Kështu, në darkat dhe koktejet e Davosit nuk është se nuk ka gra me shumicë, por zakonisht ato janë bashkëshortet e këtyre meshkujve të fuqishëm. Vetëm rrallë e tek sheh gratë e vërteta që mbajnë fuqi. Ky është mendimi i Fransuazë Gri, presidentes së “Manpower Francë”, e cila ka qenë në listën e 50 grave më të pasura të botës këto 7 vitet e fundit. Për të është hera e dytë që merr pjesë në Davos. “Nuk ka dyshim që të jep ndjesinë e një klubi meshkujsh dhe një grua në këtë vend nuk ndihet si në shtëpinë e saj”, - thotë ajo. Kristine Lagard, ministrja franceze e Financave dhe një nga pjesëmarrëset e rregullta në Davos që prej një dhjetëvjeçari thotë se, “kimia tërësisht mashkullore e Davosit ma dëmtoi besimin. Ti e dije shumë mirë se ishe kompetente, por njëherazi kishe edhe një ndjenjë të vogël pasigurie”.
Zakonisht të pasurit dhe të fuqishmit konsiderohen si një grup neutral për sa i përket gjinisë që operon në një flluskë të pakufijtë, që është tërësisht e shkëputur nga realitetet e përditshme dhe e paprekur nga telashet e krizës së fundit ekonomike. Por, ndryshe nga meshkujt e shtresave të larta që kanë dallim nga ata të shtresave më të ulëta, gratë e elitës kanë diçka të përbashkët me gjithë gratë e tjera. Sipas Domenik Reinche, çështje e pabarazisë gjinore është një shqetësim për të gjitha gratë dhe femrat në të gjitha nivelet konsiderojnë si një çështje të përbashkët.
Kjo është arsyeja se përse rritja e fenomenit të filantropisë femërore është shpesh i fokusuar në çështjet e përmirësimit të kushteve të jetesës dhe pozitës së grave që janë më me pak fat. Ndërsa për sa i përket botës së filmit dhe biznesit muzikor, gratë që marrin pjesë në këtë forum janë Anxhelina Zholi dhe Annie Lenox. Të dyja kanë marrë pjesë edhe në takimet e mëparshme në Davos, dhe arsyeja është promovimi i të drejtave të grave në emër të Kombeve të Bashkuara apo organizatave të tjera si edhe elementë të tjerë që i bëjnë gratë që të jenë më pak të ekspozuara ndaj riskut të jetesës në një flluskë hermetike elitare. Edhe gratë më të pasura dhe më të suksesshme tentojnë që të kenë si përgjegjësinë parësore fëmijët e tyre. Qenia e fëmijës është një vështirësi kur bëhet fjalë për karrierën dhe mund të ta bëjë jetën me shumë impenjime, por nga ana tjetër kjo i bën gratë që të kenë lidhje më të mëdha me shoqërinë dhe me jetën e përditshme. Ato kanë, si fillim, marrëdhënie me dadot e fëmijëve, që vijnë nga një shtresë tjetër dhe më pas takojnë mësuesit dhe mamatë e shokëve të fëmijëve të tyre. Në këtë aspekt, janë më të ndjeshme që të investojnë në drejtim të përmirësimit të jetës dhe shkollimit të fëmijëve. Sipas një shefeje të madhe të një kompanie blerjesh, nuk ka gjë që të mban më shumë me këmbë në tokë se sa të jesh mamaja e një vajze adoleshente.
Sipas ministres franceze të Financave, gratë e të gjitha niveleve kanë një tendencë më të madhe se meshkujt për të qenë më shumë të lidhura me botën reale. Ajo vetë është mamaja e dy djemve. “Unë nuk njoh meshkuj të nivelit ku jam që do të bënin edhe pazar në supermarket, siç bëjnë femrat dhe vetë unë”, - thotë Anne Lauvergeon, shefja ekzekutive e ‘Areva’, gjigantit bërthamor. Të pasurit e kontakteve me botën reale është një nga sfidat më të mëdha që kanë elitat dhe institucionet elitare, si vetë Forumi i Davosit. Nëse ai kërkon që të vazhdojë të mbetet një vendtakim i elitave edhe në të ardhmen, duhet që të shtojë numrin e grave pjesëmarrëse, dhe jo vetëm për arsyen e rritjes thjesht të përqindjes, por edhe në vendin që u duhet lënë për të shpalosur idetë e tyre dhe iniciativat. Për shumë organizata të mëdha të shekullit të kaluar, që kërkojnë të kenë të njëjtin status edhe në shekullin në të cilin kemi hyrë, barazia gjinore e anëtarëve është një provë që duhet ta kalojnë për të mbijetuar në këtë botë që ndryshon.
Për sa i përket Davosit, numri i grave pjesëmarrëse është dyfishuar krahasimisht me vitin 2001. Konferencat e shtypit dhe debatet në qendër të të cilave janë gratë janë shtuar dhe nuk zhvillohen vetëm në sallat e ngrënies, por edhe në ato më të rëndësishmet e resortit. Ka gjithashtu pritje dhe kokteje të dedikuara vetëm për sipërmarrëset femra. Shumë shpejt grave në këtë forum mund t’u vijë një ndihmë për së brendshmi. E bija e krijuesit të forumit, Nikol Schwab është duke prezantuar një certifikatë të re për barazinë gjinore për kompanitë që marrin pjesë në këtë forum. Gjithsesi, bëhet fjalë ende për një projekt që do të ndryshojë diçka në botën mashkullore të Davosit.