Dashuria e Isabela Roselinit

Dashuria e Isabela Roselinit
Që prej më shumë se një viti, Izabela Roselini është transferuar në Belport, një fshat peshkatarësh i vendosur mes Manhatanit dhe Hamptons, në Long Island (Ishulli i Gjatë), ku bëjnë pjesë lagjet njujorkeze të "Queens" dhe "Brooklyn". Bëhet fjalë për një ishull që alternon vendet elegante me ato popullore, një gjetje ekskluzive për artistët dhe miliarderët. Edhe në zonat më elegante, ku gjenden plazhet oqeanike, vërehen ende hambarë të mëdhenj shumëngjyrësh, që dëshmojnë prejardhjen bujqësore të popullsisë së Long Island. Në një prej këtyre hambarëve, të rindërtuar nga një arkitekt amerikan, ka vendosur të transferohet aktorja dhe i biri 15-vjeçar, Robertino. "Në të vërtetë bëhet fjalë për një vendim timin", tregon aktorja. "Belporti ishte vendi ku ne kalonim fundjavën. Im bir e adhuron fshatin dhe me kalimin e kohës edhe unë e kuptova bukurinë e tij. Kur zbulova se në atë zonë ndodhej një shkollë me nivel të lartë arsimor, vendosa të transferohesha menjëherë. Sigurisht që apartamentin tim në Upper West Side nuk e kam shitur. Fillimisht qëllimi ishte i thjeshtë: të kalonim një fundjavë larg zhurmave të qytetit, por më pas bukuria e Belportit na bëri të ndryshonim totalisht mendim. Pavarësisht bukurisë së Belportit, këtë vit kam vendosur ta vizitoj më shpesh Nju Jorkun e mrekullueshëm".

Mesa duket kjo zgjedhje lindi për shkak të jetës sociale njujorkeze, por ekzistojnë edhe shumë arsye të tjera. Ai që e bëri të marrë këtë vendim ishte një person, i cili më shumë se kushdo tjetër ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e saj. Është regjisori kanadez Gaj Medin, me të cilin kohët e fundit Izabela Roselini ka një marrëdhënie të ngushtë artistike, e për të cilin ka interpretuar filmin "The saddest music in the world" (Kënga më e trishtuar në botë). "Nuk mund ta mohoj: Gaj më ka ndryshuar jetën. Gjithçka filloi krejt rastësisht, si tip aventure. Para një viti, Gaj i dërgoi agjentit tim kopjen e skenarit, së bashku me disa metrazhe të shkurtra që kishte xhiruar. As unë dhe as agjenti im nuk po kuptonim se për çfarë bëhej fjalë dhe informacionet e pakta tregonin se ishte një regjisor modern, i cili jetonte në zonën e Winnipeg në Kanada. Skenari dukej jashtëzakonisht i rënduar dhe plot përshkrime, kështu që vendosa të shihja xhirimet: ishin të jashtëzakonshme, sidomos njëri që titullohej ‘The heart of the world‘. Pas këtyre regjistrimeve vendosa t‘i telefonoja menjëherë këtij regjisori dhe ai u shpreh shumë i gatshëm për të më takuar, duke më thënë se mjaftonte të shkoja në Toronto dhe më pas të bënte edhe një udhëtim tjetër të shkurtër me një avion.

Transiti i dytë më shokoi paksa, sepse prita për një kohë të gjatë në mes të tundrës kanadeze, ku temperaturat ishin 40°C nën zero. Nuk e imagjinoja kurrë se do ta vizitoja ndonjëherë këtë vend, por kur m‘u shfaq para syve një burrë simpatik, sikur fillova të mos e ndieja shumë të ftohtin. Pasi u takuam filloi të më fliste gjatë për projektin e filmit dhe faktin që personazhi duhej të vishte dalëngadalë peliçe, për të treguar diçka luksoze, por edhe patetike. E pranova menjëherë ofertën pa u menduar dy herë, por vetëm më pas e kuptova se personazhi që duhej të interpretoja nuk kishte këmbë. Kur i komunikova vendimin tim agjentit dhe i shpjegova edhe arsyet, ai m‘u përgjigj me një frymë, "do pres damarët". Ishte i terrorizuar nga kjo zgjedhje kaq e çuditshme, por e lashë veten të ndikohesha prej tij dhe sot jam shumë krenare, sepse filmi u bë kult. Takimi me Gajn nuk ishte vetëm një eksperiencë artistike", vazhdon Izabela Roselini. "Nga ajo eksperiencë kanadeze m‘u rikthye dëshira për të jetuar. Bëhet fjalë për mësime që kam pasur fatin t‘i mësoj, kur kam qenë e vogël, por ndoshta për mua sfida më e madhe erdhi falë asaj eksperience të papritur dhe revolucionare. Me kohën zbulova se Gaj kishte shumë gjëra të përbashkëta me babanë tim: janë dy kineastë që kanë më shumë rëndësi për publikun dhe më kryesorja e adhurojnë kinemanë".

Të bën përshtypje kur e dëgjon Izabelën, vajzën e Roberto

Roselinit dhe Ingrid Bergmanit, të flasë për kinemanë italiane. Një nga paradokset e karrierës së saj, edhe pse një periudhë relativisht të gjatë u bë ikona dhe muza e regjisorit David Lynch, është se ka punuar shumë pak në Itali.

Pas bashkëpunimit të frytshëm me Gaj Madin, Izabela ka bashkëpunuar edhe me yllin hollivudian, Robert Redford. "Gjithmonë e kam admiruar Redfordin, si aktor dhe regjisor. Redford e ka ditur më mirë se kushdo tjetër, që kinemaja amerikane rrezikonte të propozonte vetëm ide komerciale mjaft të përhapura. Jam e para që e kam kuptuar se kinemaja nuk mund të ketë një shpirt industrial, por që në të njëjtën kohë duhet të jetë në gjendje të prodhojë ide, imazhe dhe ëndrra. I detyrohet atij lindja e një brezi të tërë autorësh, të cilët janë shfaqur krejtësisht me mendime të reja. Në rastin e ‘Green Porno‘ ka financuar personalisht plot 70 mijë dollarë për serinë e parë, ndërkohë që i gjithë buxheti ishte 80 mijë". Ndërkohë që Izabela Roselini flet me entuziazëm për shifra shumë të ulëta për një buxhet kinematografik, mendon edhe për aktivitetin e saj si aktore, modele dhe më vonë menaxhere: "Është një periudhë e jetës sime që më ka dhënë shumë, veçanërisht për sa i përket rolit në industrinë e modës. Kur prodhova linjën e produkteve kozmetike e kuptova se interesi im fshihet në aspektin krijues të çdo aktiviteti. Sot jam e lumtur që shoh time bijë Elektrën në kopertinat e revistave të rëndësishme dhe kam shumë respekt për botën e modës. Gjithsesi, tani ndihem më e stimuluar, sepse kam një mendim të saktë, apo të paktën një intuitë që më parë nuk ekzistonte".

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama