Xhani De Biazi është i lidhur ngushtë me Shqipërinë, sepse edhe marrja e nënshtetësisë e konfirmon këtë, ndonëse e ardhmja e afërt mund të jetë larg saj, duke parë zërat që e shohin pranë Kombëtares së Italisë si pasues i Antonio Kontes. Trajneri, që pret të festojë 60-vjetorin e tij më 16 qershor (një ditë pas ndeshjes në fazën e grupeve me organizatorët e Francës), ndërsa do të jetë duke shijuar aventurën historike me Kombëtaren tonë në Europianin e Francës, rrëfen në një intervistë interesante për "Birn" se është një baba i dytë për futbollistët që ka nën urdhra.
"Pas një shkëputjeje nga të stërviturit në Itali më erdhi oferta e Shqipërisë. Mora kohë, por brenda meje ndieja të pranoja, ndonëse shumë prej kolegëve dhe shokëve të mi më pyesnin nëse a isha vërtet i sigurt për ta marrë këtë vendim. Më shtynin që të fitoja kohë, por unë doja ta bëja këtë aventurë dhe në fund jam i lumtur që pranova.
Doja të përfshihesha në këtë kauzë dhe pas një njohjeje fillestare të kombëtares në eliminatoret e Botërorit, arritëm të ndërtojmë së bashku me lojtarët atë që sot quhet një arritje historike dhe që të gjithë duam ta shijojmë në maksimum. Gjatë kësaj periudhe i njoha gjërat dhe njerëzit më mirë, deri në momentin kur marrja e shtetësisë shqiptare më solli edhe më pranë me këtë popull, pjesë e të cilit jam edhe unë, - shprehet De Biazi, i cili konfirmon lidhjen e fortë me futbollistët e tij.
- Jam shumë i afërt me djemtë. I kuptoj vështirësitë e tyre dhe përpiqem të jem një baba për ta. Përpiqem t'u jap këshilla jo vetëm rreth sportit, por edhe rreth jetës personale kur më kërkojnë. Madje, i këshilloj të jenë më të zgjuar dhe më të kujdesshëm edhe me mënyrën sesi i shpenzojnë paratë, sepse e nesërmja mund të jetë gjithmonë më e vështirë sesa e tashmja, prandaj disa kursime të lëna mënjanë nuk i bëjnë keq asnjërit".