Tekniku i përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biazi, është i ndërgjegjshëm se për të triumfuar përballë Rumanisë do të duhet një ndeshje perfekte.
"Mendoj se në këtë turne djemtë kanë bërë gjëra shumë të mira, kemi paguar në mënyrë të rëndësishme budallallëqe të vogla që i paguajnë thuajse të gjitha skuadrat në ndeshje. Por mendoj se ne në ato momente nuk kemi qenë me fat në mospësimin e golit. Nga ana tjetër, në rastet kur kemi pasur mundësinë për të bërë gol, nuk kemi pasur qetësinë për të realizuar atë që kemi ndërtuar.
U kam thënë djemve se nëse duam te kemi një histori të hapur me këtë turne, duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi që na jepet dhe duhet të kemi shumë kujdes në fazën mbrojtëse pasi ata janë të aftë në goditjet standarde, kanë futbollistë fizikisht të aftë. Duhet të jemi të vëmendshëm. Jemi të përgatitur për ndeshjen që kemi përpara. Duhet të bëjmë ndeshjen perfekte", theksoi ai në konferencë për shtyp.
I pyetur nëse vështirësitë në sulm mund të ishin zgjidhur nga Besart Berisha, De Biazi u tregua i prerë. "Nuk kam menduar asnjëherë të marr Berishën në Europian. I kam kërkuar dy vite me parë të vinte në këtë ekip, por më tha që luante shumë larg dhe nuk ishte gati. Kush nuk ka dëshirë të bëhet pjesë e një ekipi, nuk është e drejtë ta thërrasësh, nuk është pjesë e mentalitetit tim. Unë dua lojtarë të cilët kur kanë fanellën e veshur, japin 110%".
Trajneri është i sigurt se ekipi ka dhënë maksimumin në çdo ndeshje dhe këtë e tregon më së miri vlerësimi që ka marrë nga të tjerët. "Nuk dua të ndryshoj asgjë nga pikëpamja taktike dhe manovra. Nëse kujtoni, kemi luajtur me 10 për një orë ndaj Zvicrës, kemi pasur 3 raste të mira për të rregulluar ndeshjen, edhe 3 minuta para fundit. Mendoj se skuadra ka nderuar fanellën, ka nderuar tifozët dhe futbollin. Mendoj se kemi luajtur me vendosmëri. Ndaj Francës. 50 sekonda nga fundi kishim vënë në vështirësi një skuadër me aftësi teknikë më të mira se tonat dhe mendoj se rastin më të mirë e kishim ne kur goditëm shtyllën. Këto janë episode që ndryshojnë ndeshjen. Mes shtyllës dhe golit ka një diferencë shumë të vogël. Nuk arritëm të shënonin dhe në fund pësuam gol për një pasaktësi, por kjo është diçka që mund të ndodhë në minutën ë 89".
"Çfarë mund të bëjmë më shumë ndaj Rumanisë? Të bëjmë gol dhe të mos pësojmë. Atë që na ka munguar në dy ndeshjet e para. Por mendoj se duhet të kujtojmë atë që kemi bërë në fushë për sa i përket paraqitjeve. Ato janë të mira. Kanë mbetur të gjithë të çuditur nga loja e kësaj skuadre. Kur të mungon rezultati, paraqitja bie në hije. Për ne, në të kundërt, shumë kanë vlerësuar cilësinë e lojës, sjelljes taktike, që kjo skuadër nuk është frikësuar as nga lojtarë me nivel të rëndësishëm ndërkombëtar siç kishte Franca".
Trajneri ka lënë enigmë nëse do të përdorte apo jo Lorik Canën që nga minuta e parë. "Mendoj se Loriku është një lojtar i rëndësishëm për kombëtaren shqiptare. Fillimisht se ka shumë eksperiencë në krahasim me lojtarët e tjerë. E dyta se ka një përfshirje emotive kur vesh fanellë. Nuk është rastësi që është idhull i tifozëve kuqezi. Mendoj se Loriku do të jetë i rëndësishëm edhe nesër. Do të vlerësojmë gjithçka në fund të ndeshjes".
Nuk mungoi një vlerësim edhe për Rumaninë, kundërshtar i cili sipas tij ishte i ngjashëm me kuqezinjtë. "Mendoj se nëse ne kemi ne mundësi për të ecur, Rumania ka edhe më shumë se ne, sepse ka një pikë dhe mund të shkojë në 4. Mua më pëlqen, ka lojtarë të mirë, luan më mënyrë kompakte, e vendosur, na ngjan nga mentaliteti. E dimë rëndësinë e një grupi të bashkuar, të një skuadre që në fushë punon bashkë. Dihet që fatkeqësia e njërës palë është gëzimi i tjetrit në këtë rast, do të mundohemi të fitojmë në mënyrë të ndershme dhe serioze", theksoi De Biazi.