Me përfshirjen e Italisë në skenarin e ecurisë së Shqipërisë në këtë europian, mediat italiane i kushtojnë një vëmendje të madhe skuadrës së Gianni De Biasit, duke kërkuar mendimin e trajnerit kuqezi për sfidën e Italisë kundër Irlandës
De Biasi theksoi se Shqipëria do të ketë një shans të madh nëse Italia do të ndihmojë kuqezinj duke fituar ndeshjen kundër Irlandës.
Në një lidhje telefonike për radion 24, De Biasi e pranon se ndihma e Italisë do të jetë shumë e rëndësishme në fatin e këtij europiani për Shqipërinë.
“A do të telefonoj Konten për t’i kërkuar ndihmë? Me jepni numrin dhe do ta telefonoj menjëherë”, u përgjigj me humor 60-vjeçari i stolit shqiptar, duke vënë theksin më pas në marrëdhëniet shumë të mira që ai ka me homologun e tij në stolin e kaltër.
“Tre pikët e fituara mund të na mjaftojnë për të kaluar në fazën tjetër por sido që të shkojë zhvilluam një europian pozitiv me tre ndeshje shumë të mira. Ironia e fatit është që ndaj Rumanisë patëm më pak raste se dy takimet e para ku paguam pak edhe presionin. I dimë limitet tona dhe kjo është forca jonë e madhe në këtë kompeticion”, shton De Biasi.
Në fund të intervistës, ai thekson se diferencat mes skuadrave janë ngushtuar dhe një ndeshje mund të vendoset nga lojtarët e mëdhenj.