Gianni de Biasin nuk e kanë mbajtur nervat gjatë konferencës për media ku ka arsyetuar largimin e Berat Gjimshtit, Milot Rashicës, Amir Rrahmanit dhe Herolind Shalës.
Trajneri i Kombëtares ka braktisur para kohe konferencën për shtyp të organizuar në qendrën e Bad Valtersdorf në Austri.
Edhe pse gazetari i “SuperSport” kërkonte të bënte pyetje të tjera rreth kuqezinjve, tekniku ka preferuar që të largohet nga salla, pasi dëgjoi se pyetja e radhës kishte të bënte përsëri me lojtarët e larguar.
“Ishte shumë e vështirë, një vendim i vuajtur dhe i trishtë, për të cilin kemi bërë disa vlerësime të thella dhe jo sipërfaqësore. Lojtarëve ua komunikova në rrugën më normale dhe natyrale, gjërat duhen thënë si janë dhe pa komplekse në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Me sinqeritet dhe pa fjalë të tepërta për ti thënë arsyet pse nuk erdhën në Francë”.
Lojtarët kanë pranuiar vendimin me De Biasin që jep dhe parimin mbi të cilin ka bërë zgjedhjen.
” Ju shpjegova futbollistëve arsyet dhe se cfarë më shtyu ti coja në shtëpi. As ata nuk e dinin që do të iknin, gjithcka erdhi në bazë së atyre që kanë bërë këtu dhe në bazë të bindjeve të mia se kush është më i dobishëm në Francë”.
Trajneri që në fillim i ka paraprirë situatës duke mos dashur të hyjë në shpjegimin individual për cdo lojtar, dicka në fakt e shumëpritur nga opinioni publik.
“Nuk duhet të hyjmë në emra të përvecëm. Zgjedhjet janë të motivuara për arsye teknike dhe fizike. Mora ata që mendoj se janë më të mirët dhe më të gatshëm për të ndihmuar skuadrën në Europian. Ju kisha thënë lojtarëve që jemi 27 por në fund do mbeten 23”.
Megjithatë për përjashtimin e Berat Gjimshitit e ka dhënë një motiv.
“Gjimshiti ka një vit që nuk luan”
Për Rashicën po ashtu.
“Rashica nuk ka luajtur shumë me ne, kam besim te ai por në të ardhmen do të jetë pjesë e kombëtares. Me ne luajti n25 minuta me Luksemburgun dhe një pjesë me Katarin”
Kur pyetjet kanë vijuar për Shalën dhe Rrahmanin tonet janë nxehur.
“Nuk mund tu them atë që ju thashë atyre personalisht. Duhet të bëjmë tjetër diskutim. Jam unë që bëj zgjedhjet, a mund ti bëj? janë këto që na sollën deri këtu. Nëse dëshironi të bëni me sondazhe atëherë do të shohim ku do të shkoni. Ja kam shpjeguar lojtarëve arsyet dhe jo juve”
Situatë që ka qenë e vështirë të mos ketë pasojë dhe kur është folur për kundërshtarin e radhës Ukrainën dhe atë se cfarë pret trajneri nga kjo ndeshje.
“Nuk e di se kujt i ngjan Ukraina nga kundërshtarët që kemi në grup. Për ne vlen vetëm për veten tonë, të shohim se ku jemi dhe të testojmë veten. Pres që skuadra të luajë një ndeshje të mirë, të jetë e kujdeshme në mbrojtje dhe të vijojë rrugën në gjetjen kondicionit fizik”.
Ndoshta e vetmja temë që mund të qetësonte pak gjakrat ishte ajo e tifozëve. Në Bergamo përballë Ukrainës, pritet të jenë të shumtë dhe impresionues, ashtu sic ishin në përballjen e Genovas me Italinë.
“Nëse do të ketë shumë shqiptarë padyshim që do të jemi shumë të kënaqur pasi tregon që kjo skuadër tërheq interes. Do të përpiqemi ti kënaqim të gjithë pasi ata janë lojtari unë i 12-të”.