Dhëndurët duken tashmë gjithnjë e më shumë të përfshirë në organizimin e “ditës së madhe” të çiftit. Mesa duket, koha kur mashkulli interesohej vetëm për të thënë “po” dhe për të marrë nusen në shtëpi ka ikur. Meshkujt e sotëm duan që dasma e tyre të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe për këtë arsye, ata kanë filluar të mos e lënë çdo gjë në dorë të femrave. Një studim i ri ka zbuluar se meshkujt kanë filluar të përfshihen në detajet e planifikimit të dasmave.
Elementë si përzgjedhja e tortës, luleve, mjedisit ku do të zhvillohet, muzika, të ftuarit dhe detaje të tjera kanë tërhequr vëmendjen mashkullore duke e bërë dasmën një ceremoni çifti dhe jo vetëm një përkujdesje femërore. Koha kur dhëndurët thoshin vetëm “zgjidh ç’të duash” ka kaluar, po vjen koha e meshkujve që thonë “do ta zgjedh vetë!”
Kërkuesit zbuluan se meshkujt e sotëm po e lënë pas stereotipin “më thuaj orën dhe do jem atje”. Gjysma e meshkujve të anketuar kanë treguar se ata thanë fjalën e fundit për ditën e dasmës, ndërsa 56 për qind pranojnë se kanë zgjedhur vendin. Punë të tjera që marrin përsipër dhëndurët gjatë dasmës janë përzgjedhja e bandës muzikore, e kostumeve të shoqëruesve të dhëndrit dhe zgjedhja e makinës së martesës. Studimi i kryer zbuloi gjithashtu se një e treta e meshkujve ishin madje të gatshëm të negocionin për çmime më të arsyeshme në lidhje me artikujt që iu duheshin në ceremoni. Ky hulumtim tregon se shumica e çifteve i bëjnë përgatitjet për ditën e madhe së bashku dhe kjo duket se është një shenjë e mirë për jetën e ardhshme bashkëshortore.
Deri më tani ishte bërë e zakonshme të shikonim, që u mbetej në dorë nuseve të zgjidhnin çdo dilemë në lidhje me ceremoninë martesore. Por duke parë se kostot e dasmës janë rritur shumë, nuk është aspak e çuditshme që përgjegjësia të ndahet mes çiftit. Natyrisht që ndërhyrjet janë në pjesën që i përshtaten natyrës së nuses dhe dhëndrit. Megjithatë është normale edhe ideja që dhëndri të qëndrojë jashtë përgatitjeve të ceremonisë. Studimi zbuloi se disa zakone të vjetra zbatohen akoma edhe sot, si për shembull 52 për qind e prindërve të vajzave japin kontributin e tyre monetar në organizimin e dasmës.
Duke qenë se në kohët e sotme faturat e ceremonisë paguhen më së shumti nga vetë çifti, 44 për qind e prindërve të dhëndrit shprehen se iu është lehtësuar shumë barra e marrjes përsipër të shpenzimeve të dasmës. Tre nga katër çifte të sapomartuara shprehen se nuk janë penduar për paratë që kanë shpenzuar në ditën më të lumtur të jetës së tyre.
Kjo mani e re e meshkujve për të marrë pjesë në organizimin e dasmës, mund të çojë në humbjen e durimit të disa nuseve, të cilat janë mësuar t’i bëjnë gjërat vetë apo të mos kundërshtohen. Një e katërta e të anketuarve shprehen se meshkujt janë po aq të interesuar për t’i bërë përshtypje miqve, familjes dhe të ftuarve sa femrat. Sipas anketave të 2000 personave të martuar në pesë vitet e fundit, u zbulua se rreth 42 për qind mendojnë se meshkujt janë po aq të aftë dhe kompetentë në planifikimin e dasmave, 59 për qind të të intervistuarve u shprehën se organizimi total i ceremonisë martesore ishte shumë i vështirë dhe i mori shumë kohë, ndërsa nga ana tjetër 25 për qind u shprehën se e planifikuan dasmën në orarin e punës.
Shumica e meshkujve u shprehën se ata morën pjesë në rregullimin e elementëve që i shqetësonin, ndërsa pjesën tjetër ia lanë në dorë bashkëshortes së ardhshme. Kur u pyetën se cila ishte dëshira e tyre më e madhe në lidhje me ceremoninë, shumica e meshkujve u shpreh se dëshironte që të mblidheshin të gjithë së bashku dhe që të ftuarit t’ia kalonin mirë. Femrat u shprehën se në ditën e tyre të dasmës ato dëshironin vetëm dy gjëra: “që fustani i tyre të dukej fantastik dhe që të ishte një ditë me diell”.
60 për qind e çifteve pohojnë se kohët e fundit, meshkujt janë shumë më të interesuar për t’u përfshirë në organizimin e ceremonisë së tyre martesore.
Koha kur dhëndurët thoshin vetëm “zgjidh ç’të duash” ka kaluar, po vjen koha e meshkujve që thonë “do ta zgjedh vetë!”
Kërkuesit zbuluan se meshkujt e sotëm po e lënë pas stereotipin “më thuaj orën dhe do jem atje”.
Një dukuri e re që po përhapet është pagimi i shpenzimeve të dasmës nga vetë çifti, ndihma e prindërve të vajzës dhe më pak kontribut nga prindërit e djemve.