Për trajnerët italianë, Palermo është kthyer në një makth, pasi presidenti i kësaj skuadre, Mauricio Zamparini, nuk e ka problem të ndërrojë 6-7 të tillë brenda një sezoni. Por Xhani De Biazi, i cili si futbollist ka veshur në 105 ndeshje fanellën e kësaj skuadre, duket se nuk i frikësohet Zamparinit, përkundrazi, bën "autokandidaturën" e radhës.
"Do të më pëlqente shumë që në të ardhmen të drejtoja Palermon. Askush nuk më ka kërkuar dhe as nuk e njoh Zamparinin, por jam i bindur se qyteti është një serbator "i virgjër" ku mund të gjenden dhe të rriten shumë talente. Pak a shumë siç bëra unë në Shqipëri. Nuk nevojiten emra shumë të mëdhenj, por njerëz të motivuar, që luajnë për kolektivin dhe që sakrifikohen. Sipas meje, në Palermo ekzistojnë këto potenciale, është mëkat që nuk shfrytëzohen", deklaroi ai për "Radio Time".
"Kjo skuadër do të meritonte të qëndronte mes vendit të 7 dhe të 8 në Serinë A por jo gjithmonë mund të kesh në dispozicion emra të kalibrit të Dybala dhe Vazkuez. Atëherë mund të bësh një punë të rëndësishme edhe me sektorin e të rinjve, pa pasur frikë që të hedhësh në fushë djem të rinj.
Pastaj mjafton të hedhësh sytë rreth e rrotull, për shembull, duke shqyrtuar rendimentin e disa futbollistëve të kombëtares time. Sipas mendimit tim, janë 4 apo 5 të gatshëm për Serinë A dhe për Palermon", deklaroi De Biazi.