasin në emër të dashurisë, robërojnë nën këtë emër, ndëshkojnë, falin, dhurojnë vazhdimësi.

Ja cilët janë shqiptarët në raportet e dashurisë! Shoqëria shqiptare me vitet ka përjetuar forma të ndryshme të të dashuruarit, nga “dashuritë e ndaluara” ku “mëkatarët” paragjykoheshin dhe duhet të martoheshin në mos me dëshirë, të detyruar, tek “liria” e dashurisë sot, ku ndjenja gjithënjerëzore po fiton dimensionin e munguar.

Meshkuj që nuk janë më aq tradicional, por që akoma e mbajnë një këmbë peng dhe femra që kërkojnë të luftojnë si të barabarta në një betejë që u përket të dya palëve njëlloj. Kjo është beteja shqiptare për dashurinë.

Dashuria është konsideruar gjithmonë si ndjenja më e bukur që njeriu përjeton. Ajo do të vazhdojë të mbetet e tillë edhe pse kohët ndryshojnë, idetë tjetërsohen. Është ndjenja që ripërtërin shpirtin, e rilind atë. Është ajo për të cilën shpeshherë luftojmë ta kemi. Historitë përsëriten, në kohë të ndryshme, me personazhe të ndryshme. E njëjta gjë ndodh kudo.

Në vende të ndryshme dashuria përjetohet njësoj, midis njerëzve, të cilët dinë të luftojnë dhe ta mbrojnë dashurinë që i ka bashkuar. Por nga ana tjetër ajo ka karakter të caktuar dhe përjetohet në varësi të kulturave të ndryshme. Forca dhe pasione të vrullshme, tradhëti e “thika” pas shpine, nën një emërues të përbashkët, lufta e pakuptueshme e ndjenjave.

Kjo është dashuria, e çuditshme me mënyrat e saj. Nëse do të kalonim në pjesë të ndryshme të rruzullit tokësor kjo ndjenjë e bukur duket se ka karakter të caktuar në varësi të kulturave dhe njerëzve, që e përjetojnë. Shqiptarët janë një popull me karakteristika të çuditshme në ndjenjën e dashurisë.
Tranzicion ndjenjash

Shoqëria shqiptare mund të cilësohet si një nga shoqëritë, e cila ka përjetuar forma të ndryshme të të dashuruarit. Kjo falë ndryshimit të kohërave, që e kanë karakterizuar këtë shoqëri, duke ndikuar në mënyrë të ndjeshme në vendosjen e rregullave të ndryshme, të cilat kanë qenë një diktat për mënyrën e arsyetimt, botëkuptimit dhe krijimit të lirshmërisë individuale.

A kanë qenë shqiptarët gjithmonë të lirë të jenë vetvetja dhe të dashurojnë ashtu siç mund të dashurohet vërtet? Në fakt, jo. Shumë njerëz do të jepnin përgjigje të ndryshme, por duke arritur në të njëjtin rezultat. Dikur shqiptarët e shihnin të natyrshme të fshihnin ndjenjat tyre, pasi dashuria midis të rinjve konsiderohej e ndaluar nwse ajo do ishte e dukshme edhe jo e fshehtë.

Dhe në fakt nuk kishe se si të veproje ndryshe, nëse do i referohemi periudhës së diktaturës, të cilën e jetuam për vite me radhë. Sistemi i cili krijoi në mendësitë shqiptare një kulturë atavike dhe mentalitet të prapambetur. Dashuria ishte “tabu”. Dy të rinj duhet të martoheshin dhe më pas të dashuroheshin, pasi nëse do ndodhte e kundërta shumë prej tyre do vuanin, jo për faktin se nuk mundën të luftonin për ta jetuar, por për faktin se nuk do të kishin shansin ta provonin këtë luftë të mirëfilltë dashurie.

Dashuria në “liri”

Megjithatë me kalimin e viteve mentaliteti i shoqërisë ka ndryshuar e deri diku është moderuar, madje edhe duke i kaluar parashikimet e sociologut më optimist. Mbi frenimet e dikurshme kanë lindur ide të tjera. Ide, të cilat shkaktohen nga shkatërrimi i shumë të tjerave. Me ndryshimin e tyre ndryshoi bashkëjetesa e shumë përjetimeve, koncepteve apo fenomeneve në një shoqëri tjetër.

Pikërisht periudha pas-komunizëm, apo e thënë ndryshme demokracia, solli natyrshëm mendime dhe botëkuptime të tjera tek të gjthë ne. Ose le ta themi më thjesht, arriti “të shkëlqente” pjesën e fshehur të shpirtit shqiptar. Ndjenja që dikur nuk pati mundësi të përjetohej me të gjtha nuancat e saj, sot shfaqet “lakuriq”, madje shpesh me një lakuriqësi neveritëse.

Pa paragjykime! Çdokush është i lirë të jetojë, por deri në atë kufi ku nuk cenohet liria e tjetrit. Shoqëria shqiptare ka ndryshuar, ( me të dyja anët e një medaljeje), duke sjellë me vete ndryshime të një mentaliteti, dikur të rrënjësor në prapambetje të kota e të pakuptimta. Të rinjtë shqiptarë janë ata të cilët kanë krijuar edhe shembujt e një shoqërie të civilizuar, e cila duke përcjellë tendenca të reja drejt modernes dhe të pavarurës ka krijuar edhe stereotipe kulturorë në mënyrën e të dashuruarit.

Stereotipi “mashkullor”

Megjithë këto ndryshime dhe tendenca sociale të reja, duhet të pranojmë se jetojmë ende në një shoqëri maskiliste. Meshkujt, kryesisht synojnë të tregojnë tiparet e një “të forti”, ku femrat duhet të jenë ato, që duhet të binden e të përshtaten. Ata mund të cilësohen si individë, të cilët kanë një natyrë të veçantë sidomos në krijimin e raporteve specifike në shoqëri dhe dashuri.

Shumica e tyre ka trashëguar nga brezat e tjerë atë pjesë mentaliteti, i cili ka jetuar me vite në shoqërinë shqiptare. E në fakt s’kishte si të ndodhte ndryshe. Shumë prej tyre le të themi që janë disi të “infektuar” nga mënyra e të jetuarit mes dy epokave. Kalimi nga diktatura në komunizëm natyrisht që la gjurmë tek të gjithë ne. Të qenurit i “lirë” do t’u pëlqentë të gjithëve, por kjo liri do të shihej e kufizuar përballë partneres së tyre.

Tepër të kujdesshëm, “sytë katër” për të parë çdo lëvizje të saj, për ta përndjekur deri në fajësi (pa dashur të përgjithësojmë). Si natyra mesdhetare, meshkujt shqiptarë do të dallohen gjthmonë për egoizmin dhe xhelozinë, që kanë ndaj partneres së tyre. Dinë të dashurojnë, dashurojnë ndoshta me tërë forcën e tyre, por shpesh herë dështojnë në mënyrën se si e transmetojnë këtë ndjenjë. Shumë prej tyre vuajnë nga komplekse, ekzistenca e të cilave në shumë vende perëndimore nuk njihet më. Shpeshherë ata e shohin veten si një racë “superiore”.

Ndonjwherë të fiksuar për të qenë dominant, reflektues të një shpirti posesiv po aq sa edhe shumë burrëror. Nëse do t’i krahasonim me meshkujt tipikë perëndimorë, shqiptarët dinë të dashurojnë ndryshe, kompleksivë duke i bërë ata të dallohen së tepërmi për mënyrën se si i tregojnë ndjenjat në raporte të ndryshme dashurie.

Stereotipi “femëror”

Pozitat inferiore duket se kanë nisur të zbehen disi. Figura femërore në Shqipëri çdo ditë lufton për të qenë në një rol të denjë në shoqëri. Do të tregoheshim shumë të pavërtetë nëse do të tregonim vetëm këtë panoramë. Formimi i femrave shqiptare ndryshon nga qytetet e mëdha në ato më të vogla apo edhe në zona të largëta, ku këmba e njeriut nuk shkel.

Nëse kalon “vijën e verdhë” të kryeqytetit në një vëzhgim të shpejtë nuk mund të mos befasohesh nga “zelli” që tregojnë gratë teksa punojnë në arë, kujdesen për kafshët e shtëpisë dhe më pas duhet të kthehen në familje për të vazhduar akoma deri në orët e vona të natës rolin e tyre si kujdestare, pranë burrit dhe fëmijëve. Në këtë familje tradicionale, dashuria është e diktuar nga sytë e fqinjit, farefisit, plakut më të vjetër apo edhe fshatit.

Por po tw zhvendosemi nw qytete tw tjera mw tw zhvilluara diçka ndoshta ka ndryshuar. Nëse dikur ishte një tabu thyerja e një lidhje dashurore nga frika ndaj familjes apo shoqërisë, duket se këto zakone të vjetra po largohen me kohën. Dhe iniciativën e “frikshme” femrat kanë ditur ta ndërmarin më lehtë. Ndikimi i shumë eksperiencave të huaja i kanë bërë të rinjtë shqiptarë të mendojnë se seksi nuk është më një tabu. Çështja e virgjinitetit që dikur konsiderohej e tillë, ka bërë të shihet ndryshe nga ndikimi i shumë kulturave të huaja, të importuara në vend edhe nga niveli i lartë i emigracionit.

Emancipimi i femrës shqiptare ka bërë që edhe meshkujt t’i shohin gjërat pak më ndryshe. Edhe pse për shumicën e tyre do ishte vështirë të martoheshin me një vajzë e cila ka patur eksperienca seksuale. Përkushtimi, që kanë vajzat shqiptare nw një lidhje dashurie është vërtet për t’u admiruar. Shumë prej tyre janë ato që duan një lidhje të vërtetë, të gjatë e të bukur. Pasi të tilla janë ato. Të ndjeshme, të përkushtuara dhe të ndryshme. Të vendosura të bëjnë çdo gjë për ta mbrojtur dashurinë e tyre. Sepse kjo është dashuria, një marrëveshje që zemrës nuk i bëhet dot.

Djemtë dhe vajzat shqiptarë, janë midis të rinjve të paktë që megjithë komplekset që kanë, konsiderohen si grupmoshat që dashurojnë më shumë. Që në adoleshencë ata i provojnë dashuritë e para me shumë emocion duke i parë me shumë përgjegjësi dhe sy kritik për të ardhmen. Shumë prej tyre përfundojnë në martesë. Fakt që ndryshon tërësisht në shumë vende të botës si në Amerikë apo Europë, ku martesa shihet si një iniciativë shumë serioze për t’u ndërmarrë.

Si përkufizohen djemtë shqiptarë?

Nga forumet e ndryshme dhe diskutimet shqiptare djemtë shqiptarë shprehen se dinë të dashurojnë dhe kërkojnë të dashurohen. E kanë tepër të vështirë të flasin për ndjenjat e tyre midis miqve më të ngushtë, siç ndodh rëndom me femrat. Shpeshherë në marrëdhënie intime nuk duan të tregojnë dobësitë e tyre, pasi i tremben mendimit të partneres dhe gjykimit nga shoqëria.

Shumica e tyre ende ruajnë në kokë mentalitetin se femra me të cilën do të ndajnë jetën duhet të jetë e “paprekur”, paradoksalisht vijon praktika e jetës së tyre. Krenaria mashkullore e quan “ofendim” kur femra shpreh dëshirën për të qenë ajo ofruesja e një pagese në ambiente të ndryshme, në shumë vende të Europës detaje të tilla janë të padallueshme. Edhe pse janë burrërorë, interesantë, simpatikë, të komunikueshëm, u pëlqen të tradhëtojnë dhe të falen sidomos, por kurrsesi të njëjtën gjë nuk do e mendonin për të dashurën e tyre.

Si përkufizohen vajzat shqiptare?

Femrat, nga natyra e ndjeshme janë më të hapura kundrejt dashurisë. Ato e kanë sa të lehtë po aq edhe të vështirë të kalojnë nga një lidhje në tjetrën. Shohin shumë përgjegjësi që në lidhjen e parë dhe i marrin gjërat më seriozisht se meshkujt. Heqin dorë nga shumë liri personale për të mbrojtur të ardhmen e një lidhjeje. U pëlqen që të flasin me partnerët e tyre hapur në lidhje me çdo gjë edhe pse shpesh herë nuk mirëkuptohen ose konsiderohen si mendjelehta. Ato dinë çfarë duan dhe e kërkojnë vazhdimisht, por jo gjithmonë arrijnë ta marrin, ndoshta për shkak të rrethanave apo edhe pse ndonjëherë mungon doza e duhur e guximit, apo edhe vetëvlerësimit. Kanë frikë të besojnë në aftësitë e tyre, por dinë nga ana tjetër të tregohen dinjitoze. Sigurisht që janë të bukura dhe të lindura për të dashuruar. Shumica e tyre duan të kenë përkrah meshkujt shqiptarë, dhe jo të juaj.


RevistaShqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama