Dashuria e shqiptarit me pasaniken perfundon ne gjykate

Dashuria e shqiptarit me pasaniken perfundon ne gjykate
Një biznesmene e pasur nga Sidnej, Australi, që u dashurua me një të ri shqiptar gjatë pushimeve në Greqi, tentoi ta ndalonte atë që të jetonte në Australi pasi ata u ndanë. Nëna e dy fëmijëve, Kerrie Patterson, pati një histori romantike me Mark Martinajn në Santorini në vitin 2009 dhe i kërkoi atij të vinte të jetonte me të në Australi.

“Kjo është si historia e princeshës me varfanjakun,” tha avokati i Martinajt, Costas Kilias.

“Ajo është e suksesshme, e njohur dhe e pasur dhe ai … është efektivisht një i huaj pa asnjë para në xhep.”

Pas dy vitesh duke jetuar së bashku, kohë gjatë së cilës Martinaj aplikoi për vizë, marrëdhënia u turbullua dhe zonja Patterson i sugjeroi zotit Martinaj që të vizitonte familjen në Shqipëri dhe kur të kthehej do rivlerësonin marrëdhënien mes tyre. Por ndërsa Martinaj ishte jashtë vendit, zonja Patterson kontaktoi departamentin e emigracionit dhe kërkoi që atij t’i anulohej viza. Po ashtu i anuloi edhe biletën e kthimit dhe kontaktoi policinë për tu kërkuar që të mos e lejonin të kthehej. Zoti Martinaj, 27 vjeç, u kthye në Australi dhe marrëdhënia pati ulje e ngritje sërish për pesë muaj përpara se zonja Patterson, drejtoreshë në kompaninë e dizajnit Ion Projects t’i jepte fund marrëdhënies.

Muajin që pasoi ai e telefononte dhe i dërgonte mesazhe shpesh asaj, duke i deklaruar dashurinë dhe duke tentuar të ribashkohen. Një mesazh i dërguar më 19 shtator vjet lexon: “Të lutem më kthe përgjigje, të kam dashur gjithmonë dhe sërish të dua”. Zonja Patterson aplikoi për një urdhër ndalimi dhe zoti Martinaj u akuzua për ngacmim. Dje, akuzat ndaj tij ranë dhe ai u shpall fajtor për një akuzë më të lehtë. Zoti Martinaj u vendos nën mbikëqyrje për sjellje të mirë për dy vite. Prokurori tha se zonja Patterson besonte se i dashuri i saj më i ri nuk kishte qenë besnik dhe pranoi se kishte anuluar biletën e tij të avionit dhe kishte kontaktuar autoritetet. Zoti Kilias tha se klienti i tij e pati të vështirë të pranonte se marrëdhënia kishte mbaruar dhe që prej atëherë është vendosur në Melburn dhe nuk ka më kontakte me zonjën Patterson. Ai shtoi se tani zoti Martinaj është më i çliruar dhe i kënaqur me vendimin.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama