Dashuria ne koherat e largesise

Dashuria në kohërat e largësisë

Nuk përbën aspak çudi që gjatë një udhëtimi pune apo në muajin e pushimeve apo qoftë edhe në një shëtitje të thjeshtë ose njohje të rastësishme të dashurohesh me dikë. Dhe sigurisht që ndodh shumë shpesh që ky “dikë” të mos ta ketë shtëpinë te pallati përballë shtëpisë tënde, as në lagjen aty pranë dhe as në një lagje tjetër shumë larg tëndes. Por edhe në ndodhtë që të mos jesh e detyruar të bësh shumë rrugë për të arritur te shtëpia e tij sepse fati e deshi që të jetoni në një qytet, me mijëra arsye mund të bëhen shkak që ai të transferohet në një vend tjetër, pa përjashtuar këtu edhe mundësinë e një shteti tjetër. Arsye pune, studimi, çështje familjare e të tjera të këtij lloji mund të bëhen shkaku që nga partneri yt të të ndajnë qindra kilometra largësi, mbase edhe mijëra. Dhe në raste të tilla jo gjithmonë mund të ndodhë të gjesh një zgjidhje ideale të tipit "Do të vij me ty”. “Do të jetoj me ty kudo që të shkosh” dhe kjo në të shumtën e rasteve shkakton probleme ndonjëherë aq të mëdha, sa përfundimi aspak i lumtur do të ishte fundi i lidhjes njëherë e përgjithmonë, pavarësisht se duheni, pavarësisht se midis jush gjërat shkonin shumë mirë, pavarësisht se kishe menduar se mund të përballonit gjithçka bashkë. Largësia nuk është asnjëherë një aleat i mirë për një lidhje. Sepse ajo, siç thonë më të vjetrit, është si era, shuan zjarret e vegjël dhe ndez të mëdhenjtë. Pastaj largësia shkakton dhimbje, vuajtje, keqkuptime dhe xhelozi. Ka në mes edhe pak ndjenjë fajësie, sepse mund të të paraqiten shumë raste dhe jo gjithmonë është kaq e thjeshtë t’u thuash “jo”. Me pak fjalë, të jetosh një lidhje në distancë jo gjithmonë mund të jetë romantike si nëpër filma. Në më të shumtën e rasteve rezulton se është jo pak e vështirë.

Nuk duam të japim zgjidhje që nuk ekzistojnë. Thjesht u japim disa këshilla atyre që janë duke përjetuar një lidhje në largësi. Disa sugjerime për të administruar më mirë këtë situatë, në pritjen që nuk mbaron thuajse kurrë, që gjërat të ndryshojnë për mirë dhe më në fund të piqen kushtet që ti të kesh mundësi të bashkohesh me të dashurin tënd.
Ja disa gjëra, të cilat nuk do të ishte keq t’i mbanit parasysh...

1) Përdorni teknologjinë
Kurrë më shumë se sot teknologjia nuk ka qenë një aleate e fuqishme për argumentin në fjalë, pra për ata që dashurojnë për së largu. Dhe këtu nuk e kemi fjalën vetëm për e- mailin apo për një program të thjeshtë chat- I, por për ato programe komunikimi në distancë që të lejojnë komunikim më të ngushtë sesa thjesht një telefonatë apo disa shkronja që jepen e merren. Mjafton të blesh një “webcam”, që të jep mundësinë jo vetëm të flasësh dhe të shkruash, por edhe të shihesh në sy. Njësoj sikur të ishe me të në një dhomë. Pothuajse...
2) Keqkuptimet duhen sqaruar
Kurrë mos shko në shtrat pa sqaruar më parë një keqkuptim që mund të ketë lindur gjatë bisedës të bërë në largësi. Dhe duhet thënë që në kushte të tilla keqkuptimet janë të pranishme më tepër se ç’duhet. Largësia është e tmerrshme. Mund të zihesh edhe për gjëra që në rrethana të tjetra thjesht mund të të bënin të qeshje. Dhe pasojat e një zënke që vjen në kushtet e një distance të largët janë vërtet të pakëndshme. Gjithmonë mundohuni që të mos e mbyllni komunikimin me të duke përplasur telefonin me inat apo duke shkëputur lidhjen përmes internetit pa thënë natën e mirë. Më mirë sqaroni gjithçka dhe flini pastaj e qetë, pa inate dhe brerje ndërgjegjeje. Të nesërmen do të ishte shumë e vështirë për t’iu rikthyer të njëjtës bisede për të bërë sqarimin e lënë përgjysmë.
3) Gjithmonë të qartë
Ji gjithmonë e qartë dhe e hapur në ato që thua dhe përpiqu që të mos lësh asgjë të paqartë apo ndonjë qoshe ku partneri të ketë mundësi të hamendësojë. Partnerët që mbajnë një lidhje në largësi janë gjithmonë shumë të ndjeshëm, madje edhe shumë xhelozë. Më mirë zgjat kohën duke treguar edhe detajet më të vogla, sesa të lësh boshllëqe që lënë vend për të dyshuar apo për t’u keqkuptuar. Mos i lër asnjë shteg që të “notojë” nëpër mendimet e tij të stërholluara që mund ta çojnë kushedi se ku. Të flakësh në distancë dhe të tregosh diçka qoftë edhe shumë të rëndomtë, nuk është e njëjta gjë si të komunikosh ballë për ballë, kur ke mundësi të kontrollosh gjestet, veprimet dhe shprehjet e fytyrës.
4) Jetë aktive
Të kesh një lidhje në distancë, nuk do të thotë aspak që ti duhet që gjatë gjithë ditës të rrish e ngjitur pas telefonit dhe të presësh me ankth telefonatën e tij. A thua se në këtë jetë nuk ke gjë tjetër për të bërë. Lëri partnerit kohën që ke planifikuar me të dhe mos lër pas dore angazhimet e tua apo qoftë edhe argëtimet. Fakti që partneri yt është larg, nuk do të thotë që ti duhet të mbyllesh brenda dhe të mos kesh jetën tënde aktive. Duke qenë gjatë gjithë kohës e zënë me diçka, do ta vuash edhe më pak largësinë dhe do ta bësh disi më të lehtë situatën që po përjeton, e cila duhet thënë që nuk është dhe aq e këndshme për dy njerëz që duhen.
5) Planifiko me kujdes udhëtimet
Përpiqu të hartosh një plan udhëtimi të tillë që të japë mundësi që të takoheni me të disa herë gjatë gjithë vitit. Mundohu që vizitat e tij tek ti apo anasjellas të jenë sa më të shpeshta. Bëj mirë llogaritë e parave, të cilat të kushtëzojnë. Mund të të japin shumë mundësi për t’u takuar në fillim dhe të të entuziazmojnë aq shumë, sa pjesën tjetër të vitit do t’ju duhet të kënaqeni vetëm me telefonatat. Është mirë që të ardhurat e planifikuara për udhëtime të administrohen në mënyrë të tillë që të të japin mundësi të takoheni në periudha të ndryshme të vitit. Vini në funksion edhe trurin. Mos e lini veten të udhëhiqeni vetëm nga zemra

Marre nga : Gazeta Albania


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama