Përgjigjja që japin studiuesit është shumë e qartë dhe e thjeshtë: lumturia dhe dashuria. Vetëm ai që do dhe duhet jo vetëm nga partneri, por edhe nga prindërit, miqtë, motrat, vëllezërit, mund të jetë i gëzuar dhe të jetojë një jetë të qetë e të lumtur.
"Studimi mjekësor u ka kushtuar shumë vëmendje personave me probleme mendore dhe pak rëndësi njerëzve të shëndoshë", tha në 1938-ën psikiatri i Harvardit, Arlie Bock, kur filloi zyrtarisht studimin, që e mori emrin nga manjati i magazinave të mëdha, W.T.Grant.
Për të studiuar sekretin e lumturisë dhe zhvillimin e saj përmes fazave të ndryshme të jetës, Bock përzgjodhi 268 studentët më të mirë, më ambiciozë dhe më të privilegjuar të Harvardit, duke u angazhuar që t‘i ndiqte përmes karrierës, luftërave, martesave, divorceve, nipërve dhe sëmundjeve, deri në vdekje.
Në ato kohë, Harvardi ishte një enklavë vetëm për meshkujt e pasur, elitën e Anglisë dhe katër prej studentëve që iu nënshtruan studimit u bënë senatorë, një u bë ministër dhe pjesa tjetër drejtues industrish. Mes tyre ishte edhe një President, John Kennedy (por dosja e tij nuk mund të hapet para vitit 2040); një gazetar i madh, Ben Bradlee, drejtor i "Washington Post" gjatë skandalit "Watergate" dhe një shkrimtar i famshëm, Norman Mailer.
Por emrat e nxënësve që iu nënshtruan studimit do të mbeten përgjithmonë një mister. Edhe Joshua Wolf Shenk, gazetari i parë që kontrolloi arkivat e "Grant Study", ka qenë i detyruar të mos i bënte publike emrat e nxënësve në materialin që publikoi në revistën amerikane "The Atlantic".
Megjithatë, në fund Shenk i pasqyroi rezultatet e studimit, të cila shpesh ishin kontradiktore me ato të George Vaillant, psikiatrit 74-vjeçar të Harvardit, që 30 vite më parë supozoi përfundimet e studimit, kur shumë prej studentëve të tij premtues kishin marrë rrugë të keqe.
Një tjetër studim i bërë në Harvard në vitin 1940 te 456 proletarë të getove të Bostonit (që u quajt "Glueck Study") arriti në të njëjtat rezultate. Pasi mbushin 50 vjeç, më shumë se një e treta e "kavieve" (studentëve) shfaqte simptoma të sëmundjeve mendore, alkoolizmit dhe varësisë ndaj ilaçeve. Pjesa më e madhe, pa mbushur 50 vjeç, humbën jetën duke u vetëvrarë. Arlie Bock ishte shtangur nga rezultatet: "Kur i zgjodha ishin shumë normalë", i rrëfen ai Vaillant, në një prej dokumenteve të gjetura nga Shenk.
Megjithatë, metodologjia e ndjekur nga studimi ishte rigoroze. Falë donacioneve federale dhe private për të paguar studimet e kushtueshme, çdo dy vjet Vaillant u kërkonte pjesëmarrësve të hartonin pyetësorë me pyetje të ndryshme mbi shëndetin fizik dhe mendor, cilësinë e martesës, fëmijët, karrierën, sëmundjet dhe pensionin. Çdo pesë vjet "kaviet" i nënshtroheshin kontrollit, kartelat e të cilëve plotësoheshin nga mjekët përkatës, ndërsa çdo 15 vjet duhej të jepnin intervista të gjata, duke iu përgjigjur pyetjeve personale nga çdo fushë e jetës, si praktike ashtu edhe emocionale.
Shqetësimi kryesor i Vaillant? "Të studioja më shumë mënyrën se si këta persona reagonin ndaj problematikave të ndryshme, natyrisht jo atyre personale", shpjegon Shenk. Studenti që në fillim iu duk më i përshtatshmi dhe më premtuesi nga të gjithë, është i pari që pati një fund të hidhur. Pas një fëmijërie të lumtur, në një shtëpi me 11 dhoma dhe 3 banja, burri- djalë i një doktori të pasur dhe i një artisteje -u martua dhe bëri karrierë jashtë shtetit. "Më pas filloi të tymoste dhe të pinte alkool", shkruan Vaillant në bllokun e tij të shënimeve. "Në moshën 35-vjeçare u zhduk, duke i lënë kështu përgjysmë pyetësorët tanë. Më vonë morëm vesh se papritur kishte vdekur".
Një burrë tjetër, i konsideruar si klouni i grupit, për shkak të personalitetit të tij plot gjallëri, u martua tri herë dhe prej këtyre martesave lindën tre fëmijë. Ka bërë punë të ndryshme, para se të pranonte homoseksualitetin e tij, duke u bërë më pas një lider i mirënjohur në lëvizjet për të drejtat e homoseksualëve. Ai vdiq në moshën 64-vjeçare, i alkoolizuar, duke rënë nga shkallët, pasi ishte në gjendje të dehur.
Por personi më intrigues nga të gjithë, sipas Shenk, është vetë Vaillant, shkencëtari i jashtëzakonshëm dhe më i çuditshëm i Harvardit (ndonjëherë vinte në zyrë me shapka), i cili është konsideruar shpirti i studimit, pasi në mungesë të regjistrimeve, përdorte shënimet e tij personale. I lindur në një prej familjeve më aristokrate të New England, Vaillant mbeti jetim që në moshën 10-vjeçare, kur i ati, një burrë i suksesshëm dhe i lumtur (të paktën kështu dukej nga pamja e jashtme), u vra me një plumb pranë pishinës së shtëpisë. "Nëna e tij nuk pranonte të fliste për ngjarjen", tregon Shenk. "Nuk i bënë ceremoni varrimi dhe nuk shkelën kurrë më në atë vilë". Pas tre divorcesh, psikiatri u rikthye me gruan e dytë. Fëmijët e tij e përshkruanin jetën me të atin si "një luftë civile" dhe tregonin se kishin kaluar vite pa ia kthyer fjalën. "Miqtë e tij më të ngushtë tregonin se nuk dinte t‘i ndante marrëdhëniet miqësore nga ato intime", thotë Shenk.
Edhe për këtë fakt, përfundimet e arritura janë simbolike: "Miqësia, dashuria dhe marrëdhënia e mirë me vëllezërit, motrat dhe prindërit është çelësi i lumturisë". Por Shenk nuk është kaq i prerë: "Studimi filloi me propozimin për të analizuar jetën e atyre individëve nën lenten e një mikroskopi. Por në fund ato jetë ishin shumë të mëdha, shumë të çuditshme e shumë të pasura me sfumaturë dhe kontradikta për t‘u etiketuar", shkruan ai në revistën amerikane "The Atlantic".
Gazeta Shqip